“Dardanët për Dardaninë”

Libra

“Dardanët për Dardaninë”

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 21 qershor 2021 Në ora: 13:17
Kopertina e librit

Këto ditë ka dalë nga shtypi libri “Dardanët për Dardaninë”, vëllimi i 2-të, i autorit Rrahman Rrahmani. Libri përfshinë aktivitete të dokumentuara shqiptare në Suedi. Është një libër me shumë të dhëna autobiografike, ku autori përshkruan veprimtarinë dhe punën e mërgimtarëve, të cilët ai i quan si dardanë, e që kanë qenë vazhdimisht në shërbim të Dardanisë.

Libri sjell në kujtesë edhe shumë dokumente që dëshmojnë zhvillimet e kohës, angazhimin e shqiptarëve në mërgatë, në veçanti atë në Suedi.

Rrahman Rrahmani është një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare dhe këto virtyte të tij vijnë në shprehje edhe në librin e tij “Dardanët për Dardaninë”. Ai çdo aktivitet e ndërlidhë me vendlindjen e tij.

Ai mund të cilësohet si një personalitet i heshtur me ideal të madh! Rrahman Rrahmani ka një fond të madh të veprimtarisë së tij që mbi 30 vjet në Suedi, të cilat do t’i botojë në proces. Nga gjithë arkiva e tij, e grumbulluar me vite, Rrahman Rrahmani tani po shpërthen si një vullkan i heshtur, me shumë gjëra e fakte të pathëna. Deri tani ai duket se ka mbajtur në heshtje, me forcën e brendshme shpirtërore dhe intelektuale, gjithë atë vullnet për të shkruar, për të mbajtur gjallë edhe më tutje frymën e mërgimtarit shqiptar dhe raportet e tij me vendlindjen. Puna e tij e madhe, me urtësinë dhe mençurinë që ka treguar për të bërë bashkë shqiptarët, kudo që i ka takuar, është shembulli më i mirë që mund të përdoret nga të gjithë shqiptarët, kudo jetojnë. Shembulli i tij mund t‘iu shërbejë të gjithëve, se shqiptarët mund të shërojnë plagët që mund të kenë krijuar të tjerët në mes tyre, mund të rrisin dashurinë për njëri tjetrin, mund të bëjnë shumë punë bashkë në të mirë të popullit dhe kombit të vet.

Me numrin e dytë të librit “Dardanët për Dardaninë”, Rrahman Rrahmani po vazhdon të japë kontributin e tij për kombin e atdheun, por tani me penën e tij, për të ndriçuar sa më shumë përpjekjet shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Konica ka thënë: “Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë në vesh çdo tog germash si një copë muzikë”. Kështu do të tingëllojë çdo germë e çdo fjale të shkruar në librin “Dardanët për Dardaninë”, sepse ajo po shkruhet me përkushtimin më të madh, për hir të idealit që kishte dhe ka autori Rrahman Rrahmani.

Autori Rrahman Rrahmani, është edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ku ai është shumë aktiv. Në cilësinë e arkëtarit të shoqatës, ai ka treguar saktësinë dhe menaxhimin shumë të mirë të fondit të shoqatës, për kryerje e aktiviteteve të caktuara. Fal edhe punës së tij, shoqata “Papa Klementi XI Albani” ka arritur të ketë kredibilitet dhe të ketë dyer të hapura të çdo donator, që mbështet botimin e librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, i cili është organi kryesor i kësaj shoqate. Rrahman Rrahmani ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe për këtë libër…

Libri “Dardanët për Dardaninë” do të vazhdojë rrugëtimin e tij edhe me vëllime të tjera, me qëllim që të shkruhet dhe të arkivohet në fondin library, gjithë çfarë kanë bërë dardanët në mërgatë për Dardaninë e tyre të shenjtë.

Adiministrata e Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, Suedi

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat