Funksionari i partisë së Vuçiqit: Me ndryshim të politikës së jashtme po na çon në vetëizolim

Lajme

Funksionari i partisë së Vuçiqit: Me ndryshim të politikës së jashtme po na çon në vetëizolim

Më: 27 prill 2023 Në ora: 14:34
Dragan Shormaz

Dragan Shormaz, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, ka deklaruar se ndryshimi në politikën e jashtme, siç ka paralajmëroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do ta çonte Serbinë në vetëizolim dhe katastrofë.

Shormaz ka thënë se edhe politika e deritashme e jashtme e Serbisë ka qenë e gabuar dhe për këtë kemi dy vjet që jemi në ngërç në integrimet evropiane.

“Dje në Këshillin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian na u tha qartë se nuk do të ketë vazhdim të integrimit evropian derisa nuk harmonizohemi plotësisht me politikën e sigurisë dhe të jashtme të Bashkimit Evropian. Nëse zbatohet paralajmërimi i presidentit Vuçiq se Serbia do të respektojë reciprokisht integritetin territorial të vendeve që respektojnë integritetin e Serbisë, kjo do të na çojë në vetëizolim, siç kemi qenë në vitet e 1990-ta”, ka thënë Shormaz.

Ai ka thënë se në mënyrë që Serbia të shmangë izolimin, duhet të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë dhe të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Shormaz ka shtuar se është e papranueshme që përfaqësuesit e Serbisë në Kombet e Bashkuara nuk kanë votuar mbrëmë për rezolutën për bashkëpunimin e OKB-së me Këshillin e Evropës.

“Përfaqësuesit tanë nuk ishin në sallë kur Asambleja e OKB-së votoi për miratimin e rezolutës për bashkëpunimin ndërmjet OKB-së dhe Këshillit të Evropës. Edhe Kina votoi për këtë rezolutë ndërsa ne u rreshtuam me Rusinë, Korenë e Veriut, Bjellorusinë, dhe Turkmenistanin. Vendimet e tilla të diplomacisë serbe janë fëminore dhe të pakuptueshme”, ka thënë zyrtari i PPS-së.

Shormaz ka theksuar se Serbia dhe Kosova do të duhet të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kështu të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Detyra e politikanëve është të punojnë në interes të shtetit dhe popullit. Nëse paralajmërimi i Vuçiqit për ndryshimin e politikës së jashtme zbatohet dhe unë nuk mund të besoj se do të zbatohet, Serbia definitivisht do të ndahet nga Evropa dhe SHBA. Ky nuk është interesi i qytetarëve. Politikanët duhet të shikojnë të tashmen dhe të ardhmen, dhe vetëm një budalla bën gabime që janë bërë në të kaluarën”, ka thënë Shormaz.

Ai ka përkujtuar se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, Serbia u zotua për një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese me Kosovën.

“Fillimisht i kemi urdhëruar serbët të largohen nga institucionet në veri të Kosovës, e pastaj ankohemi se po na sulmojnë shqiptarët. Epo, nuk do të na sulmonin nëse do të kishim 600 policë serbë në veri si deri në nëntor të vitit të kaluar. Shtrohet pyetja se si serbët në gjashtë komuna në jug të Ibrit mund të jetojnë normalisht me pasaporta, letërnjoftime dhe targa të Kosovës, ndërsa në katër komuna në veri të Kosovës nuk munden”, ka theksuar Shormaz dhe ka pretenduar është e qartë se diçka tjetër qëndron prapa problemit të serbëve në veri të Kosovës.

Duke komentuar votimin në Këshillin e Evropës, kur u pranua kërkesa e Kosovës për anëtarësim, Shormaz ka thënë se për Kosovën votuan edhe anëtarët e Ballkanit të Hapur, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Askush nuk përmend Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat janë me ne në Ballkanin e Hapur, ndërsa ne duam të vendosim kundërmasa ndaj Greqisë, Ukrainës dhe Moldavisë, sepse ata abstenuan në Këshillin e Evropës në lidhje me pranimin e Kosovës. Këto janë vendime shumë të këqija të politikës ditore të autoriteteve serbe. Nëse strategjia e re e shpallur në politikën e jashtme do të miratohet në bazë të asaj që po bëhet sot, do të jetë një fatkeqësi për Serbinë”, ka përfunduar Shormaz.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar të martën ndryshim në politikën e jashtme, duke thënë se Serbia do të respektojë reciprokisht integritetin territorial të vendeve që respektojnë integritetin e Serbisë.

“Në politikën tonë të jashtme do të kujdesemi për marrëdhëniet dypalëshe, në mënyrë që të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin territorial të Serbisë, pse ne duhet të jemi të detyruar ta respektojmë të tijin. Këto nuk do të jenë ndryshime të parëndësishme në politikën tonë, jo tektonike, por të thella dhe thelbësore”, ka deklaruar Vuçiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat