Apeli merr vendim për Xhabir Zharkun

Lajme

Apeli merr vendim për Xhabir Zharkun

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 17:27
Xhabir Zharku

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në bazë të së cilit për shkak të parashkrimit është refuzuar aktakuza e Prokurorisë ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i cili akuzohej për korrupsion.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda, vërtetohet”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj aktvendimit të Themelores të marrë më 16 janar 2023, ankesë kishte parashtruar prokurori i çështjes Rasim Maloku, më 8 shkurt 2023.

Prokurori përmes ankesës i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që ta ndryshojë aktgjykimin e Themelores dhe të akuzuarin ta shpall fajtor për veprat që i viheshi në barrë ose ta anulojë aktgjykimin dhe çështjen ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje.

Kurse, përgjigje në ankesën e Prokurorisë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarit Zharku, avokatja Albana Kelmendi, me propozim që ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykim i ankimuar të vërtetohet.

Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës në këtë çështje, studimit të aktgjykimit të ankimuar konform dispozitës së nenit 394, par.1 të KPPRK-së dhe pas vlerësimit të pretendimeve të theksuara në ankesë, është vërtetuar se ankesa është e pabazuar.

Apeli ka vlerësuar se në këtë çështje penale edhe gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga ana e shkallës së parë dhe se faktet relevante dhe vendimtare nuk ka ngelur në nivel të dyshimit.

Po ashtu, thuhet se kolegji i Apelit arriti në përfundimin se gjykata e shkallës parë drejt ka vendosur me rastin e ricilësimit të veprave penale nga “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPPK-së, në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së si ligj më i favorshëm.

Pastaj, thuhet se në kuptim të nenit 106. par.1.3. të KPRK-së lidhur me nenin 107, par. 8 të KPRK-së, ka konstatuar se në këtë çështje penale ka kaluar më tepër se dyfishi i kohës për ndjekje penale, andaj ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Nga arsyet e sipërcekura dhe në bazë të nenit 401 të KPPK-së, është vendosur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 16 janar 2023 për shkak të parashkrimit, kishte refuzuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Zharku, pasi trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, kishte bërë ricilësimin e veprave penale sepse veprat në akuzë janë kryer në vitet 2008-2010 me Kodin e Përkohshëm. Andaj, trupi gjykues kishte vendosur me Kodin më të favorshëm bazuar në dispozitat e Kodit.

“Këto vepra pas ricilësimit me Kodin e favorshëm, kanë rezultuar se të njëjtat kanë arritur parashkrim absolut, sepse ka kaluar dyfishi i kohës se kryerjes se veprës penale”, kishte thënë gjyqtari Idrizi, në arsyetimin e vendimit.

Ndryshe, me aktakuzën e 7 tetorit 2020, Xhabir Zharku, akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kaçanikut, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat