Serbia ende në heshtje për shpalljen e Radoçiqit në kërkim nga INTERPOL-i

Lajme

Serbia ende në heshtje për shpalljen e Radoçiqit në kërkim nga INTERPOL-i

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 22:59
Milan Radoiçiq

Pas lëshimit të urdhrit nga INTERPOL-i, ku Milan Radoiçiq është shpallur në kërkim në bazë të akuzës për kryerje të veprave penale terroriste në Kosovë, ende nuk ka përgjigje nga institucionet e Serbisë.

Politikanë dhe avokatë në Serbi vlerësojnë se cilido vendim i Beogradit lidhur me Radoiçiqin do të jetë politik.

 “Unë mendoj se përgjigjja pozitive apo negative e Vuçiqit do të varet se çfarë i sjell më shumë dëme politike. Një provë se sa presion të jashtëm ka mbi Vuçiqin, mund të jetë se si MPB-ja dhe prokuroria do të veprojnë në bazë të urdhrit të INTERPOL-it dhe në cilin moment. Nëse ai arrestohet tani, do të thotë se presioni është i madh. Nëse e vonon, mund të konkludojmë se presioni nuk është aq serioz”, tha për RTK avokati serb Aleksandar Olenik.

Pasi mori përgjegjësinë për Banjskën, Radoiçiq në Serbi u akuzua për disa krime të rënda, por jo për atë sulm. Ai u urdhërua të mos largohet nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se Radoiçiq do të përballet me procedura serioze në Serbi, mirëpo detaje të tjera nuk ka.

Një pjesë e opozitës thotë se u krijua një situatë shumë e pakëndshme për Serbinë.

“Për shkak të politikave të Vuçiqit prapë janë kthyer kërcënimet mbi Serbinë. Vuçiq duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse INTERPOL-i kërkon Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë dhe të thotë se çfarë ndodhi në Banjskë. Por pritjet e mia janë të kota, sepse kemi të bëjmë me një regjim që është i njëjti që gjatë viteve të nëntëdhjeta e rëndoi Serbinë me hipotekat e politikave katastrofale dhe shkatërruese”, tha Srgjan Milivojeviq, deputet nga Partia Demokratike në Serbi.

Një pjesë e opinionit në Beograd pyet nëse në Evropë heshtja e Serbisë do të interpretohet si fshehje e veprave kriminale dhe se a mund të flitet për një shtet ligjor në rast të mosrespektimit të vendimeve të Interpol-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat