Publikohet një foto e asambleistit të LVV-së, që u arrestua për drogë në Shqipëri, me Ministrin Sveçla

Lajme

Publikohet një foto e asambleistit të LVV-së, që u arrestua për drogë në Shqipëri, me Ministrin Sveçla

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 12:16
Besnik Mujeci- Xhelal Svecla

Një operacion i madh i Policisë së Shqipërisë ka përfunduar me 5 presona të arrestuar, nën dyshimet se kanë poseduar 10 mijë doza ekstazi, raportojnë mediat nga Tirana. 

Mediat në Shqipëri kanë publikuar edhe emrat e të arrestuarve dhe në mesin e tyre raportohet se është edhe Besnik Mujeci, asambleist i Vetëvendosjes në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një konferencë për media.

Nderkohë, pak pas publikimit të lajmit, një reagim ka ardhur nga Berat Rukiqi i LDK’së. Ai ka publikuar një fotografi të Mujecit me Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Trafikanti dhe afersia e tij me ate qe supozohet qe duhet t’i luftoj trafikantet (Ministrin). Mos te harrojme faktin qe trafiku eshte bere nga Kosova ne drejtim te Shqiperise”, shkruan Rukiqi.

Në fund, ai pyet: “VV ka sah po shkon?”.

Ndryshe, në lidhje me aksionin, Policia e Shqipërisë në një konferencë për media ka bërë të ditur se: “Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.

Vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. U sekuestruan gjithashtu një automjet si dhe 5 aparate celulare, bëri të ditur Policia e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat