Eksperti i sigurisë në Beograd ‘fundos’ Vulinin dhe Vuçiqin: Shërbimi serb ka qenë në dijeni të sulmit në Kosovë!

Lajme

Eksperti i sigurisë në Beograd ‘fundos’ Vulinin dhe Vuçiqin: Shërbimi serb ka qenë në dijeni të sulmit në Kosovë!

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 10:41
Aleksander Vulin dhe Vuçiqi

Një ekspert i sigurisë në Serbi i ka dhënë shuplakë të fortë Beogradit për sulmin në Kosovë. Ai tha se nuk ka mundësi që shërbimi sekret serb të mos ketë qenë në dijeni të asaj që ndodhi në Veri.

Srdan Hercigonja deklaroi se duke pasur parasysh historinë e ngjarjeve në Kosovë, është thjesht e pabesueshme që diçka e tillë e përmasave dhe aq afër kufirit mund të ndodhë, pa e ditur struktura të caktuara të sigurisë.

“Pyetja e vetme është se në cilin nivel të atyre strukturave dihej kjo. Mendimi im bazohet në informacionet që kam dhe duke pasur parasysh historinë e incidenteve në Kosovë, është e vështirë që diçka e tillë të ndodhë pa dijeninë e strukturave tona. Dhe nëse nuk e dinin, atëherë është një gabim i madh dhe në atë rast do të duhej të përcaktohet përgjegjësia. Përcaktimi i përgjegjësisë nuk është kompetencë kushtetuese e Aleksandër Vuçiçit, por meqenëse është ai që vazhdimisht inicon dhe kërkon përgjegjësi, edhe në këtë rast mund t'i sugjerojë Qeverisë që të inicohet procedura për përcaktimin e përgjegjësisë. Kjo është puna e qeverisë dhe gjatë gjithë këtyre ditëve nuk kemi dëgjuar nga ministritë tona apo nga kryeministri se çfarë kanë bërë aparatet tona të sigurisë", tha Hercigonja.

Duke komentuar sulmuesit në Banjska, ai theksoi se ata mund të quhen "një lloj njësi paraushtarake, parapolicore apo parapartiake" nëse vërtetohet se Milan Radoiçiç ishte një nga organizatorët e incidentit.

“Dhe kjo është shumë domethënëse, sepse pastaj përfshihet edhe elementi politik. Dhe të gjitha provat që i kemi deri më tani, dhe nëse marrim parasysh rolin e tij në Kosovë, është thjesht e pabesueshme që diçka e tillë të organizohet atje pa dijeninë dhe miratimin e tij. Po, mund të themi se është një forcë parapolicore, sepse ai është nënkryetar i Listës Serbe, e cila është përfaqësuesi i vetëm legjitim politik i serbëve në Kosovë. Dhe nëse konstatohet përfshirja e tyre dhe i gjithë ky rast cilësohet si akt terrorist si në BE, ashtu edhe në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, do të ketë pasoja të konsiderueshme në lidhje me negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo do të thotë se Lista Srpska e humb legjitimitetin e saj si bashkëbisedues, sepse nuk mund të negociosh me një organizatë terroriste dhe çfarë mund të ndodhë nëse vërtetohet përfshirja e Radiçiçit”, shpjegoi Hercigonja.

Duke komentuar faktin se KFOR-i nuk ka ndërhyrë në konfliktin e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe sulmuesve në Banjskë, Herzigonja ka theksuar se KFOR-i konsideron se në bazë të analizave operative nuk ka pasur nevojë të ndërhyhet.

“Ata ndërhyjnë vetëm kur popullata kërcënohet seriozisht, dhe atëherë ka edhe një lloj marrëveshjeje dhe praktike. Dhe praktika e fundit është që as KFOR-i dhe as EULEX-i nuk ndërhyjnë nëse nuk duhet. Kjo do të thotë se policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të dhunës”, shpjegoi Hercigonja.

Duke komentuar rolin e Radoiçiçit në Banjska, ai tha se nuk ka mundësi që Radoiçiç të ekstradohet në Prishtinë, si dhe se ai tashmë është akuzuar për gjëra të tjera para institucioneve të Prishtinës, por se gjatë gjithë kohës është në Serbi.

“Ai mund të përgjigjet para institucioneve të Prishtinës vetëm nëse diçka ndryshon në mënyrë drastike në raport me mbështetjen që ka nga Beogradi”, përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat