Dashuria-lajtmotiv i poezisë së poetes Lule Xhafa

Libra

Dashuria-lajtmotiv i poezisë së poetes Lule Xhafa

Nga: Zymer Mehani Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 07:10
Kopertina e librit

Poetja nga Mitrovica, Lule Xhafa në horizontet e letërsisë shqipe u fut me vëllimin poetik “Mall e dhimbje” (Prishtinë, 2020). Tani, kjo autore, lexuesve të shumtë po ua dhuron edhe përmbledhjen e dytë poetike “Drithërimë dashurie”.

Për dallim nga libri i parë, ku dominonin vargjet përkushtuese në pjesën dërmmuese, në përmbledhjen “Drithërimë dashurie”, siç po tregon edhe titulli i vëllimit, lajtmotiv është motivi i dashurisë.

Edhe në këtë libër të poetes Xhafa, siç na ka rënë në sy edhe në vëllimin e parë të saj, poezitë shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetes.

Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim te poezitë e autores Lule Xhafa, fakt ky që flet jo vetëm për talentin, por edhe për punën e ndërgjegjshme artistike të autores.

Vargjet e vëllimit “Drithërimë dashurie” të Lule Xhafës i karakterizon një melodicitet i ëmbël dhe i ngrohtë, siç është vetë dashura e dëlirë, prandaj poezia e saj e ka tërhequr një audiencë të gjerë lexuesish edhe për tematikën dhe motivikën që trajton, dashurinë me të gjitha nuancat e saj. Duke qenë e tillë, poetja Xhafa me vargjet e saj të bën ta ndjesh ëmbëlsinë, dhimbjen, por edhe dëshpërimin e ndjenjës së dashurisë, për të cilën ajo vargëzon, si një formë e çiltër dhe ndjenjë më fisnike e njeriut.

Porosia kryesore e vargjeve të poetes Lule Xhafa të vëllimit “Drithërimë dashurie” është besimi në vetvete, qoftë edhe në “betejën” e dashurisë, sepse për të dalur fitimtar, edhe në dashuri duhet “të luftosh” dhe të duash me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë mendjen tënde.

Pjesë të bukura të vëllimit “Drithërimë dashurie” të poetes Lule Xhafa janë edhe thëniet e saj, në të cilat theksohen vleat e njohurisë, të kuptueshmërisë dhe të mençurisë, me të cilat autorja i fton lexuesit që të kenë besim të paluhatshëm dhe shpresa të forta në çdo front të jetës, sikurse edhe në dashuri. Edhe qëndrueshmëria dhe vetëkontrolli janë thelbësore dhe jetike për çdo individ, por, assesi s’duhet të mungojë te asnjë person me mendje të shëndoshë elementi kyç, që quhet dashuri, e cila po mungoi, do t’ua pakësojë vlerën të gjitha cilësive tjera, e madje mund t’i bëjë ato krejt të pavlefshme.

Çfarë është dashuria sipas vargjeve të poetes Lule Xhafa?

Ajo është një emocion, ndjenjë e fuqishme që përjetohet me zemër dhe mendje; madje ajo është edhe vetë magjia dhe e magjishmja, ngase është lidhje e fuqishme me dikë që mund të na bëj të lumtur; ajo është e brumosur me sinqeritet të thellë dhe kërkon angazhim të plotë emocional. Dashuria sipas poezive të poetes Xhafa shpesh përfshin edhe miqësinë, por lidhjet e saj janë edhe më të forta sesa të miqësisë. Pra dashuria është cilësi thelbësore, sepse ai që nuk ka dashuri, nuk e njeh jetën, as të vërtetën, ngase jeta ka kuptim vetëm me dashuri.

Poezitë e vëllimit “Drithërimë dashurie” të poetes Lule Xhafa e paraqesin botën e thellë shpirtërore të saj dhe përshkohen nga malli, dhembja, pikëllimi, por edhe melankolia. Poezitë e kësaj përmbledhjeje shprehin sinqeritet dhe ndjenja të pastra. Ndjenja është elementi themelor i këtyre poezive. Dashuria për poeten Xhafa është një nevojë njerëzore pa të cilën nuk ka kuptim jeta. Prandaj porosia e vargjeve të saj është që çdonjëri të mbështetet te dashuria, pasiqë ajo është një forcë jetëdhënëse dhe burim lumturie.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat