Cenoi lirinë e votuesve, ngrihet aktakuzë ndaj ish-nënkryetarit të Komunës së Kllokotit

Lajme

Cenoi lirinë e votuesve, ngrihet aktakuzë ndaj ish-nënkryetarit të Komunës së Kllokotit

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 15:34
PSRK

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet S. M., ish-nënkryetar i Komunës së Kllokotit.

Në komunikatë për media bëhet e ditur se kjo pasi është vërtetuar dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e sanksionuar me nenin 210 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Speciale njofton se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri S.M. në bashkëkryerje me të dënuarin B.D. dhe persona të tjerë, ka kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘Lista Serbe’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 ‘Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’”, thuhet në njoftim.

Çështja ka kaluar në kompetencë të gjykatës për procedurë të mëtutjeshme, kurse gjatë kësaj faze të procedurës i pandehuri mbrohet në liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat