Akoma nuk dini ç’të blini në Panairin e Librit? 10 librat që lexohen me një frymë

Libra

Akoma nuk dini ç’të blini në Panairin e Librit? 10 librat që lexohen me një frymë

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 20:12
Ilustrim

Nëse doni të lexoni, por koha nuk ju premton, zgjidhja janë novelat e shkurtra. Me aftësinë të shtjellojnë në pak faqe një subjekt interesant, ato kanë (në doza të vogla) gjithçka i duhet një libri të mirë. 10 novelat që do t’ju pëlqejnë aq sa një roman shumëfaqësh:

“Ferma e Kafshëve” nga George Orwell. Alegoria e famshme e Orwell-it, tanimë klasike ndër distopitë e shekullit të XX, është kritikë e shkrimtarit anglez për sistemin Stalinist në Rusi. Napoleoni (lideri), Topi i Borës dhe Majori Plak nuk janë kafshë ferme dosido. Ato ëndërrojnë ta drejtojnë pa ndihmën e njerëzve fermën Manor, dhe ashtu bëjnë. Por shpejt gjërat marrin tatëpjetën...

“Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” nga Ismail Kadare. Pjesë e përmbledhjes me të njëjtin titull, e shkruar vitet e fundit, por e vendosur në prag-rënien e komunizmit, novela me titullin enigmatik, ndërthurr të shkuarën dhe të tashmen. Kjo nuk është një novelë thjesht për disa stoli të shndrritshme, më besoni! Është rrëfim për historinë, gjuhën, ringritjen e njeriut... dhe për brilantet vezulluese në dorën e një gruaje.

“Vdekje në Venecie” nga Thomas Mann. Gustav von Aschenbach është një shkrimtar në moshë, i cili beson se arti krijohet si “lëvizje e pandërprerë e shpirtit”. Udhëtimi në Venecie, argëtimi i vetëm që shkrimtari gjerman i lejon vetes në shumë kohë, shënon rënien e tij. Nëse ju pëlqen natyra e qetë dhe e shtruar e rrëfimit në nisje të novelës, prisni të lexoni fundin!

“Plaku dhe deti” nga Ernest Hemingway. Edhe nëse e keni lexuar më herët, rilexojni! Përfaqësuesi më i denjë i “Brezit të humbur”, “Papa”, ka krijuar një kryevepër të vogël, për një peshkatar dhe detin, dhe mbi të gjitha për kurajon e njeriut, që mund ta lexoni në vetëm një pasdite.

“I huaji” nga Alber Kamy. Novela që fillon me frazën “Mamaja vdiq sot”, dhe përfundon me ekzekutimin e personazhit kryesor për një vrasje absurde. Gjithçka në mes është fati i njeriut të përshtjelluar të shekullit XX. (Vetëm i shekullit të XX?!)

"Kronikë e një vdekje të paralajmëruar" nga Gabriel Garcia Marquez.Historia e zbulimit  të rrethanave që lidhen me vrasjen e paralajmëruar të djaloshit Santiago Nasar nga binjakët Pedro dhe Pablo Vicario. Megjithëse disi e ndryshme nga realizmi që jemi mësuar të lexojmë në prozën e Marquez-it, kjo novelë është njësoj magjike! Do të ndjeni në të dorën e tij: kthimet në kohë, subjektin jolinear dhe rrëfimin mjeshtëror.

“Qytetet e padukshme” nga Italo Calvino. Novelë për disa qytete të çuditshme, që lexohet ashtu si lexohen librat me poezi. “Edhe pse nuk quhet roman në kuptimin më të ngushtë të fjalës, është një hapsirë ku lexuesi duhet të hyjë, të vërtitet dhe të humbasë, por në një pikë të caktuar të gjejë një dalje...- shkruan Calvino në parathënie.

“Metamorfoza”... dhe gjithçka tjetër “kafkiane”. Pasi të lexoni historinë e tregtarit Gregor Zamsa, i cili një mëngjes zgjohet i shndërruar në kandërr gjigande, të shihni si  përshtatet me “lëkurën e re”, dhe si tretet ngadalë, do të kërkoni të lexoni më tepër nga Franz Kafka.

“Zonja Dalloway” nga Virginia Woolf. Në pak faqe përshkruhet një ditë nga jeta e Clarissa Dalloway-it, teksa përgatitet për një festë në shtëpinë e saj. Sjellja në përditshmëri, marrëdhënia me vajzën adoleshente Elizabeth, dhe bashkëshortin Peter, reflektojnë personalitetin e zonjës D.Teknika e “përroit të ndërgjegjes”, do t’ju lejojë të futeni në subkoshiencën e personazheve, për t’i njohur ata më mirë.

“Identiteti” nga Milan Kundera. Një çifti francez që humb intimen dhe magjinë e marrëdhënies. Zhanmarku e përfshin partneren e tij, Shantalin, në një lojë (apo ishte fantazi?) identitetesh e letrash anonime, pas ankesës së saj se “askush nuk e kthen më kokën për ta parë”. Kudo e shpjerë kjo ëndërr/zgjëndërr lidhjen e tyre?

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat