Patriarku Porfirije uron Kurban Bajramin

Lajme

Patriarku Porfirije uron Kurban Bajramin

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 11:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Patriarku Porfirije ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit, duke i quajtur “vëllezër”.

“Kosova është e ngjashme me Jerusalemin, Kosova është vend i shenjtë për krejt ata që luten dhe që kanë besim. Vëllezërit mysliman sot e kanë festën e Bajramit nga ku edhe ua uroj” – tha ai para qytetarëve serb gjatë liturgjisë së parë.

Ai ka numëruar të gjithë tempujt ortodoksë derisa ka thënë se këtu janë në shtëpinë e tyre. “Këtu e dimë se kush jemi e çka jemi. Këtu e dimë nga kemi ardhur dhe qëllimin pse ekzistojmë. Këtu jemi në shtëpinë tonë. Këtu ia përsëris vetes dhe ua kujtoj krejt vëllezërve e motrave, krejt njerëzve në botë se këtu jemi në shtëpinë dhe vatrën tonë. Këtu jemi, kudo tjetër jemi të huaj”, ka theksuar Porfirije.

Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.

Por javën që shkoj dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur që sivjet manifestimi i Vidovdanit të organizohet në Manastirin e Graçanicës dhe jo në Gazimestan, siç bëhej deri tash. Kjo dioqezë ka arsyetuar vendimin me “situatën aktuale të sigurisë”. Gjithashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë mbrojtje nga KFOR-i, sepse “nuk i beson Policisë së Kosovës”.

Ndërkohë të martën Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë për festën e Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ndërsa ka publikuar një varg masash që këto festa të shënohen pa incidente.

Policia ka njoftuar se një nga masat është edhe mbyllja e hyrje daljeve në qytetin e Graçanicës.

Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit”, thuhej në njoftimin e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat