Vështrim rreth librit monografik "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" të bashkautorëve Mikel Gojani dhe Pal Canaj

Libra

Vështrim rreth librit monografik "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" të bashkautorëve Mikel Gojani dhe Pal Canaj

Nga: Lekë Mrijaj Më: 7 mars 2020 Në ora: 19:35
Kopertina e librit

Para se të flasim për librin monografikë, më duhet ta them lirshëm, se një monografi e këtij niveli të lartë, i kishte munguar Zllakuqanit të Lugut të Drinit-Klinës, i ka munguar lexuesit si dhe vet studiuesve e hulumtuesve të fushës historike, letrare e shkencore. Janë të dy bashkautorët Mikel Gojani dhe Pal Canaj të cilët njëzet e tre vjetë më parë apo me rastin e 100 vjetorit të hapjes së shkollës shqipe në Zllakuqan, me punën e tyre të zellshme krijuese shkencore nxorën në dritë librin monografik: "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" . Libri në fjalë është i shkruar në mënyrë tejet profesionale, duke u bazuar në thelb në metodat hulumtuese shkencore, historike e letrare, tamam me vlera të larta dokumentare e historike.
Është i konceptuar me parathënie koncize autoriale i ndarë në tre pjesë e i sistemuar shumë mirë dhe të cilët ngërthejnë në veti një punë dhe aktivitet të zhvilluar nga studiuesit në fjalë. Bashkautorët përmes një parathënie në hyrje të librit thanë veq tjerash se: Monografia "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" mëton ta paraqes në dritë të re rrugën historike të shkollës shqipe në Zllakuqan që do të thotë se në mesin e atyre pishtarëve të arsimit që vepruan në këtë shkolë dhe u flijuan për shkronjat shqipe janë, si At' Shtjefën Gjeçovi, At' Engjëll Palaj, At' Lorenc Mazreku, At' Luigj Palaj, At' Klement Miraj, At' Marjan Prela, Mirditori mësues Ndrecë Ndue Gjoka etj. Në fund të parathënies së këtij libri monografik, prof. Gojani e prof. Canaj e falënderojnë redaktorin e kësaj monografie dr. Don Lush Gjergjin, si dhe recensentët, mr. Abdyl Ramën dhe prof. Prend Buzhalën për mbështetjet gjithpërfshirëse rreth botimit të librit "Mësonjëtorja e Zllakuqanit".

Në pjesën e parë (faqe 17-26), të titulluar: "Një udhë e gjatë shkronjash". Për përpjekjet e hershme për hapjen e shkollave, bashkautorët Gojani dhe Canaj, bëjnë fjalë për përpjekjet e para të atdhetarëve shqiptarë për ruajtjen e identitetit të etnisë së tyre që ishte edhe angazhimi që ata bënë në përhapjen e dritës dhe të diturisë tek masat e gjera popullore, të cilat i kishte krijuar gjendja e errësirës dhe e paditurisë për shkak të pushtimit shumëshekullor nga ana e pushtuesve të ndryshëm mesjetar. Andaj me konkret po e themi se autorët edhe japin të dhëna faktike (bazuar edhe në referenca studimore të tjera edhe nga don Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren, Jashar Rexhepagiq, don Ndue Gjergji, dr. Ibrahim Rugova, prof.dr. Zef Mirdita, don Lush Sopi, prof. Kolë Krasniqi, Hysen Myzyri, Revista Drita, Ferizaj 1978, (La nazione albanese, organo unitario nazionale, Pellagoria, Sabile Keçmezi Basha, Mark Musolli, plak njëqind vjeç, Hajrullah Koliqi, Rrok Zojzi, Simon Kolaj, kujtim i cituar etj.) për shkollat e hershme shqipe të cilët thonë se ishin kryesisht klerikët katolikë shqiptarë (imz. Pal Engjëlli, dom Gjon Buzuku, Lekë Matrenga, imz. Andre Bogdani, imz. Pjetër Bogdani, imz. Gjon Nikollë Kazazi, At' Shtjefën Gjeçovi e shumë të tjerë) që kishin formësim intelektual dhe ishin të udhëhequr edhe nga parimet shumë fisnike që kishin për synim që, tek shqiptarët, të ruhet identiteti kombëtar dhe fetar tamam me kredon e palëkundur të tyre “për fe e atme” të cilët u mobilizuan duke hapur shkollat e para shqipe nga viti 1632 në Kurbin të Krujës, në vitin 1638 në fshatin Pdhanë afër lumit Mat ndërsa një vit me vonë më 1639, me kërkesën e banorëve të Blinishtit (Zadrime), françeskanët ngritën në këtë fshat një Kuvend dhe pranë tij një shkollë të mesme (gymnasium). Në këtë drejtim rol të rëndësishëm për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë luajti Kongregata e Propagandës Fide edhe Arqipeshkëvi imz. Andrea Bogdani, ku mori iniciativë për bëri hapjen e një shkolle shqipe në Janjevë, shkollë ku do të mësonin fëmijët shqiptarë nga imz. Pjetër Mazreku. Madje në këtë pjesë bashkautorët përmendin edhe rolin e Rilindasit Kombëtar, Naum Veqilharxhi i cili ishte ai i cili në mes viteve 1884-1885 e botoi librin fillestar shkollor “Evetar”. Ishte Konstatin Kristoforidhi i cili me 1886 e botoi në Stamboll një abetare të re në të dy dialektet: gegërisht dhe toskërisht, e cila u përhap me shumë sukses në Shqipëri nën mbështetjen e këtyre patriotëve: Konstandin Kristoforidhi, Hysen Ceka, Dervish Hima në Shqipërinë e Mesme; Murat Toptani e Refki Toptani në Tiranë; Seid Najdoni e Hamdi Ohri në Dibër e Ohër; Petro Nini Luarasi në Kolonjë; Papa Krsito Negovani në negovan; Bab Dud Karbonara në Berat; Musa Berberi e Kristo Karbonara në Vlorë, Sabri Preveza e rexhep Demi në Çamëri; Mati Logoreci në Kosovë etj., gjë qe u deshmua edhe me punën këmbëngulëse të Pandeli Sotirit dhe patriotëve shqiptarë, të cilët në Korçë, më 7 Mars të vitit 1887 hapën shkollën shqipe dhe në këtë mënyrë realizuan dëshirat e kahmotshme të rilindësve dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Ndërsa dhjetë vjetë me vonë pas Korçës, ishte At' Shtjefën Gjeçovi i cili me nismën e tij bëri hapjen e shkollave shqipe (Laç, Gomsiqe, Theth, Prekal, Zym...) si dhe e çeli Shkollën e Parë Shqipe në zonën e Rrafshit të Dukagjinit, pikërisht në fshatin Zllakuqan të Lugut të Drinit-Klinës

Në pjesën e dytë (faqe 31-92), të titulluar: "Rruga historike e shkollës shqipe në Zllakuqan" autorët e trajtojnë Zllakuqanin si një fshat piktoresk që shtrihet buzë Drinit të Bardhë, përmes të cilit kalon shiriti i rrugës së asfaltuar si arterie ndërlidhëse e qyteteve dhe vendbanimeve të shumta në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit ku banorët e kësaj treve për ta ruajtur identitetin nacional dhe shpirtëror, i rezistuan pushtuesit përmes formave të ndryshme. Pikërisht sipas të dhënave faktike duke filluar nga marsi vitit 1890, në afërsi të Zllakuqanit, në Pataqan (në truallin e Gjok Nrecaj) , banorët e kësaj ane, të prirë nga At' Dedë Pasi, organizuan një tubim madhështor në shenjë proteste ndaj synimeve të pushtuesit osman. Në këtë protestë ishin tubuar rreth 15000 vetë nga të gjitha trevat e Lugut të Drinit. Ky tubim ishte një manifestim i hapur protestues, qëllim i të cilit ishte ruajtja e identitetit shpirtëror dhe kombëtar ku në Çelën e Kishës , At' Gjeçovi hapi Shkollën e Parë Shqipe, Mësonjtore e cila hyn në kuadrin e vatrave të hershme të diturisë prej nga bëhej përpjekje që të davaritej nebuloza të populli ynë, e shkaktuar nga pushtuesi osman ku sherbenin dy figura të shquara të historisë fetare dhe kombëtare, siç ishin At' Engjëll Palaj dhe At' Lorenc Mazreku (i cili edhe për herë të parë në Lugun e Drinit solli topin e rrumbullakët të futbollit ashtu sipas të dhënave të paradhësve të mij.. shënimi im) ndaj edhe në shkollë përveç Zllakuqanit gravitonin edhe nxënësit nga Ranoci, Krusheva e Vogël, Budisalci, Krusheva e Madhe, Radulloci, Rudica, Leskoci, Koshi etj., duke vequar nxënësit si Pjetër Cula nga Leskoci, Llesh Gjon Lleshi nga Zllakuqani, Cub Përnoka nga Zllakuqani, Tunë Gjergji nga Krusheva e Vogël, Lask Përlaska etj. Pas shkuarjës së At' Gjeçovit rol të rëndësishēm luajti edhe At' Palaj i cili në vitin 1909, kishte formuar një çetë luftarake antiturke në fshatin Budisalc të Dukagjinit dhe kishte vënë nën komandën e Qelit të Lukës e të Zef Gjidodës, shkruante gazeta "Vardar" e Shkupit, e datës 18 janar 1909. Po e njëjta gazetë e datës 11 mars 1909 shkruante se "këtë njësit që kishte rreth 400 luftëtarë shqiptarë të besimit katolik At' Engjëlli e dorëzoi në Komandën Supreme të Isa Boletinit"(si pjesë e këtij njesiti luftetarësh morën pjesë edhe Prekë Mëhill Mrijaj e Llesh Gjon Mrijaj, shënimi im nga të dhënat e parardhësve të mi ). At' Luigj Palaj u vra në mënyrë mizore më 7 mars 1913 nga ana e ushtrisë malazeze. Pikërisht nga rrethi i Zllakuqanit, pikërisht nga fshati Krushevë e Madhe, në mbrojtje të identitetit fetar dhe kombëtar nga ana e soldateskes serbe u vranë katër burra të këtij fshati, si Binak Nrecaj, Pren Nrecaj, Ukë Nou dhe Mark Marniku... Pas vrasjës se At' Palaj , kontribut tjetër në kauzë e arsimim dhanë edhe At' Klement Miraj, At' David Pepa i cili punoi si mësues ilegal dhe legal mbante në dhomat e qelës së kishës ku banonte, të cilave u mungonte çdo gjë përveç idealit të lartë, dashurisë për atdheun e gjuhën shqipe. Për At' David Pepaj sipas autorëve të këtij libri flet edhe ish- nxënësi i tij Nikollë Mrijaj nga Pataqani, i cili veq tjerash thotë se figura e Atë David Pepës më kujtohet fort mirë dhe më mbetet e pashlyeshme përgjithmonë. Kjo figurë e ndritur na del përherë e tillë, si fetar i mirë, atdhetar dhe mësues i dalluar. Ai ishte jashtëzakonisht i thjeshtë, i dashur e i respektuar nga të gjithë. Ishte njeri me horizonte të gjera, kulturore, njohës i thellë i historisë kombëtare, i letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare, letërsisë evropiane dhe klasike. Lexonte jashtëzakonisht shumë, mirëpo nuk mbyllej në vetvete, apo në qelet e kishës. Përkundrazi jetonte me popullin dhe midis popullit, pranë halleve dhe vuajtjeve, po ashtu edhe gëzimeve të tyre. Bisedonte më fshatarët. mblidhte pranë tyre doket e zakonet, interesohej për ngjarjet e të së kaluarës, për vendet historike, për toponimet dhe antroponimet të këtyre anëve etj. Në vitin 1916 në vazhdimësi pas mbylljes përseri tashmë nga ana Austro Hungarisë u rihap shkolla shqipe në këtë trevë ku me anë të një dekreti si mësues u emërua, Nue Vorfi, ku shkollat shqipe në Kosovë deri në vitin 1944 në planprogram ishte Abetari i Madh (Shkodër 1914), i Mati Logorecit, mësues në Prizren e Shkodër dhe Abetaret e Ndre Mjedës, Aleksandër Xhuvanit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë. Ish nxënësit e mësuesit Nue Vorfit ishin: Prekë Gjergjit nga Radulloci i kujtohen disa nga nxënësit e shkollës së Zllakuqanit gjatë kësaj periudhe. Pra, sipas kujtesës së tij ai përmend këta emra të nxënësve që frekuentonin gjatë kësaj periudhe, si Zef Përnoka nga Zllakuqani, Pren Nue Lazri nga Zllakuqani, Zef Ukë Toma nga Pataqani, Nikollë Dedë Duhani nga Radulloci, Mark Laska nga Zllakuqani, Simon Kola nga Zllakuqani, Gjon Grabanica nga Shtupeli, Kolë Gegë Mirdita nga Ranoci, Llesh Mark Selmani nga Radulloci, Prekë Nrecë Gjergji nga Radulloci, Gegë Tunë Gjergji nga Krusheva e Vogël, Pashk Nue Duhani nga Radulloci, Nikollë Pren Mrija nga Pataqani, Llesh Gojani nga Radulloci etj. Vlen të potencohet se ashtu sikurse shkollat tjera shqipe njashtu edhe shkolla e Zllakuqanit gjatë kësaj periudhe ka pasur një përkrahje të madhe morale dhe materiale nga Bajram Curri, Hasan Prishtina, por edhe nga shumë patriotë të tjerë.

Në vazhdim të pjesës së dytë në librin "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" pikërisht nga viti 1945 pas luftës së dytë botërore edhe këjo mësonjëtore padrejtësisht mbyllet nga politikat e regjimit serbojugosllav gjë qe një vit me vonë edhe rinisë punën me plotë veshtirësi. Viti shkollor nisi në vitin 1946-1947 nga mësuesit: Qazim Azemi, Pëllumb Radovicka nga Korça, Kolë Vata nga Shkodra dhe Mefyt Begolli nga Peja, Kosovë Rexhë Bala e françeskani At' Tomë Xhaja (ish-famullitar në Kishën e Zllakuqanit i nacionalitetit Kroat nga Bosnja), Zef Cub Përnoka.

Nga viti 1950 siq potencojn bashkautorët kontribut në arsimin e Zllakuqanit dhanë: mësuesit Ali Boja, Brahim Shatri, Lekë Laska, Marije Nekaj, Lekë Përlaska, Gjergj Rrapi etj. Gjatë kësaj kohe në periudhë të caktuar drejtor shkolle ishin caktuar Brahim Shatri, Gjergj Rrapi dhe Lekë Përlaska. Mësuesja Veronike Nekaj etj.Në vitin shkollor 1961/62 në këtë kohë kur mësuesi Lekë Përlaska ishte drejtor shkolle. Në vitin shkollor 1962/63 drejtori i shkollës së Zllakuqanit u emërua Sadri Kelemdni, ndërsa Gjergj Skeli gjatë viteve 1964/65. Përkushtm të veçantë në procesin edukativo-arsimor nga fundvitet '60-ta e 70-ta u angazhuan mësuesit: Lekë Përlaska, Gjergj Zogu, Dodë Prenaj, Zenel Kelemendi, Mikel Veseli, Din MUlliqi, Prend Skeli, Zymer Neziri, Nexhat Sahatçiu, Rasim Muriqi, Lekë Skeli, Mustafë Shabanaj, Sejdi Berisha, Halil e Haxhere Selmani, Idriz Gjikolli, Rexhep Kelemndi, Selim Gashi, Mire Biblekaj, Zyrafete Kelmende, Veronika Skeli dhe Rexhep Berisha. Shkollën e Zllakuqanit gjatë viteve 1969, 1970 dhe 1971 drejtor shkolle ishte Dodë Prenaj. Ndërsa , më pastajk prej viti 1971-1977 malazezi M. Tomoviq. Pas tij për një kohë qëndron edhe Prend Skeli dhe Beqir Dragidella. Kontribut tjetër në arsim dhanë edhe Kolë Saliquni, Pren Preka, Kristë Përlaska, Ndue Shabanaj, Zef Palushi, Nikollë Gjeta, Pjetër Gojani, Haxhi Kelmendi, Osman Kelmendi, Sadri Ahmeti, Prend Cula, Gjopn Kurti, Lorenc Deda, Ismet Bajraktaeri, Gustin Berisha, Xhevat Kelmendi, Istref Gashi, Zef Thaqi, Simon Selmani, Zef Skeli, Lud Marku, Prend Marku, Serbeze Rugova, Haxhi Zeka, Anton Koni, Shaban Uka, Tush Nikolla, Zef Ndreca, Xhavit Thaqi, Agim Duraku, Pal Përlaska, Tomë Përlaska, Bore Gojani, Kolë Paloka, Abdyl Bejta. Marije Bekaj - Augustini nga Krusheva e Madhe, si dhe Pal Prek Përgjoka nga Pataqani, profesor i parë i Gjuhës angleze në këtë trevë. Gjatë viteve 1980-1990 në procesin edukativo-mësimore në shkollën e Zllakuqanit ishin të angazhuar edhe këta mësimdhënës: Zef Marku, Zef Prenaj, Gjergj Dedaj, Demë Malota, Mëhill Ademi, Dedë Tuna, Abdyl Bejta, Rrustem Morina, Sala Morina, Fatmir Geci, Skënder Dauti, Sali Lajqi, Mike Lleshi, Elizabetë Gjetaj, Mark Nikolla, Rexhep Rugova, Kristë Beka, Lush Kola, Zef Lleshi, Frrok Kola, Hane Heqimi, Mire Heqimi, Vere Heqimi, Pashke Heqimi, Vere Cula, Dritë Mrijaj, Vere Prenaj, Margaretë Thaqi, Pashke Jaku, Lekë Përlleshi, Ndue Përlleshi, Marjan Prenaj, gegë Përgjoka, Lekë Duhani, Marije Zymi, Goce Marku, Flore Gjergji etj. Nga viti shkollor 1997/98 në shkollën fillore të Zllakuqanit u angazhuan edhe këta mësimdhënës: Ndrecë Kolaj, drejtor, Anton Përlaska, sekretar, Simon Selmani, Zef Skeli, Jak Lleshi, Margaretë Thaqi, Elenë Përlaska, Prend Gjergji, Bete Heqimi, Nikoletë Përlaska, Gjon Përnoka, Ukë Thaqi, Prend B. Bala, Mirosh Zefi, Elenë Kuqi, Lush Përlaska (mësues të ciklit të ulët); Bardhec Përgjoka, Marije Selmani, Mikel Gojani, Ndrecë Përgjoka, Dedë Përlaska, Zef Gjergji, Tush Jaku, Lush Tuna, Prene Gjoka, Nikollë Deda, Marjan Përgjoka, Canë Zhuja, Mëhill Preka, Simon Gjergji, Frrok Toplana, Sadri Ahmeti, Mark selmani (arsimtarë të ciklit të lartë); Nikollë Gjergji (punëtor – jeshtër i shkollës) dhe Lush Sinomi, Lorenc Laska, Ndrecë Cana dhe mark Domi (punëtor ndihmës).

Në pjesën e tretë dhe të fundit (faqe 95-138), të titulluar: "Mësuesit që lanë gjurmë" autorët Gojani e Canaj, kanë përmbledhur biografitë e mësueve të tjerë kombëtar duke filluar nga ai qe e hapi Shkollën Shqipe, Eruditi shqiptar, françeskani, At' Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Engjëll Palaj (1870-1943), Atë Lorenc Mazreku (1872-1943), mësuesi, Nue Kolë Vorfi 1898-1959), mësuesi, Ndrecë Ndue Gjoka (191901946), Zef Cub Përnoka (1902-1963), Kosovë Rexhë Bala (1929-2005), Veronika Nekaj (1928-...), Lekë Përlaska (1931-1999), Prend Skeli (1931 - ), Rexhep M. Berisha (1938 - ), Zymer U. Neziri (1946 - ).

Kur e lexon monografinë "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" të bashkautorëve Mikel Gojani dhe Pal Canaj do të bindesh se librit i kanë kushtuar rëndësi maksimale, me të tre kapitujt e trajtuar edhe me ndarje simetrike, dhe se për realizimin e tij me përkushtim, autorët i kanë shfrytëzuar të gjitha dijet e veta, hulumtimet si dhe shumë referenca me studiues me përvojë shumëvjeçare, të cilët janë kompetent në këtë fushë si dhe gojëdhënat e tjera.

Në fund, me anë të këtij vështrimi të librit "Mësonjëtorja e Zllakuqanit" të bashkautorëve Mikel Gojani dhe Pal Canaj, më lejoni të i përgëzoj bashkautorët Mikel Gojani e Pal Canaj për botimin e monografisë (1997) që është një vepër e dobishme, interesante e komplekse si dhe të dy figurave karizmatike intelektuale i urojmë shëndet dhe suksese në botime të tjera të vlefshme në një të ardhme sa më të afërt.

Ps: Vështrimi i këtij libri bëhët në kuadër të 7 marsit, ditës së të gjithë mësuesve shqiptar e mësuesit të parë të Zllakuqanit At' Shtjefën Gjeçovit, i cili për herë të parë në këtë trevë e hapi këtë mësonjëtore, si dhe të dy bashkautorëve të këtij libri, intelektual e mësues, prof. Mikel Gojani dhe prof. Pal Canaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat