SHBA-BE “shkundin” Vuçiçin për shkak të Kosovës, si po përgatitet izolimi i Serbisë - Beogradi në panik

Lajme

SHBA-BE “shkundin” Vuçiçin për shkak të Kosovës, si po përgatitet izolimi i Serbisë - Beogradi në panik

Më: 23 maj 2023 Në ora: 12:46
Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po gjendet në një situatë shumë të vështirë, pasi ndërkombëtarët në javët në vazhdim nuk do ta tolerojnë politikën e tij me dy karrige. Mesazhet e prera erdhën ditën e djeshme, pasi SHBA-BE foli më hapur se kurrë duke paralajmëruar izolim të Serbisë nëse vazhdon mbështet Putinin dhe nuk zbaton planin “franko-gjerman”.

“Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”, tha senatori amerikan, Chris Murphy, pas takimit ditën e djeshme me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai, së bashku me senatorin Gary Peters, kanë nisur vizitën në Kosovë, që është në kuadër të një turni njëjavor në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën, të drejtën e saj për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha Murphy. Ai iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel, si dhe Aneksit të zbatimit të saj, që u arrit në Ohër më 18 mars. Murphy tha se me këtë marrëveshje, Kosova është zotuar se do të lejojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se shpreson se ky Asociacion do të themelohet “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Mesazhi i fortë në Bruksel

Nga ana tjetër shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.

“Ne mirëpresim zgjedhjet strategjike dhe të guximshme të disa prej tyre shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë plotësisht në përputhje me sanksionet kundër Rusisë. Ne gjithashtu u theksuam atyre që nuk janë rreshtuar ende, ose nuk janë rreshtuar fare, dhe këtu veçanërisht do të theksoja Serbinë, se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe gjithashtu është e dëmshme për interesin kombëtar të Serbisë”, tha Borrell.

Pra Beogradi po përgatitet të izolohet nga Perëndimi nëse nuk ndryshon qëndrim. Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të bllokut, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim që u mbajt më 22 maj, morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell po ashtu porositi shtetet që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të BE-së, që të ndryshojnë sjelljen e tyre. Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke mos ndjekur shembullin e Brukselit. Ndërkaq, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell u bëri thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga ky proces dhe t’i japin fund tensioneve dhe deklaratave e sjelljeve provokuese. Ai tha se rruga drejt integrimit evropian shkon përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë.

Mesazhi nga Kosova dhe Serbia

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se gjatë takimit, disa minsitra theksuan rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas takimit në Bruksel të ministrave të bllokut, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pretendon se “përfaqësuesit e Kosovës kanë treguar sjellje ekstremiste”. “Ata folën për Serbinë që është një kërcënim për paqen dhe stabilitetin, se ne jemi një faktor përçarës dhe ata janë një faktor paqeje dhe stabiliteti, gjë që nuk është vërtet”, u tha Daçiç gazetarëve në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat