Kontribut për ruajtjen e begatisë gojore

Libra

Kontribut për ruajtjen e begatisë gojore

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 19 prill 2021 Në ora: 21:28
Foto ilustrim

Gjatë punës shumëvjeçare në terren dhe kontaktet e shumta me njerëz moshash e profesionesh të ndryshme, profesori Lush Ahmeti ka bërë edhe një punë të vyeshme dhe me përkushtim në shënimin e fjalëve të urta popullore, rreth 900 sosh, të titulluar “Fjalë të urta popullore nga Rrafshi i Dukagjinit”, ku i paraprin Parathënia e shkruar nga autori, e që bashkë bëjnë anatominë e këtij libri.

Pasi m’u besua puna e redaktorit të këtij dorëshkrimi, gjatë leximit të këtyre fjalëve të urta – proverbave, kam parë se mbledhësi i tyre, Lush Ahmeti, autori i monografisë “Lugu i Leshanit” (Pejë, 2016), është përpjekur që gjatë shënimit të këtyre fjalëve të urta popullore t’i qëndrojë besnik edhe gjuhës së tregimtarëve të tyre, por vërehet se sipas nivelit të ngritjes gjuhësore të tregimtarit ndryshon edhe gjuha me të cilën janë treguar dhe shënuar kjo lëndë e folkoristikës shqiptare.

Me këtë material të mençurisë së popullit, Ahmeti ka bërë një punë me vlerë me të cilën pasuron folkloristikën shqiptare me rreth 900 fjalë të urta. Nga këto, mund të ketë ndonjë fjalë të urtë me përgjasime që lexuesi t’i ketë dëgjuar apo lexuar edhe më parë, por, siç e dimë, letërsia popullore kështu është ruajtur nga brezi në brez.

Fjalët e urta, janë fjalë ose norma të krijuara nga populli, të cilat tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme, me anë të kuptimeve figurative.

Fjalët e urta njihen dhe me emrin proverba. Fjalët e urta janë thënie të shkurtra artistike të cilat, në mënyrë shumë sintetike, shprehin mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme. Mendimet dhe gjykimet e fjalëve të urta kanë dalë nga praktika shumëshekullore e punës dhe e jetës së popullit. Për këtë arsye populli i quan ato dhe fjalë të moçme ose fjalë ari.

Ato paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme e me vlerë të përhershme. Sigurisht, kjo është e drejtë për shumicën e rasteve, por jo për të gjitha rastet. Disa fjalë të urta dhe mendime që ato bartin, u përkasin periudhave të caktuara historike.

Fjalët e urta të këtij vëllimi shprehin mendimin e tyre në forma të ndryshme: si përfundim logjik, si parim, si ligj, si këshillë, të cilat i gjejmë në këtë vëllim, si: “Çka p’shtyhet nuk l’pihet”; “Fjala e mirë vlen sa ni lirë”; “Jetim asht ai që s’ka men n’kry”; “Çka ka shpija kallxojnë thmija”; “Gjell’s qitja krypën”;” Budalla s’tutet”; “Mos i fry zjërmit se digjesh”; etj.

fjalë të urta e shprehin mendimin drejtpërdrejt, por ka të tjerat që mendimin e shprehin në mënyrë të tërthortë, figurative. Kur thuhet: “Kush ka pare ban qare”, shprehja përdoret me kuptimin e saj të parë të zakonshëm; por, kur thuhet “S’mushet thesi me ni kokërr”, shprehja ka kuptimin se e vogla s’e mbush të madhen. Në rastin e parë arti i proverbit qëndron te mprehtësia dhe drejtësia e mendimit, te aftësia për ta shprehur mendimin me sa më pak fjalë. Në rastin e dytë, veç këtyre, kërkohet dhe aftësia për të gjetur figurën e duhur. Pra, populli është treguar shumë i talentuar në gjithë këto drejtime.

Për të shprehur mendimin në mënyrë figurative, populli në fjalët e urta përdor figura stilistike, e sidomos metaforën, alegorinë dhe krahasimin. Ato figura i gjejmë edhe në fjalët e urta të këtij libri: “Besa e burrit – pesha e gurit”, “Arusha nuk tutet me shoshë”,” Çdo përpjetze e ka tëposhtzën”,” Fukarallaku – maskarallaku”,” Gruja e mirë ta zbardh f’tyrën”, “Kush di shum’ flet pak”, “T’mirat nuk vinë vet”,” Zoti s’ta jep tuj nëjt;”, etj. Në rastet e përmendura vërehet se mendimi shprehet në mënyrë përgjithësuese. Për këtë arsye fjalët e urta pëlqejnë shumë fjalitë mungesore, mënjanojnë fjalët që nënkuptohen dhe i mbeten të nënkuptohen nga dëgjuesi apo lexuesi. Në to ideja nuk del nëpërmjet shtjellimit të një subjekti. Ato vetë e shprehin idenë, karakteristika këto që i gjejmë edhe në këto fjalë të urta.

Sintetizmi, karakteri përgjithësues dhe mënyra figurative e shprehjes së mendimit bëjnë që çdo fjalë e urtë të përdoret me disa kuptime. Proverbi “Anmiku ma let’ mposhtet pa i dalë koka ”, fjala vjen, tërheq vëmendjen për qëndrimin që duhet mbajtur kundër armikut, kundër së keqes në përgjithësi e kundër njerëzve kokëfortë, si: “ Budalla s’tutet”, etj.

Për të ditur kuptimin e saktë të çdo fjale të urtë, duhet të mbahet mirë parasysh koha, vendi dhe rasti kur thuhet.

Ndaj, në fjalët e urta të këtij vëllimi të prof. Lush Ahmetit, tematika është shumë e gjerë dhe e larmishme. Ato kapin çështje me të cilat populli është përballur që nga kohët e hershme e gjer në ditët tona, ndaj mund të thuhet se ato janë enciklopedi në vete e mençurisë dhe filozofisë popullore të kësaj ane ku janë krijuar, ruajtur dhe shënuar. Si të tilla, në këto fjalë të urta janë disa tema që trajtohen, si: Liria e atdheut, lufta kundër armiqve, atdhedashuria, karakteristika të femrave dhe të mashkuljve shqiptarë; familja, padrejtësia, varfëria , puna, zanatet, morali, virtytet dhe veset, e vërteta dhe gënjeshtra etj.: “Lirija asht e vogël po ka vleftë t’madhe”;” Pa atdhe s’ka fe”; “Aty ku ka drejt’si – ka liri”; “Fjala e mirë vlen sa ni lirë”; “Puna asht faqebardhë”; “Demeli nuk asht për kët dynje as për ahret”; “Arusha me shoshë nuk tutet”; “T’mirat nuk vinë vet”, “Mos fol përqef t’kërkuj”; “I mëçmi e nxën leprin me kerr”; “I madh bahesh me mën e jo me moshë”; etj., ku populli është treguar i talentuar në krijimin e tyre, interpretimin, por edhe ruajtjen e tyre. Këtë begati gojore që autori e ka sistemuar sipas rendit

alfabetik (A – ZH), ndonëse jo edhe sipas tematikave, ka rëndësi dhe sjell vlera të veçanta për këtë fushë. Mendoj se këto proverba, po ashtu, janë një pasuri e vlefshme për folkloristikën shqiptare përgjithësisht, ngase, përveç tematikave, kanë edhe veçoritë thelbësore, figuracionin dhe strukturën përmbajtësore.

29 gusht 2020, Pejë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat