Kurti kujton Behajdin Allaqin: Kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij, e zhdukën

Lajme

Kurti kujton Behajdin Allaqin: Kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij, e zhdukën

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 22:41
Behajdin Allaqi

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka përkujtuar Behajdin Allaqin, njëri ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 25 vjetorin e zhdukjes së tij.

Kurti ka shkruar një profil të Allaqit, duke thënë ndër të tjera , “Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari.”.

Postimi i plotë:

U bë një çerekshekulli prej kur është zhdukur Behajdin Allaqi, aktivisti politik dhe luftëtari i lirisë! Teksa shënojmë ditët e çlirimit të qyteteve tona dhe të vetë Kosovës në qershor të vitit 1999, sot janë bërë 25 vite nga dita e 11 qershorit 1998, kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht. Që nga atëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur me të, siç deri sot nuk është gjetur as trupi i tij.

Shok në angazhimin e tij politik me figura të njohura si Afrim Zhitia, Fadil Vata e Ukshin Hoti, Behajdin Allaqi ishte anëtarë i organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Si anëtarë i LPRK-së (LPK-së), Behajdini kishte marrë pjesë në mbledhjet dhe proceset e rëndësishme që themeluan dhe i dhanë formë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Behajdini u arrestua më 1 gusht 1993 nga autoritetet jugosllave dhe pas një procesi gjyqësor, më 11 nëntor, bashkë me katër shokë u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prizren, me dy vjet e tre muaj burgosje, të cilat i vuajti në burgun e Dubravës.

I diplomuar për filozofi dhe sociologji në Universitetin e Prishtinës, Behajdin Allaqi e vazhdoi punën e tij si profesor në gjimnazin e Prizrenit deri më 1998, kur ky themelues i UÇK-së edhe e veshi uniformën e kësaj ushtrie popullore. Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari.

Në kujtim të veprës së lavdishme të heroit të lirisë së Kosovës, Behajdin Allaqit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat