Bakoyannis në MPJD, njoftohet nga Ahmeti për përgatitjet e Kosovës për KiE

Lajme

Bakoyannis në MPJD, njoftohet nga Ahmeti për përgatitjet e Kosovës për KiE

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 14:09
Foto nga vendngjarja

Raportuesja për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis po qëndron në Kosovë, në një vizitë fakt-mbledhëse në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo sot u prit nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, i cili e njoftoi atë me përparimet e Kosovës në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundim të ligjit.

Këto çështje, siç ka thnë Ahmeti, janë shtyllat bazë të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës.

Ai theksoi faktin që në vitet e fundit Kosova ka shënuar progres të dukshëm në të drejtat politike dhe civile të qytetarëve të saj e po ashtu në reformat e sistemit të drejtësisë, në koordinim të ngushtë më Komisionin e Venedikut.

“Këto zhvillime kanë bërë që organizatat e pavarura ndërkombëtare të rendisin Republikën e Kosovës si vendin më demokratik në rajon dhe të parin për reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit”, deklaroi Ahmeti.

Gjithashtu, në takim u diskutua mbi kornizën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës, e cila është shembull për sa i përket të drejtave të komuniteteve pakicë.

Ahmeti po ashtu e njoftoi raportuesen Bakoyannis mbi themelimin e Grupit Ndërinstitucional për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbi punën e deritanishme në analizimin dhe përpjekjet për adresimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Këshillit të Evropës drejtuar institucioneve të Kosovës.

Zëvendësministri Ahmeti falënderoi raportuesen Bakoyannis për vizitën e saj dhe u shpreh i kënaqur me ritmin e progresit të procesit të anëtarësimit përbrenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporton MPJD.

Ai bëri thirrje që ky ritëm të vazhdojë, në mënyrë që Kosova t’i bashkohet sa më parë Këshillit të Evropës dhe që qytetarët e saj të përfitojnë nga mekanizmat e kësaj organizate, me theks të veçantë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat