Petkoviq i brengosur për shkak të kërcënimeve të hapura të zyrtarëve të Kosovës

Lajme

Petkoviq i brengosur për shkak të kërcënimeve të hapura të zyrtarëve të Kosovës

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 16:00
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, është pritur sot nga ambasadori i Republikës së Italisë në Beograd, Luca Gori, ku kanë biseduar për problemet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç pretendohet në komunikatën e kësaj zyre të ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, gjatë takimit, Petkoviq e “ka njoftuar” Gorin për “një sërë aktesh të njëanshme dhe të dhunshme” të Kosovës që “kërcënojnë stabilitetin në terren dhe të drejtat themelore të njeriut të pakicës serbe në Kosovë”.

“Kërcënimet e hapura të zyrtarëve të Prishtinës, siç është “i ashtuquajturi” ministri i Mbrojtjes Ejup Macedonci, se “të ashtuquajturat” FSK do të veprojë së shpejti në “zonën veriore të krahinës sonë”, janë shqetësuese, e që është shkelja më e rëndë e të gjitha marrëveshjeve dhe garancive të NATO-s, në të cilat thuhet qartë se “të ashtuquajturat” FSK nuk mund të jetë e pranishme në veri. Kërcënimet dhe provokimet e hapura vijnë edhe nga kryetarët “e rremë” nga veriu i Kosovës, të cilët veprojnë në kundërshtim me udhëzimet e qarta të BE-së për deeskalim. Vendimi i rrezikshëm i kryetarit “të rremë” Erden Atiq “për ta uzurpuar objektin”, në lagjen Mëhalla e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, ku janë vendosur zyra për Kosovë, Shërbimi i Drejtorisë së Fondit PIO, Qarku Administrativ i Kosovës dhe Mitrovicës dhe Qendra për Punë Sociale Vushtrri”, ka pretenduar Petkoviq.

Petkoviq gjithashtu ka pretenduar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti qëndron pas çdo lëvizjeje të tillë “të dhunshme” të përfaqësuesve të Kosovës.

Ai po ashtu ka rikujtuar faktin se vendimi i Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave dhe barnave të prodhuara në Serbi është ende në fuqi, gjë që çon në “shkaktimin e problemeve ekonomike dhe humanitare për pakicën serbe në Kosovë”.

“Lëvizjet e tilla të njëanshme dhe të paligjshme të regjimit të Prishtinës mund të çojnë në një ngritje të re të tensioneve dhe të shkaktojnë krizë në terren dhe të mos shkojnë në drejtim të ndonjë deeskalimi”, si zakonisht Petkoviq në fund është shërbyer me kërcënimet boshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat