Gjeloshaj: S’ka ndryshim të qëndrimit – emërimi i ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë është në procedurë

Lajme

Gjeloshaj: S’ka ndryshim të qëndrimit – emërimi i ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë është në procedurë

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 22:12
Nik Gjeloshaj

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka thënë se roli i Andrija Mandiq, përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse si kryeparlamentar dhe përfshirja gjatë këtij viti në kabinetit qeveritar të përfaqësuesve të tjerë të këtyre forcave, nuk do të ndryshojnë orientimin euroatlantik të Malit të Zi.

Ai për Zërin e Amerikës ka folur edhe për pjesën e shumë përfolur, mundësisë së tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast ai ka treguar se Podgorica zyrtare është në procedurë që ta emërojë ambasadorin në Prishtinë.

“Po. Ne i kemi ditur qëndrimet e tij [Andrija Mandiq] të kaluara dhe për këtë kemi bërë një marrëveshje koalicioni, e cila është nënshkruar nga këta përfaqësues politikë dhe parashikon respektimin e çështjeve të cilat për ne janë shumë të rëndësishme. Mes tyre janë edhe ato që përmendët ju. Qeveria e Malit të Zi në 100 ditëshin e parë i ka vazhduar sanksionet ndaj Rusisë. Pra, nuk ka patur ndryshim të kursit politik. Qeveria është në procedurë të emërimit të ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë. Pra, nuk ka ndryshim as për këtë çështje”, ka thënë Gjeloshaj.

“Mendojmë se për aq kohë sa do të respektohet marrëveshja e koalicionit, qeveria do të jetë e përqendruar krejtësisht në zbatimin e asaj që është përfshirë në atë. Kjo përfshin çështjet si integrimet euroatlantike, përkrahja e Ukrainës dhe vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Pra, do të ketë një përputhje të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe atë të partnerëve tanë të NATO-s në çdo aspekt. Mendoj se qeveria do të vazhdojë të respektojë këto çështje dhe ashtu si deri tani edhe në të ardhmen qëndrimet e kaluara të dikujt nuk do të ndryshojnë këtë politikë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat