Nuk ‘dorëzohet’ Jeremiqi kundër Marrëveshjes Kosovë-Serbi, kërkon edhe 80 mijë nënshkrime për ta dërguar në Referendum

Lajme

Nuk ‘dorëzohet’ Jeremiqi kundër Marrëveshjes Kosovë-Serbi, kërkon edhe 80 mijë nënshkrime për ta dërguar në Referendum

Më: 29 prill 2023 Në ora: 15:14
Vuk Jeremiq

“Kryekundërshtari” i Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vuk Jeremiq, njoftoi se Partia Popullore Serbe ka mbledhur gjer më tash 20 mijë nënshkrime për ta dërguar planin franko-gjerman në Referendum në Serbi. Për ta inicuar këtë nismë në Parlamentin e Serbisë, i duhen 100 mijë nënshkrime në tërësi.

Jeremiq ka kërkuar që kjo marrëveshje e cila tashmë është pranuar nga shteti serb, të hedhet në referendum para qytetarëve të Serbisë, “si e vetmja mënyrë legale, demokratike dhe jo e dhunshme” për të vendosur rreth zbatimit të mëtejmë të planit franko-gjerman.

“Nuk kam dëgjuar nga askush prej opozitës, e madje as nga qeveria, të thotë se plani franko-gjerman është i mirë. Për atë tashmë Partia Popullore ka dalë me një iniciativë konkrete për të parandaluar zbatimin e saj, që do të thotë, me një iniciativë për ta hedhur atë në referendum”, ka deklaruar ai, siç e citoi televizioni publik i Vojvodinës.

Këtë referendum dhe mbledhjen e 100 mijë nënshkrimeve Jeremiq e quajti “çështje përtej partiake dhe politike” derisa kërkoi që edhe partitë politike të tjera ta njohin si të tillë. “Le të punojmë bashkërisht për të parandaluar zbatimin e planit frankogjerman. Nëse e parandalojmë, atëherë gjithçka bëhet e mundur. Ftoj të gjithë të bëjnë kontribut personal dhe ta nënshkruajnë iniciativën”, ka thënë Jeremiq.

Për çfarë referendumi e ka fjalën Jeremiq?

Jeremiq synon mbledhjen e 100 mijë nënshkrimeve për ta hedhur atë në një referendum derisa beson ta formulojë pyetjen kësisoji. “Kur [qytetarëve serbë] u shtrohet pyetja e thjeshtë kështu – a jeni në favor të pranimit të planit përmes të cilës Kosova e vetëshpallur i fiton atributet e një shteti të pavarur apo jeni kundër – shumica prej tyre votojnë kundër, dhe këtë rezultat të referendumit s’e vjedh dot regjimi”, thotë ai për dizajnimin e pyetjes së një referendumi.

Vuçiq verbalisht u pajtua me planin, u zotua dhe është garantuesi personal i i zbatimit të tij. “Ai nuk ka kthim mbrapa, por Serbia po”, beson ai. Sipas Jeremiq, “kushdo” që thotë që marrëveshja është punë e kryer nuk po e thotë të vërtetën.

“Kemi ende disa muaj për ta ndaluar, parandaluar dhe anuluar atë që pranoi Vuçiq muajin e fundit”. Andaj, beson ai, referendumi është rruga e duhur për ta zhbërë atë, ngase sipas tij, themelohet njëherë e mirë barazia ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne s’po u kërkojmë njerëzve të dalin në front e as të bëjnë sakrfica personale, por vetëm një nënshkrim. Cila është më logjike, më fer dhe me e natyrshme për njerëzit në mënyrë që ta shprehin veten në këso çështje të rëndësishme”, tha mes tjerash Vuk Jeremiq.

Jeremiq, i cili ishte edhe ministër i punëve të jashtme kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, beson se Vuçiq me pranimin e këtij plani tashmë u nevojitet ndërkombëtarëve për ta zbatuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat