Ministria e pezulloi Nexhat Krasniqin në ditën kur e sanksionoi Amerika, çfarë thuhet në vendim

Lajme

Ministria e pezulloi Nexhat Krasniqin në ditën kur e sanksionoi Amerika, çfarë thuhet në vendim

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 15:36
Nexhat Krasniqi

Ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sanksionuan Shefin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin, kjo ministri e ka pezulluar nga kjo pozitë të njëjtin.

Media e ka siguruar vendimin, ku si arsyetim për pezullimin e Krasniqit jepen sanksionet që janë vendosur ndaj tij nga Departamenti amerikan i Shtetit. Pezullimi thuhet se do të jetë në fuqi deri në marrjen e vendimit përfundimtar sipas legjislacionit në fuqi.

“Vendimi për pezullim i z.Nexhat Krasniqi, ka ardhur si rrjedhojë e sanksioneve të vendosura ndaj tij nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke pasur parasysh marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vendos sin ë dispozitiv të këtij Vendimi. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në marrjen e vendimit përfundimtar sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

Vendimi është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm në MMPH, Izedin Bytyqi.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni.

Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar. Ky emërtim ripohon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, thuhet në njoftimin e DASH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat