Specialja kërkon dosje nga Kosova për një të akuzuar për krime lufte

Lajme

Specialja kërkon dosje nga Kosova për një të akuzuar për krime lufte

Më: 24 prill 2023 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

Gjykata Speciale, nëpërmjet një vendimi, ka kërkuar nga gjykatat në Kosovë transferimin e një lënde për një të akuzuar për krime lufte.

Këtë e kanë konfirmuar për televizionin publik Dhomat e Specializuara, por që nuk dihet as kush është i akuzuari, e as për çfarë rasti bëhet fjalë.

T\v publik ka pyetur edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës se për cilin rast ka kërkuar informata Gjykata Speciale, por që nuk është përgjigjur.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë kërkuar ndihmë nga gjyqësori i Kosovës për hetimin e krimeve të luftës. Gjykata Speciale ka konfirmuar për RTK-në se ka kërkuar nga gjykatat e Kosovës transferimin e një lënde për një të akuzuar për krime lufte.

Pa dhënë detaje për këtë kërkesë, nga Specialja kanë thënë se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, parashihet se këto Dhoma kanë përparësi ndaj të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë në lidhje me rastet që ndërlidhen me juridiksionin e saj.

Në përgjigjen e kësaj gjykate për RTK-në thuhet se më 20 janar të vitit 2020, një gjykatës i Speciales ka pranuar një kërkesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që dosja e një gjykate në Kosovë t'i transferohet kësaj gjykate në Hagë.

Në këtë kërkesë të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, pjesa më e madhe e vendimit është e redaktuar dhe nuk dihet se për cilin rast bëhet fjalë, veçse në vendim përmendet fakti që Dhomat e Specializuara mund të urdhërojnë shtyrjen dhe transferimin e çdo procedure në Kosovë që ka të bëjnë me çështjet nën juridiksionin e saj, e në këtë rast me krimet e luftës, për të cilat është krijuar t'i hetojë.

Sipas vendimit, çdo gjykatë apo prokuror në Kosovë që ka marrë një urdhër të Dhomave të Specializuara për shtyrje, do t’ia transferojë pa vonesë Prokurorit të Specializuar të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me rastin e kërkuar.

Sa i përket redaktimit të çështjes në fjalë, sipas Speciales, gjykatësi mund të redaktojë informacione të caktuara për arsye të privatësisë së personit në fjalë ose për të mbrojtur viktimat, dëshmitarët ose familjet e tyre.

Nga Specialja nuk kanë dhënë detaje se për cilin të hetuar nga organet e drejtësisë në Kosovë bëhet fjalë, por është hera e parë që bëhet publike se një dosje e tillë kërkohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Media ka pyetur edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës se për cilin rast ka kërkuar informata Gjykata Speciale, por që nuk janë përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat