OJQ AKTIV: Komuniteti serb në Kosovë po përballet me një nga krizat më të mëdha të sigurisë në vitet e fundit

Lajme

OJQ AKTIV: Komuniteti serb në Kosovë po përballet me një nga krizat më të mëdha të sigurisë në vitet e fundit

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 18:18
Foto ilustrim

Organizata joqeveritare AKTIV, me seli në veri të Mitrovicës, publikoi të mërkurën një raport sipas të cilit komuniteti serb në Kosovë po përballet me një nga krizat më të mëdha të sigurisë në dhjetë vitet e fundit.

Raporti thekson se dorëheqja e punonjësve serbë nga institucionet në fund të vitit 2022 dhe rritja pranisë së njësive të posaçme të policisë së Kosovës në veri, kanë cenuar ndjenjën personale të sigurisë së pjesëtarëve të komunitetit serb.

“77 për qind e pjesëtarëve të komunitetit serb ndjejnë trysni dhe frikë nga pjesëtarët e njësisë së posaçme të policisë. Pra vijmë te treguesi kryesor që tregon se serbët në përgjithësi nuk kanë besim te agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sidomos në dritën e vendosjes së njësive të posaçme policore në veri të Kosovës, që nuk u shoqërua me komunikim të qartë apo ndonjë masë tjetër në drejtim të vendosjes së dialogut dhe kontaktit me popullatën lokale”, tha Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV.

Sipas organizatës, në tre vitet e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve të kërcënimit për sigurinë personale dhe pronësore në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Incidentet më të shpeshta sipas raportit janë vjedhjet apo grabitjet, sulmet fizike dhe shkaktimi i dëmeve materiale.

Në raport thuhet se në gjysmën e parë të vitit 2023 ka rënë numri i veprave penale të raportuara në stacionet policore në veri, duke e vlerësuar këtë si tregues të rënies së besimit të serbëve në policinë e Kosovës.

Lulzim Peci nga Instituti për Hartimin e Politikave KIPRED, tha se institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për ta ndërtuar besimin me komunitetet joshumicë. Megjithatë, theksoi ai, situata në veri të Kosovës kërkon zgjidhje politike.

“Sepse pa zgjidhje politike, vetëm me masa të sigurisë asgjë nuk mund të zgjidhet. Unë shpresoj që do të arrijmë te zgjidhja politike si për depërshkallëzim të situatës, mbajtjes së zgjedhjeve, gjithashtu edhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por edhe një gjë duhet ta kemi parasysh, unë mendoj që në situatën e sigurisë kur ushtria serbe vjen në kufi me Kosovë, normalisht që është e pritshme që edhe njësitë e posaçme të rrisin prezencën në atë pjesë të vendit”, tha zoti Peci.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje politike duke nxitur palët të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, të arritur më herët gjatë këtij viti. Raporti thekson se përkundër përpjekjeve të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare ende nuk është bërë ndonjë përparim domethënës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat