Detaje: Serbia shpërblei kompanitë e Radoiçiqit dy ditë pas Banjskës

Lajme

Detaje: Serbia shpërblei kompanitë e Radoiçiqit dy ditë pas Banjskës

Më: 14 mars 2024 Në ora: 10:29
Milan Radoiçiq

Gazeta serbe “Radar Nova” ka publikuar një artikull të gjatë në lidhje me Milan Radojiçiqin, i cili kërkohet ndërkombëtarisht nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë. Sipas shkrimit, kompanitë e Radojiçiqit dhe Zvonko e Zheljko Veselinoviqit po vazhdojnë të punojnë. Madje, ata kanë fituar disa tenderë pak ditë pas sulmit në Banjskë.

Shteti i Serbisë, sipas mediumit, ka paguar 8.5 milionë euro kompanisë “Rad 028”, në pronësi të Radojiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, për “blerje të paspecifikuara”. Kompania tjetër me emrin “Inkop” e fitoi tenderin për të ndërtur urën afër Kralevës.

“Vetëm dy ditë pas konfliktit të armatosur në Banjskë, më 26 shtator 2023, kompania Rad 028 nga Zveçani, e cila për shkak të dyshimeve se kontrollohej nga Radoiçiqi ishte në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, fitoi dy tenderë të lëshuar nga Komuna e Zveçanit (komuna paralele v.j.). Puna e parë ishte kontraktuar për 358.3 milionë dinarë, ndërsa e dyta për 142 milionë dinarë. Dhe dy ditë më vonë, më 28 shtator, Rad 028 është shpallur fitues i dy tenderëve të tjerë dhe mbi atë bazë ka lidhur edhe dy marrëveshje, në vlerë prej 500.37 milionë dinarë. Të katër tenderët janë shpallur si pjesë e Programit për shpërndarjen dhe përdorimin e stimujve për zhvillimin ekonomik për vitin 2023, për “prokurimin e prodhimit dhe pajisjeve të tjera, makinerive, pjesëve dhe veglave dhe makinerive e punimeve të ndërtimit”, si dhe afati i fundit për pagesën e këtyre parave nga buxheti i qeverisë në Serbi ishte për 30 ditë.” – shkruhet në artikullin e gazetarit Milan Radonjic.

Në artikull theksohet se kompania “Rad 028”, që vjen nga Zveçani dhe është e sanksionuar nga ShBA-ja, ka fituar më shumë se 100 tendere në dhjetë vitet e fundit.

Kujtojmë që Radojiçiqi, pas sulmit të armatosur në Bajnskë, ka dhënë dorëheqje nga kompanitë e tij.

Kush është Milan Radojiçiq?

Radojiçiq që është sanksionuar nga Amerika, dyshohet për frikësim dhe ndikim te dëshmitarët për rastin e ndërtimeve në Brezovicë.

Ndërsa pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Radojiçiqi është i kërkuar përmes Interpolit nga ana e Kosovës.

Një nga grupet kriminale të rrezikshme gjithashtu në Mitrovicën e Veriut, ishte ai me emrin “Mjekrroshat” apo në serbisht “Bradonja”. Edhe ky grup, udhëhiqej nga i sanksionuari nga Amerika, Milan Radojiçiq.

Ky grup përkujdesej për tensionimin e situatës në veriun e vendit, dhe merrej me aktivitete të ndryshme kriminale. Këtë e kishte konfirmuar edhe ish-prokurori Sylë Hoxha.

Në këtë grup ishte i përfshirë edhe Zvonko Veselinoviq.

Rasti më tipik për fuqinë e këtyre grupeve kriminale është vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Procesi për këtë rast po shkon tepër ngadalë, pasi dëshmitarë e kanë konfirmuar zyrtarisht se ndihën të frikësuar nga grupet e caktuara që veprojnë në Veriun e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat