Ish-analisti ushtarak i Millosheviqit, sot në shërbim të Vuçiqit: SHBA dhe Perëndimi po krijojnë Shqipërinë e Madhe

Lajme

Ish-analisti ushtarak i Millosheviqit, sot në shërbim të Vuçiqit: SHBA dhe Perëndimi po krijojnë Shqipërinë e Madhe

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 11:09
Millovan Drecun

Ish-analisti ushtarak i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit në funksionin e kryetarit të ashtuquajturit “komision serb për Kosovën”, Millovan Drecun, ka pretenduar se “koncepti i Shqipërisë së Madhe, gur themeli i së cilës është pavarësia e Kosovës, është duke u realizuar” dhe se “është rrezik për gjithë rajonin”.

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është problemi më i madh për rajonin, pra për vendet, territoret e të cilave janë nën ndikimin e këtij projekti. Këto nuk janë më vetëm pikëpamjet e Albin Kurtit, por ne kemi realizimin e konceptit të Shqipërisë së Madhe, gur themeli i të cilit është përpjekja për t’i dhënë pavarësinë Kosovës”, ka “analizuar” Drecun për televizionin serb RTS.

Ai ka pretenduar se nga realizimi i këtij projekti “do të vuajë i gjithë rajoni”.

“Nëse do të ndodh situata që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe kështu të fitojë subjektivitet juridik ndërkombëtar, askush nuk do ta ndalojë përfundimin e projektit të Shqipërisë së Madhe, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të shpërbëheshin”, e ringjallë ai propagandën e vjetër të ish-shefit të tij të shekullit të kaluar.

Ai gjithashtu pretendon se “është gabim nëse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mendojnë se anëtarësimi në NATO është mbrojtje e sigurt kundër pretendimeve të Shqipërisë së Madhe”.

Duke përdorur ende propagandën armiqësore, tashmë të dështuar të Millosheviqit, Drecun shkon aq larg saqë pretendon se “në Kosovë Serbia po mbron integritetin territorial dhe mbijetesën e Maqedonisë së Veriut, dhe Malit të Zi”.

Kushdo që nuk e kupton se angazhimi për pavarësinë e Kosovës po i hap rrugën realizimit të konceptit të Shqipërisë së Madhe, gabon shumë”, pretendon ai.

Ai thotë se “koncepti i Shqipërisë së Madhe është krijuar si kundërpeshë për të balancuar Serbinë dhe faktorin serb në Ballkan”.

“Fatkeqësisht edhe Maqedonia e Veriut është projektuar nga disa aktorë ndërkombëtarë për të qenë një lloj tampon zone, në mënyrë që të mos ketë partneritet strategjik midis Greqisë ortodokse dhe Serbisë ortodokse. Dhe në të gjitha këto, kemi një aktor shqiptar që po e shfrytëzon këtë situatë. Pastaj “të gjithë pyesin” pse nuk ka reagim të pritshëm nga komuniteti ndërkombëtar? Epo nuk ka. Pra, kush e krijoi “këtë shtet të rremë” që është guri themel i Shqipërisë së Madhe? Pikërisht Perëndimi”, ka pretenduar Drecun.

Ai gjithashtu ka pretenduar se presidenti dhe kryeministri shqiptar flasin hapur për këtë projekt dhe se kur flasin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkojnë që Serbia të kërkojë falje nga shqiptarët, “ata kanë parasysh bashkimin e shqiptarëve dhe konceptin e fshirjes së kufijve dhe krijimit të një Shqipërie të Madhe”.

Drecun pretendon se “Shqipëria është bartëse e këtij projekti dhe Kosova është gur themeli”.

Ai ka thënë se “në ditën kur Armend Mehaj është dekoruar nga Gjermania, ai menjëherë bën një foto me njësitë speciale të policisë me simbolet e UÇK-së dhe mesazhi është i qartë se me patronazhin e SHBA dhe vendeve të tjera po krijohet grushti goditës i konceptit  të Shqipërisë së Madhe."

Dhe në fund Drecun tregon haptas “ku po i dhemb” me pretendimin se “parandalimi i shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia është mbrojtje kundër Shqipërisë së Madhe” dhe “destabilizimit të rajonit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat