E paditë kolegun për shpifje dhe fyerje, kërkon kompensim 2,500 euro

Lajme

E paditë kolegun për shpifje dhe fyerje, kërkon kompensim 2,500 euro

Më: 27 prill 2023 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca në rastin ku Sh.A., udhëheqës i Shërbimeve të Transportit në Stacionin e Autobusëve, ka paditur për shpifje dhe fyerje kolegun e tij, D.H për çka ka propozuar edhe caktimin e masës së sigurimit.

Në seancë ishin prezent propozuesi Sh.A si dhe përfaqësuesi i tij avokati Ilir Gashi, si dhe përfaqësuesi i kundërpropozuesit avokati Rexhep Potera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i propozuesit të sigurimit, avokati Ilir Gashi ka konsideruar se nëse nuk caktohet masa e sigurisë ekziston rreziku i përsëritjes deklaratave shpifëse dhe fyese të cilat kanë dëmtuar reputacionin e propozuesit.

Gjithashtu, avokati Gashi tha se nëse nuk vendoset masa e sigurisë dhe nuk ndalen këto deklarata, situata mund të shkojë deri në ndonjë konflikt fizik.

Ai ka shtuar se përkundër se propozuesi A. ka kërkuar nga kundërpropozuesi H. që t’ia ndalojë shpifjet dhe fyerjet ndaj tij, i njëjti ende vazhdon me të njëjtin avaz.

Po ashtu ai ka propozuar që në këtë seancë të dëgjohet edhe propozuesi në cilësi të dëshmitarit.

Në anën tjetër përfaqësuesi i kundërpropozuesit e ka kundërshtuar propozimin për caktimin e masës. Sipas tij, nuk kërkesa nuk është në përputhje me nenin 297, 301, 304 të Ligjit për Procedurën Kontestimore ku përcaktohen kushtet se kur mund të caktohet masa e sigurisë .

Në këtë rast ai ka propozuar që të dëgjohet dëshmitari N.T i cili ka qenë prezent gjatë kohës kur kanë rrjedhur ngjarjet dhe mund ta vërtetojë se nuk ka pasur shpifje dhe as gënjeshtër në këtë rast, si dhe dëshmitarin F.H.

Andaj, ai i ka kërkuar gjykatës që ta refuzojë propozimin për masë të sigurisë pasi që paditësi me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme se ka bazë për caktimin e të njëjtës.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe propozuesi i cili ka thënë se raportet me kundërpropozuesin janë të acaruara pasi që komisioni i drejtuar nga propozuesi ka bërë falsifikimin e dokumenteve zyrtare.

“Unë dhe djemtë e mi kemi kontakte të vazhdueshme me kundërpropozuesin dhe mund të ndodhë që të acarohen raportet, ka pas raste kur ai ma ka bllokuar hyrjen në stacion duke mos e hapur laurën e hyrjes. Unë i kam shkru kryeshefit ekzekutiv por nuk kam marrë përgjigje”, tha ai.

Gjykatësi Dardan Kadolli, e ka aprovuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarit N.T.

Ndërsa gjykatësi Kadolli e ka refuzuar propozimin për dëgjimin e dëshmitari F.H, ndërsa ka konstatuar se arsyetimin për këtë do ta japë në vendimin për caktimin e masës.

Në këto rrethana seanca e sotme ka përfunduar ndërsa e radhës është caktuar më 16 maj 2023.

Sipas padisë së ushtruar me 13 mars 2023, paditësi/propozuesi Sh.A ka kërkuar kompensim dëmi për shpifje dhe fyerje si dhe propozim për caktimin e masës së sigurimit ndaj të paditurit/kundër propozuesit D.H.

Sipas padisë, me 6 mars 2023 i padituri D.H përmes një e-maili drejtuar A.S, e i cili e-mail është përcjellë edhe te një pjesë e madhe e stafit të Stacionit të Autobusëve ne pozita të ndryshme, ka shpifur se paditësi Sh.A nga Prishtina ka montuar rastin e suspendimit-degradimit të të paditurit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke përfshirë se kinse komisioni i kryesuar nga paditësi ka bërë falsifikimin e dokumenteve zyrtare duke u thirrur ne vendime të gjyqësorit.

Sipas padisë këto deklarime i njëjti i ka publikuar përmes e-mailit zyrtar të cilin e ka dërguar te një pjesë e madhe e kolektivit të punës duke mos ofruar as edhe një provë të vetme mbi këto shpifje dhe fyerje ndaj paditësit.

Përmes kësaj padie, paditësi ka kërkuar nga gjykata aprovimin e të njëjtës dhe vërtetimin se i padituri D.H përmes deklarimeve dhe publikimeve përmes e-mailit zyrtar ka bërë shpifje dhe fyerje ndaj paditësit.

Gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që në emër të demit të shkaktuar ndaj nderit dhe autoritetit të paditësit si dhe për pasojat dhe traumat psikologjike të ia kompensojë dëmin jo material pas vlerësimit nga ana e gjykatës në shumë prej 2 mijë e 500 euro me kamatë ligjore prej 8 % që nga dita e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive.

Ndërkaq përmes propozimit për caktimin e masës së sigurimit, propozuesi Sh.A ka kërkuar nga gjykata që kundër propozuesit t’ia ndalojë përhapjen dhe publikimin e shpifjeve dhe fyerjeve ne drejtim te tij ashtu që të mos dëmtohet me tepër personaliteti dhe reputacioni i të njëjtit pasi që sipas propozuesit A. ekziston rreziku real që kundërpropozuesi të përsërisë shpifjet dhe fyerjet pa përfunduar procedura gjyqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat