Dështon seanca në Apel për shkaktim të aksidentit ku kishte vdekur polici

Lajme

Dështon seanca në Apel për shkaktim të aksidentit ku kishte vdekur polici

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Në mungesë të të dënuarit Nezir Duraku, ka dështuar, të premten, të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, në rastin ku ai dhe Arton Duraku, janë dënuar me 15 vite burgim së bashku, pasi kishin pranuar fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq i riu F.Sh., dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit.

Lidhur me mungesën e të dënuarit Nezir Duraku, kryetari i kolegjit Hashim Qollaku tha se për të njëjtin ka pasur urdhëresë mirëpo ai nuk ishte i pranishëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana pasi i pranishëm nuk ishte i akuzuari Duraku, gjykatësi Qollaku tha se nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca e kolegjit përkundër asaj që për të njëjtin ka pasur urdhëresë për sjelljen e tij në seancë.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 14 korrik 2023.

Ndaj të akuzuarit Nezir Duraku, gjykatësi Qollaku tha se do të përkujdesën që i njëjti të sillet nga ana e njësitit përkatës që e mbështetë punën e gjykatës që të marra pjesë në seancën e kolegjit

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 6 prill 2023 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Nezir dhe Arton Duarku duke i dënuar më 15 vjet burgim ( së bashku), për veprën penale rrezikim i trafikut.

Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat