Karrocieri

Libra

Karrocieri

Nga: Atdhe Geci Më: 12 shtator 2019 Në ora: 18:18
Foto

Poemë, për njëshekulloren pavarësi

O tokë e lavdisë së madhe
O atdhéu im i gjithmonshëm
Kënga për lirinë s´u mplaka
Kënga për lirinë s´ u shuaka

Shqipëri e pellazgëve, ilirëve
Shqipëri e të gjitha kohërave
Në këtë ditë të 100 vjetorit
Shqipëri, lavdi dita e flamurit

Yhaa, përtej dhe më përtej
Yhaa, përpjetë e më përpjetë
Me këtë karrocë të 1912-ës
Unë kam 100 vjet që udhëtoj

Zgjohu Ismail Qemali, zgjohu
Zgjohu o Metush Krasniqi
Do t´ju zgjojmë nga varret
për festën e madhe të lirisë!..

2
-------------------------------------------

Fryj frymë e egër e kohërave
karrocieri qerren s´e ndalon
ti që zemrën mua ma lexon
e kam një këngë për harresën

Shqipëri e Gjergj Kastriotit
Shqipëri e Ismail Qemalit
Shqipëri e Adem Jasharit
Një urim ke nga Kumanova

Nënë Shqipëri! Nëna e jonë
Rilindëm sërish, u përtrimë
Me nënë-tokën unë bisedova
Pse kënga jonë ka kaq himn

Me këtë karrocë të historisë
Kam një shekull që udhëtoj
Yhaaa përtej dhe më përtej
Yhaaa përpjetë e më përpjetë

3
---------------------------------------

Shqipëri e prushit dhe flakës
Shqipëri e fushave me bukë
tri janë varret tona të mëdha
që në gjumë më trokasin

Në këtë tokë me Shqipëri
Kosovë, iliriadë dhe Çamëri
kam një gëzim prej qytetari
dhe perjetësi prej shqiponje

Shqipëri e 15 mijë vjetëve
Shqipëri e më të lashtëve
ke një urim nga Manastiri
nga Presheva, Molla e kuqe

Kjo botë e jona me Shqipëri
rrënjët i ka shumë të thella
dhjetë mijë vjet në Pellazgji
dhe pesë mijë vjet në Iliri

4
---------------------------------------

Në këtë festë të shqiptarëve
kjo ditë na gjen të bashkuar
midis dy shtete shqiptare
dhe me pavarësi të njohura

Lufta e fshehur e Trojës
një ditë do të dalë nga varri
Këtë ma thotë mendja ime
dhe 30-të universitetet tona

Shqipëri e Gjergj Kastriotit
Shqipëri e Abdyl Frashërit
Shqipëri e tërë shqiptarëve
Né, çdo ditë po zgjërohemi

Me këtë karrocë të 1912-ës
i kam 100 vjet që udhëtoj
për të ardhë tek kjo ditë
për të ardhë tek kjo festë

5
--------------------------------------

Shqipëri e Gjergj Kastriotit
Shqipëri e Abdyl Frashërit
Shqipëri e Azem Galicës
Yha, përpjetë e më përpjetë

O mendja ime e munduar
mos ma kujto Katallanin
dhe zonjën e ti katallaneshën
që e gjakosën popullin tonë

Në këto pamje me Shqipëri
në këto pamje me Kosovë
kohën që e kam përpara
me këngë zemre po e mbajë

O Shqipëria ime e dashur
O toka ime e hyjnueshme
dua të jem më afër yjeve
aty ku e pi kafenë gjeniu

6
---------------------------------------

Shqip , Ilirisht, Pellazgjisht
janë këngët e gjuhës shqipe
këngët shqip të shkruara, një
e folur pellazgo - shqiptare

Nga qyteti i bukur i Tiranës
Unë i ftoj të tërë shqiptarët
të këndojmë himnin bashkë
dhe të kremtojmë sëbashku

Nën qiellin kuqezi t´atdheut
kudo gjethojnë gjelbërimet
pemë të netëve me hënë
dhe pemë të ditëve me diell

Në këtë orë të 100 vjetorit
Shqipëria feston Shqipërinë
mija vjet të kohës së drithit
mija vjet të kohës së bukës

7
----------------------------------------

Nënë Shqipëri, nëna e jonë
krejt brenda lirisë së krijuar
kam të sotmen e përditshme
dhe të ardhmen e pafund!..

Shqipëri, jam kërkues i lirisë
këtë ia kam thënë gomerëve
brenda Trojës ende ka tym
brenda Trojës ende ka tenda

Yhaa, përpjetë e më përpjetë
Yhaaa, përtej dhe më përtej
jam gjak i këtyre fushave
jam frymë e këtyre maleve

Në këto njëqind vjet Shqipëri
Në këto njëqind vjet Kosovë
Në çdo ditë të atdheut tonë
Lirisë ia shtojmë një ëndërr!..

 

 

 

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat