Mali i Zi refuzon ta ekstradojë një të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Lajme

Mali i Zi refuzon ta ekstradojë një të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:20
Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Marko Kovaç.

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Marko Kovaç, ka refuzuar ta ekstradojë në Kosovë shtetasin serb Momçillo Vukotiq, 61 vjeç, i dyshuar për krime lufte në territorin e Pejës në vitin 1999, konfirmoi Ministria malazeze për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, kushtet ligjore për ekstradim janë plotësuar, por ministri Kovaç e refuzoi ekstradimin e tij, pasi mendon se është shkelur Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime i ka bërë Vukotiqi, të cilat janë pjesë e veprave penale, por thuhet se pas 24 vjetësh, gjoja është paraqitur një dëshmitar i cili e ka njohur atë nga fotografia e tij në një album”, tha Ministria.

Vukotiq u arrestua më 25 shtator dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit ekstradues.

Ai kërkohej nga Interpoli përmes UNMIK-ut, Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.

Kosova nuk ka lidhje direkte me Interpolin, por komunikon me të përmes UNMIK-ut.

Pas arrestimit të tij, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb të shpërbërë së fundmi, Milan Knezheviq, i bëri thirrje qeverisë teknike të Dritan Abazoviqit që të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova.

"Kjo do ta destabilizojë më shumë situatën tashmë të keqe politike në Mal të Zi," tha Knezheviq.

Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve dhe malazezëve të shpërngulur që ndodhen në Mal të Zi ta kontaktojnë partinë e tij, në mënyrë që t'u ofrohet çdo lloj ndihme dhe mbrojtje.

Knezheviq tha se në bazë të kërkesës së Prishtinës, dy serbë të zhvendosur në Mal të Zi - Zhivko Vuksanoviq dhe Momçillo Bulatoviq - u arrestuan për krime të dyshuara lufte pas dy dekadash e gjysmë.

Ai i vlerësoi arrestimet e këtyre personave si “terror ndaj popullit serb që po tenton të përhapet në Mal të Zi”.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat