“Po heq pronat nga vetja në rast se shpallet fajtor”: Media serbe tregon se si Radoiçiqi “po ua dhuron” kompanitë vëllezërve Veselinoviq

Lajme

“Po heq pronat nga vetja në rast se shpallet fajtor”: Media serbe tregon se si Radoiçiqi “po ua dhuron” kompanitë vëllezërve Veselinoviq

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 23:11
Milan Radoiçiq

Krimineli famëkeq Milan Radoiçiq që udhëhoqi grupin paramilitar në Banjskë të Zveçanot kundër Policisë së Kosovës, tashmë ka nisur të transferojë pronësitë e tij në kompanitë serbe te vëllezërit ortakë të tij, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, përkatësisht kompaninë që fiton tenderat më të mëdhenj në Serbi, Inkop dhe të gjitha degët e saj.

Gazeta serbe opozitare Danas ka parë dokumentacionet e kryerjes së këtyre transferimeve të pronësisë, “pa asnjë kompnenzim”.

“Kompania më e madhe dhe më fitimprurëse në të cilën Radoiçiq ishte bashkëpronar me 40 për qind të aksioneve deri më 6 tetor është Inkop nga Cuprije, e cila në vitin 2022 arriti një fitim neto prej dy miliardë dinarësh (rreth 17 milionë euro). Para vitit 2018, kur Radoiçiq dhe Veselinoviq u bënë pronarë të Inkopit, ajo ishte 100 për qind në pronësi të motrës së Veselinoviqit - Dushica Maksimovic. Raportet financiare për vitin paraprak tregojnë se kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq kanë fituar mbi 24 milionë euro në vitin 2022. Megjithatë, në fillim të muajit aktual, APR miratoi kërkesën e dorëzuar më 2 tetor, për ndryshimin e të dhënave në lidhje me pronësinë”, raportoi “Danas”.

Danas ka siguruar dokumentet ku ndarjen prej 40 përqind të aksioneve të tij ua ndau me nga 20% secilit prej vëllezërve Veselinoviq ndërsa Radojiçiqi është hequr nga lista e pronarëve.

Pa asnjë lloj kompenzimi ose barra të tjera për përfituesit, aksionet e tij prej 103 mijë dinarëve ua ka ndarë me nga 51 mijë dinarë për secilin.

Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se disa kompani të tjera janë në pronësi 100% të Inkop-it, Radoiçiq nuk është më bashkëpronar në asnjërën prej tyre.

Përkatësisht, bëhet fjalë për kompani që merren me aktivitete të ndryshme, duke filluar nga ndërtimi dhe trafiku e deri te hoteleria, dhe të lidhura me Inkopin. Këto janë: Novi Pazar - Put in Novi Pazar, restorant Dolly Bell nga Novi Beogradi, Betonjerka nga Aleksinac dhe VelmorTrans - Plus nga Cuprija. Ajo zotëron gjithashtu Road Construction në Rozhaje në Mal të Zi, e cila është një kompani bijë e kompanisë Novi Pazar – Put, shkruan Danas.

Mbi të gjitha, një nga kompanitë e tyre, Dolly Bell, është pronare e hotelit luksoz Grey në Kopaonik, që do të thotë se tani është në pronësi ekskluzive të vëllezërve Veselinoviq.

Nëse merret parasysh suksesi afarist i kompanive të përmendura, siç tregojnë raportet financiare, lind pyetja – pse Milan Radoiçiq hoqi dorë nga një pjesë e madhe e “tortës” vetëm pak ditë pas sulmeve në Banjskë?

Sipas avokatit Slavko Jelovac, transferimi i aksioneve me shumë gjasa është bërë me qëllim që Radoiçiq të shmangë përgjegjësinë financiare nëse do të përgjigjet.

“Milan Radoiçiq e fsheh pasurinë e tij në rast se shpallet fajtor dhe se ai është përgjegjës për diçka me pasurinë e tij. Është e vështirë të flitet për rastin pa një pasqyrë të plotë të dokumenteve, dhe këtu askush nuk e di se çfarë është procedurë zyrtare dhe çfarë manipulim. Gjithashtu, deri në ditën e transferimit duhej të përmbusheshin të gjitha detyrimet tatimore dhe duke qenë se bëhet fjalë për një kompani kaq të madhe, shuma me siguri është e madhe. Mirëpo, mbetet pyetja se çfarë raportohet dhe çfarë jo, pra çfarë është e tatueshme dhe çfarë jo”, sqaron avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat