Dyshohet se ishte pjesë e njësitit famëkeq serb “Frenki” në Kosovë – kush është rekrutuesi i serbëve që do të luftojë për rusët në Ukrainë?

Lajme

Dyshohet se ishte pjesë e njësitit famëkeq serb “Frenki” në Kosovë – kush është rekrutuesi i serbëve që do të luftojë për rusët në Ukrainë?

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 07:20
Davor Savçiq

Sipas burimeve nga shërbimet e inteligjencës franceze, disa qindra rekrutë nga Serbia pritet të arrijnë në një nga kampet e ushtrisë ruse në Moskë deri më 1 shtator.

Deri më tani janë rekrutuar rreth 50 mercenarë serbë dhe pritet që kontingjenti të rritet në 500 rekrutë.

Ajo do të jetë pjesë e njësive të rregullta të ushtrisë ruse, dhe “njësia serbe” do të përfshihet në Divizionin 106 të Parashutës.

Image
Raportimi

Sipas burimeve nga shërbimet e sigurisë, një rrjet i luftëtarëve rusë dhe serbë ka përgatitur këtë operacion që nga maji i këtij viti me iniciativën e autoriteteve ruse dhe me mbështetjen e madhe të aparatit të sigurimit shtetëror.

Rekrutët janë shtetas të Serbisë, por edhe serbë nga vende të tjera fqinje, përfshirë Bosnjën-Hercegovinën. Nga mesi i korrikut deri në mes të gushtit, u përzgjodhën 50 kandidatë që mbërritën në Rusi me fluturime komerciale, në grupe nga dy ose tre, nën maskën e një kompanie ndërtimi.

Image
Saviçiq

Procesi drejtohet nga Davor Savçiq, i njohur si “Ujku”, një serb nga Bosnja-Hercegovina, i cili jeton prej kohësh në Rusi dhe është person i besuar nga autoritetet shtetërore, raporton klix.ba.

Savçiq ishte anëtar i JSO-së famëkeqe të udhëhequr nga krimineli, Milorad Ulemek – Legija. Ai ka luftuar më parë si mercenar në grupin Wagner në Ukrainë në vitin 2014 dhe pak më vonë, në vitin 2016, në Siri.

Image
Pankarta me viktimat serbe, ku akuzoheshin “terroristët shqiptarë” për vrasje

Saviçiq ishte pjesë e milicisë së kriminelit Zheljko Raznatoviq-Arkani, në grupin e njohur si “Tigrat e Arkanit” në luftën në Bosnje, sipas të dhënave të Policisë në Bosnje, ka raportuar “RadioSarajeva” vitin e shkuar.

Po ashtu, aty thuhet se ai ka qenë pjesë e njësive speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në luftën në Kosovë, të njohur edhe si “Njësiti Frenki”. Shumë dëshmitarë e kanë përshkruar këtë grup si “ekip që ka bartur trupat e viktimave nga Kosova në Serbi”. Shefi i grupit ishte Franko Simatoviq. Qytetarët e Serbisë kanë marrë pjesë aktive në luftën në Ukrainë që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, megjithëse ligji serb i ndalon ata të marrin pjesë në ushtritë e huaja. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes dhe autoriteteve të sigurisë në Beograd, të gjitha informacionet për serbët që luftojnë në Ukrainë janë mbledhur me kujdes.

Image
Krimineli Saviçiç në uniformën kishtare ortodokse

Dihet se në anën e Rusisë po luftojnë disa qytetarë të Bosnjës-Hercegovinës. Pak muaj më parë u shfaq një video ku shihet mercenari i famshëm serb Dejan Beriq duke biseduar me dy persona nga Bosnja.

Dorasi i 6 të rinjve në Pejë, tash mercenar paramilitar i Putinit

“Njëri nga vrasësit e 6 të rinjve serbë, më 14 dhjetor të vitit 1998, jeton aktualisht në Rusi. Ai është një nga ish-bashkëpunëtorët e kriminelit të luftës Arkan, kurse në Rusi gjendet që nga vitit 2014, kur iu bashkua luftëtarëve separatistë rusë në Krime të Ukrainës në cilësinë e mercenarit. Ai është Davor Saviçiq, pjesë e grupeve famëkeqe paramilitare ‘Tigrat e Arkanit’ dhe atij rus ‘Wagner’, i cili është aktiv edhe sot nëpër vende ku Putini krijon konflikte”, ka thënë në kushte anonimiteti (për arsye sigurie) një gazetar nga Beogradi për Kosovapress para 3 vitesh.

Sipas gazetarit në fjalë, këtë fakt e dinë strukturat politike dhe ato të sigurisë në Serbi, gjithashtu edhe disa gazetarë, por nuk po e bëjnë publike.

“Autoritetet serbe e dinë edhe vrasësin tjetër që ka qenë me Saviçiçin, por presin që këtë ta bëjnë publike në një kohë të caktuar. Kjo do të konsiderohej si tregti e Vuçiqit karshi presionit për zbardhjen e vrasjes së tre shqiptaro-amerikanëve, vëllezërve Bytyqi”, ka deklaruar gazetari serb.

Burimi i Kosovapress, ka siguruar edhe një pjesë të komunikimit të kolegëve të tij serbë me Davor Saviçiçin, lidhur me akuzat që bien mbi të për rastin PANDA. Komunikimi është në gjuhën serbe, përkatësisht në Messenger të facebookut (foto në fillim).

“Informatat i kemi marrë nga shërbimet e autorizuara që merren me këtë çështje. Siç jam në dijeni, autoritetet në Beograd tashmë kanë pranuar dosjen tuaj dhe planifikojnë që ta aktivizojnë kur t’iu ngushtohet puna me rastin tjetër – rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Ngaqë nuk do të munden që ta përmbushin këtë kërkesë, rasti PANDA do aktivizohet në stilin ‘Ja kemi diçka tjetër’. Gjithashtu, siç unë e di, informatat tashmë i janë shpërndarë disa gazetarëve rusë dhe ukrainas. Unë, i kam parë dokumentet dhe dëshmitë”, thuhet ndër të tjera në komunikimin që ka pasur gazetarja serbe me Saviçiçin.

Vet mediat serbe, siç është “Kurir” (në vitin 2014), kishin shkruar se “Ish-kreu i Sigurimit të Shtetit (Drzavna Bezbednost), Radomir Markovic, iu ka ofruar kompetentëve shtetëror prova se sulmi në kefeterinë PANDA është bërë nën organizimin e Milorad Ulemek – Legija”.

Të dhënat nga media të tjera, thonë se Davor Saviçiçi ka qenë pjesë e Njësisë për Operacione Speciale (JSO), të cilën e ka udhëhequr njëherë Arkani e më pas Legija.

Natasha Kandiç, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, në vitin 2014, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se selia e ish-Beretave të kuqe, gjegjësisht, njësiteve për Operacione Speciale ka qenë në pushimoret që gjendet afër Manastirit të Deçanit.

“Ata, me automjetet e tyre ‘hamer’ në vazhdimësi janë vozitur nëpër rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale ‘Vetëtima’… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’ dhe se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”, kishte deklaruar Natasha Kandiç.

Vet burime qeveritare të Serbisë, kishin deklaruar për mediet serbe se, qëllimi i këtij krimi ishte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të paraqitej si terroriste në sytë e ndërkombëtarëve.

Rasti PANDA nuk është zbardhur deri më tash, as nga institucionet e Republikës së Kosovës, e as nuk ka pasur gatishmëri nga Serbia që të zbardhet. Megjithëse kreu i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati deklaruar se vrasjen e 6-fishtë në PANDA nuk e kanë bërë as shqiptarët e as të huajt (perëndimorët), deri tani asgjë nuk është bërë më shumë.

Më 14 dhjetor 1998, në mes të luftës në Kosovë, dy meshkuj të maskuar kishin hyrë në kafeterinë “Panda” në Pejë, ku si pasojë e shtirjes me armë automatike, kishin vrarë 5 nxënës të shkollës së mesme: Ivan Obradoviç (14), Zoran Stanojeviç (18), Svetislav Ristiç (17), Dragan Trifoviç (17) i Vukosav Gvozdenoviç (17) dhe studentin Ivan Radeviç (25). Kafeteria “Panda” gjendej matanë rrugës së gjimnazit në Pejë.

Menjëherë pas rastit, autoritetet okupuese policore serbe në Kosovë, montuan vrasjen, duke ia mveshur akuzën UÇK-së, me ç’rast arrestuan dhe torturuan qytetarët Xhevdet Bajramin, Beqir Loxhën, Gazmend Bajramin, Vllaznim Përgjegjajn, Behar Bajrin dhe Agron Kollçakun.

Dorasi Saviçiç, tash paramilitar i Putinit

Sipas medias ruse “Fontanka”, Davor Saviçiq është udhëheqës i njësitit serb brenda grupit paramilitar rus “Wagner” dhe ka marrë pjesë në luftime në Ukrainë dhe Siri. Saviçiç është i njohur me nofkën “Ujku” (rusisht “Volk” apo serbisht “Vuk”). Ndër të tjera, ai mbahet përgjegjës edhe për pjesëmarrje në një masakër ndaj një qytetari sirian, i cili është torturuar deri në vdekje, e më pas i është hequr koka dhe trupi i është djegur. Kjo ngjarje është filmuar me telefon nga vet kriminelët e grupit “Wagner”. Ndër të tjera, aty dëgjohet duke u thirrur edhe nofka e Saviçiçit. Videoja ka pamje shumë të rënda dhe nuk preferohet të shihet nga ata që e kanë shëndetin e lig dhe të miturit.

Disa media ruse më liberale, siç është edhe “Novaya Gazeta” thotë se burrat në videot e rrjedhura i drejtohen njëri-tjetrit me nofkat “Pamir” (një varg malesh në Azinë Qendrore) dhe “Volk” (ujku). Gazetarët kanë thënë se mercenari serb Davor Saviçiç ka nofkën “Volk”, por pamjet nuk e bëjnë të qartë nëse ai është një nga burrat që ndihmoi në masakër.

Davor Saviçiçi është serb i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë. Emri i tij gjendet në internet si kriminel lufte në ish-Jugosllavi dhe tash me forcat e paramilitarëve të Putinit në disa vende, Siri dhe Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat