Mungon njëri nga 20 të akuzuarit, dështon gjykimi për korrupsion e kontrabandë me mallra ndaj policëve të veriut

Lajme

Mungon njëri nga 20 të akuzuarit, dështon gjykimi për korrupsion e kontrabandë me mallra ndaj policëve të veriut

Më: 24 korrik 2023 Në ora: 12:40
Foto ilustrim

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Abdurrahim Haxhiq, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion dhe kontrabandë me mallra në veri.

Në këtë rast bashkë me Haxhiq po akuzohen edhe Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovçi, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq.

Mungesën e të akuzuarit Haxhiq, e ka arsyetuar mbrojtësja e tij, avokatja Albana Kelmendi e cila tha se, më 21 korrik është njoftuar nga familjarët e të mbrojturit të tij se i njëjti ka pësuar aksident trafiku në Serbi dhe se ka qëndruar në spitalin e Kralevës.

“Gjatë vikendit kam pranuar edhe dokumentacionin mjekësor të lëshuar nga Spitali i Kralevës si dhe nga Spitali Rajonal i Mitrovicë ku Abdurrahimi është duke u trajtuar tash në shtëpi mirëpo, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nuk ka munduar të prezantoj”, deklaroi tutje avokatja Kelmendi.

E njëjta ia dorëzoi gjykatës edhe raportet mjekësore lidhur me gjendjen e të mbrojturit të saj.

Në këtë seancë, ishte planifikuar që të jepej fjala përfundimtare nga palët në procedurë, mirëpo në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë.

Kurse, seanca e radhës u caktua më 6 shtator 2023.

Ndërkaq, bashkë me 20 policët e veriut, akuzoheshin edhe B.M., dhe K.S, por ndaj të njëjtëve gjykata ka pushuar procedurën penale, për shkak se kishin ndërruar jetë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit K.S, i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, B.M., dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit K.S, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, për të cilat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovë, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policorë në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin “Sankovc”, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë./BetimipërDrejtësi/

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, po ngarkohen me veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po ngarkohen edhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie ”Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat