“Vuçiq ka përjetuar një tronditje në seancën e Këshillit të Sigurimit” – mediumi kroat tregon pse!

Lajme

“Vuçiq ka përjetuar një tronditje në seancën e Këshillit të Sigurimit” – mediumi kroat tregon pse!

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 20:14
Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përjetuar një tronditje në seancën e Këshillit të Sigurimit kushtuar marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Përkatësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan ekstradimin e të gjithë të dyshuarve për terrorizëm në aferën Banjska, përkatësisht në konfliktin mes grupeve paramilitare serbe dhe forcave policore të Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, që është një goditje për Vuçiqin, shkruan mediumi kroat Jutarnji List.

Mediumi kroat kujton se atë ditë pati një konfrontim “mes policisë së Kosovës dhe terroristëve”, ku mbetën të vrarë një polic dhe katër sulmues, si dhe një nga politikanët kryesorë serbë nga Kosova, nënkryetari i partisë serbe të Kosovës, Listës Serbe dhe një bashkëpunëtori i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit, Milan Radoiçiq, ka pranuar përfshirjen e tij në organizimin e sulmit.

“SHBA e dënon sulmin. Ishte një akt që rrezikoi jetën e qytetarëve të Kosovës. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë të bazuar në ligj”, citohet mediumi kroat, zëvendës-përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në OKB, Robert Wood në Këshillin e Sigurimit.

Andaj, vlerëson mediumi kroat, ky është një kërcënim shumë serioz dhe një tregues se SHBA-të nuk e konsiderojnë incidentin në Manastirin e Banjskës vetëm si akt terrorist, por se përgjegjëse për të është Serbia, e cila, për ta thënë më butë, e ka vënë Vuçiqin në një situatë të sikletshme.

“Vuçiq padyshim se ka gjithnjë e më pak hapësirë për manovrim dhe Brukseli dalëngadalë po e humb durimin me lëvizjet e tij dhe opozita ka nuhatur shansin e saj”, shkruan Jutarnji list.

Një qëndrim edhe më i rreptë?

Përveç kësaj, autori i rezolutës së miratuar së fundmi për konfliktin në Banjskë, deputeti kroat Tonino Picula, në një intervistë për portalin nova.rs tha: “Nëse Milan Radoiçiq nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë marrëdhëniet tashmë të vështira mes Serbisë dhe Kosovës”.

“Përveç kësaj, reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë”, ka thënë Picula për nova.rs.

Brukseli fton Beogradin të bashkëpunojë në hetimin e Banjskës dhe Picula thotë se “Serbisë nuk i interesojnë këto apele”, gjë që mbështetet nga fakti se nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, edhe pse kishte presion shumë më të fortë nga BE-ja në këtë lidhje.

“… Kur ky incident doli në agjendën e Parlamentit Evropian, më shumë se 90 për qind e deputetëve e dënuan incidentin”, theksoi Picula.

Tonino Picula thotë se “është e rëndësishme të theksohet se Parlamenti Evropian tashmë disa herë ka shprehur shqetësim të thellë për situatën në Kosovë dhe lëvizjet e autoriteteve serbe, veçanërisht për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë dhe Kinën”.

Sipas Picula, “ky paraqet një faktor shtesë që merret parasysh kur dihet familjariteti dhe përfshirja e mundshme e liderëve serbë në këtë ngjarje”.

Përmenden edhe sanksionet

Për këtë arsye, Parlamenti Evropian kërkoi disa mjete juridike kundër Serbisë, madje deri në pezullimin e negociatave me BE-në, të cilat prej vitesh janë në ngërç.

Por edhe opozita në Serbi dëshiron të përfitojë nga Banjska.

Kështu, kryetari i partisë Qendra e Serbisë, Zdravko Ponosh, i tha N1 se Aleksandar Vuçiq duhet “të mbajë përgjegjësi politike për Banjskën sepse është shkaktuar dëm i padyshimtë”.

Ndërkohë, Jutarnji List thekson faktin se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, sidomos pas pranimit të tij.

Pas incidentit, Radoiçiq iku në Serbi, ku u ndalua dhe u mor në pyetje në gjykatën e Beogradit, por u lirua pas 24 orësh me detyrimin që të mos largohej nga Serbia.

Sa i përket presidentes Osmani, mediumi kroat thekson deklaratën e saj ku thotë se Serbia “dëshironte aneksimin e veriut të Kosovës në stilin e Krimesë”, ndërsa Beogradin e akuzoi se “grupet paramilitare ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ marrin mbështetje financiare nga Serbia dhe janë trajnuar në terrene në Serbi”.

Në pjesën e fundit të shkrimit thuhet se Aleksandar Vuçiq po mundohet të dalë nga kjo situatë e pakëndshme, ndaj ka shpallur zgjedhje të posaçme për fund të këtij viti, dhe kjo situatë rreth Banjskës ka qenë shkas për këtë lëvizje.

“Vuçiq tashmë i ka dhënë një urdhër partisë së tij (duhet pranuar, ai nuk është më lider i saj) dhe partnerëve të tjerë, si SPS-ja e Ivica Daçiqit dhe disa parti më të vogla pro regjimit, që duhet të arrihet një shumicë absolute parlamentare në mënyrë që Vuçiq të kontrollojë Serbinë dhe kanë mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës pa hasur në probleme me opozitën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat