26 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Lajme

26 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Më: 6 maj 2023 Në ora: 08:15
Luan Haradinaj

Sot, bëhen 26 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa ka qenë duke udhëhequr një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i ka marrë jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain, Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti janë nisur për në Kosovë. Ata kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi ka rënë në një pritë që ka zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë, është vrarë Luan Haradinaj, është plagosur Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt ka pushuar në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit, trupi i tij është rivarrosur në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj është lindur më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit. Ai shkollën fillore e ka kryer në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Luan Haradinaj është regjistruar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk ka arritur ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat