Gorica është yll i Twitterit, Igori është oligark nga hija dhe pasurohet në kurriz të qytetarëve: Fëmijët e Dodikut shpenzojnë qindra mijëra euro në kurriz të “patriotizmit”

Lajme

Gorica është yll i Twitterit, Igori është oligark nga hija dhe pasurohet në kurriz të qytetarëve: Fëmijët e Dodikut shpenzojnë qindra mijëra euro në kurriz të “patriotizmit”

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 20:32
Milorad Dodik, dhe fëmijët e tij – Gorica dhe Igor Dodik

Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara kohët e fundit vendosi sanksione të reja ndaj Presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe fëmijët e tij – Gorica dhe Igor Dodik – tani janë në listën e të sanksionuarve. Edhe pse janë të rinj në listën e sanksioneve, trashëgimtarët e Dodikut janë të njohur edhe për publikun e rajonit, vitet e mëparshme u fol shumë për punët, kompanitë dhe lidhjet e tyre me median.

Siç thuhet në shpjegimin e ministrisë amerikane, sanksionet janë vendosur ndaj “liderit nacionalist pro-rus të serbëve të Bosnjës”, si dhe ndaj individëve dhe subjekteve të tjera të lidhura me të. Sipas faqes së internetit, fëmijët e Presidentit të Republikës Serbe – Igor dhe Gorica Dodik – janë gjithashtu në listën e ministrisë që nga 20 tetori.

Nën sanksione janë edhe restoranti “Agape” në pronësi të Goricës dhe Ivana Dodik, kompania “Agrovoçe” e cila është e lidhur me Goricën, si dhe kompania “Fruit Eco” e cila është e lidhur me Igor Dodikun, si dhe kompania “Global Liberty” që lidhet me Igorin dhe Goricën.

“Igor dhe Gorica Dodik janë një pjesë kyçe e rrjetit mbështetës të Dodikut dhe mundësojnë korrupsionin e tij. Ata morën fondet publike të Republikës Serbe dhe qytetarëve për pasurimin e tyre”, njoftoi Ambasada e SHBA në Sarajevë pasi u njoftua se ata ishin vendosur në “listën e zezë” të SHBA.

Shtohet se ata gjithashtu mbështetën “politikat, veprimet dhe retorikën destabilizuese, të cilat sfidojnë dhe minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multi-etnik të Bosnje dhe Hercegovinës, duke përfshirë sulmet ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës”.

Reagimi i stuhishëm i Gorica Dodikut

Pas vendosjes së sanksioneve, Gorica Dodik është deklaruar në rrjetin social “X”, ku më parë ka zhvilluar diskutime të shumta.

“Faleminderit shumë, nuk ka privilegj më të madh këto ditë sesa të jesh në listën e zezë. Kjo është dëshmi se ne nuk jemi agresorë dhe kriminelë si ju. Duart tuaja janë të gjakosura deri në bërryla, kushdo që të mbështet është bashkëpunëtor në krimet e tua monstruoze nëpër botë”, ka shkruar ajo.

Vëllai i saj Igor nuk ka folur ende për vendimin e SHBA për të vendosur sanksione ndaj tij.

Miliona në llogari

Historia e bizneseve të fëmijëve të Milorad Dodikut, Igorit dhe Goricës dhe bizneset e tyre miliona dollarëshe, me ndihmën e kredive dhe mbështetjes prindërore, nisi në vitin 2009.

Banka e Investimeve dhe Zhvillimit të Republika Serbe i dha një kredi kompanisë “Fruit Eco”, dhe bashkëpronar i kompanisë është djali i Dodikut, Igori. Në atë kohë, Dodik, si kryeministër i njësisë, ishte edhe kryetar i komitetit të kredive të bankës.

“Fruit Eco” vazhdon të japë kredi me sukses dhe sipas portalit “Capital.ba”, në vitin 2020 ka pasur të ardhura prej gati 820 mijë euro dhe fitim prej 250 mijë eurosh.

As vajza Gorica, me restorantet e saj “Agape” nuk po shkon keq. Sipas të dhënave zyrtare të transmetuara nga BN, në vitin 2021 ka pasur të ardhura 1.4 milionë euro dhe fitim 80 500 euro.

Bashkëshorti i Goricës, Pavle Çorović zotëron disa kompani si “Agro Destil”, “KBV Datacom”, dhe “Red Box Media”, në të cilën është bashkëpronar me Renato Radishiqin, djalin e kumbarit të Dodikut, Mile Radishiq.

Në vitin 2020, ata gjeneruan gjithsej rreth 920,000 euro dhe raportuan një fitim prej rreth 70,000 euro, që është në nivelin e vitit para pandemisë.

Gorica Dodik shpesh reklamon në “X” dhe komenton ngjarjet në BeH dhe Republikwn Serbe, por edhe në Serbi. Më së shumti mbron të atin, duke mos hezituar të përdorë fjalë të rënda.

Kështu ajo pati një diskutim të ashpër  pasi Nebojsha Krstiq shkroi se Dodik është “një projekt rus që e pengon Serbinë të forcojë dhe mbrojë interesat e saj”.

“Ju nuk jeni të denjë të përmendni Republikën Serbe, emrin e plotë të së cilës nuk guxoni as ta shkruani sepse do të jetë në veshët tuaj, po të pyesni veten nuk do të ishim as ne e as Kosova”, ka shkruar Gorica.

Para kësaj ka shpërthyer një konflikt i madh mes saj dhe kryeredaktorit të tabloidit “Informer” Dragan Vuçiqeviq për pasqyrimin e protestave në Beograd dhe në qendër të konfliktit ka qenë televizioni Una, i cili lidhet me Dodikun. Gazeta “Informer” ka publikuar një artikull me titull – “Protesta qytetare në Beograd! ‘Surprizë’! UNA TV i Dodikut transmeton drejtpërdrejt protestën kundër autoriteteve serbe”.

Vajza e Dodikut më pas i tha Vuçiçeviqit se “duhet të ketë turp”.

Marrëdhëniet me Mediat

Në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjeruan sanksionet ndaj Dodikut, por edhe Alternative TV nga Banja Lluka për shkak të lidhjes me të dhe aktiviteteve korruptive. Televizioni, i cili është në “listën e zezë” të SHBA-ve, më parë ka qenë i lidhur me djalin e Dodikut, Igorin, i cili ka mohuar me vendosmëri çdo lidhje financiare apo tjetër me Alternativën.

Në vitin 2019, Televizioni Alternativ bleu “Radio Igokea”, e cila ishte në pronësi të Gorica Dodik, vajzës së Milorad Dodik dhe Klubit të Basketbollit Igokea. Kjo radio, e cila më parë u quajt Agape, në të ardhmen do të funksionojë si radio A.

Drahmi Miskin e mori postin e drejtorit nga Ivana Dodik – gruaja e djalit të Dodikut, Igorit.

Sipas mediave lokale, ATV ka marrë një sërë kontratash nga shteti, duke përfshirë edhe punë publike me vlerë mbi 200 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat