Rezyme e Librit në botim “Njejtësimet” të autorit Sabri Maxhuni

Libra

Rezyme e Librit në botim “Njejtësimet” të autorit Sabri Maxhuni

Nga: Dukagjin Hata Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 16:21
Kopertina e librit

Kur kthen faqen e fundit të librit “Njejtësimet“ të autorit Sabri Maxhuni, bashkë me rikthimin e fragmenteve dhe pasazheve, si një “rekujem“ kujtese analitike, në gamën e gjërë të problematikave të trajtuara prej tij, të shoqërojnë dhe disa pyetje, që burojnë nga shqyrtimet e tij analitiko-historike: Pse kjo bjerrje e historiografisë shqiptare, e mendimit në përgjithësi dhe atij historik në veçanti, në humnellat e një keqkuptimi kaq të madh? Pse e vërteta historike, që për fat të mirë konvenon me kredon tonë si popull e si komb e ka humbur fillin dhe është mpleksur aq keq në lëmshin e manipulimeve sa qenka kaq e vështirë t‘i gjendet filli? Çfarë është ajo “orë e ligë“ brenda nesh (apo jashtë nesh), që na shtyn në huti e kaos, në bjerrakohë të pafund, në konfrontim me njëri-tjetrin, në vend që të vetështyhemi me vetëdije e frymëzim atdhetar drejt hapësirave të progresit të gjithëkahshëm?

Në vazhdën e përvijimit të mendimit të tij antikonformist dhe në gjurmët e ideologëve më të shquar të shqiptarizmës, Sabri Maxhuni tenton të depërtojë në thelbin e historisë sonë të trazuar, në pikat lidhëse të saj me kohë-hapësirën ballkanike, evropiane dhe më gjërë.

“Njëjtësimet“ është një libër që prek “thembrën e Akilit“ të shqiptarëve në sijudhesën ballkanike, mosfunksionimin e tyre me anë të një ideologjie kombëtare, të bazuar tek e vërteta historike, për të gjetur derivatet e interesit të sotëm e të nesërm nacional, tek të ndodhurat e së kaluarës së afërt apo të largët.   

Ne shqiptarët ka një mijë vjet që po përjetojmë kaosin dhe nuk orientohemi dot në kohë-hapësirën gjeopolitike, falë një hutie shumëshekullore, të ardhur, siç thotë Maxhuni në librat e tij, nga pushtimet e gjata e të rënda, që kanë pasuar njëri-tjetrin. 

Qasja e Maxhunit në këtë libër është në përvijim të ideve të tij rreth historisë së popullit shqiptar, ku tash njëqind e ca vjet shtet i reduktuar i shqiptarëve në Ballkan, historia e tyre na ka ardhur e frustuar, e deformuar dhe e shantazhuar, sa prej armiqve tanë historikë, po aq dhe prej vetë shqiptarëve.

Të njejtësosh principatat katolike shqiptare me principatat ortodokse shqiptare, të njejtësosh perandorinë Osmane me Turqinë, të njejtësosh sllavët ortodoks me sllavët katolikë, sipas Maxhunit, është “mëkat” i rëndë, një shërbesë që iu bëhet skutave të konspiracionit antishqiptar, sa nga mosnjohja e fakteve dhe ngjarjeve, po aq e, ndoshta ende më shumë, nga “ofertat” e këtij konspiracioni ndër shqiptarë. 

Duke trajtuar njejtësimin e principatave shqiptare katolike me principatat shqiptare ortodokse, si një deformim që prek zembrekun e orës së historisë së shqiptarëve, autori pohon dhe argumenton me fakte kokëforta se këto principata “sjellin me vete mendësinë e një kohe në zgrip të ekzistimit të etnisë shqiptare, ku konfliktet e brendshme dhe të jashtme, konjukturat, aleancat, kurthet, mosmarrëveshjet, divirgjencat, një spektër marrëdhëniesh të ndërsjellëta të thyera e mjaft të ndërlikuara, përbëjnë mazaikun e tyre, një histori që nuk mund të trajtohet bardhë e zi dhe në mënyrë shablloniste, siç paraqitet rëndom në tekstet e historisë”.  

Çështjen e njejtësimit të Perandorisë Osmane me Turqinë, Maxhuni e vështron në planin historik dhe diakronik, duke zbuluar thelbin e hilesë së vjetër të ardhacakëve, “narcisto-shovenëve serbo-sllavë e grekë”, të cilët duke e etiketuar Perandrorinë Osmane Turqi dhe popujt që ndodheshin në kuadrin e asaj Perandorie turq, (pra, edhe shqiptarët mulsimanë), kanë synuar dhe synojnë që territoret e popujve që ndodheshin në kuadrin e Perandorisë Osmane (ato synime i kanë edhe për teritoret që gjenden në kuadrin e shtetit të sotëm, me emrin Turqi) t’i “çlirojnë” dhe “turqit” t’i zhdukin, respektivisht t’i derportojnë për në Mongoli a gjetiu, prej nga kanë ardhur në kohën e shfaqjes së Perandorisë me pretendimet për një hegjemoni globale!

Maxhuni denoncon idenë që sundon linjën zyrtare të historisë së popullit shqiptar, e cila i fut në një “vathë”, si sllavët ortodoks, të cilët kanë qenë dhe mbeten armiqtë realë të shqiptarisë, ashtu dhe sllavët katolikë, që kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të mbeten porta të hapura për Perëndimin dhe rrjedhimisht edhe në favor të çështjes shqiptare.

Duhet thënë se jetojmë në një botë të ndërveprimit dhe integrimit, ku kulturat kombëtare tentojnë të hyjnë në këtë “rrotullamë” globale me fytyrën dhe identitetin e tyre të plotë; por për shkak të një “ironie” historike, të spërkatur me “groteks” aktualiteti, duket se ne shqiptarëve na mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar. Popuj dhe kombe, që e kanë ngritur pretendimin e tyre për sundim në kurriz të popujvetë tjerë, e kanë kthyer mitologjinë në realpolitikë dhe kjo, për fat të keq, ju ka funksionuar. Ne shqiptarët realpolitikën e kemi kthyer në mitologji e folklor dhe historinë tonë të pastër, një nga historitë më të lashta e më mbresëlënëse të popujve të Evropës, e kemi ndrydhur nën trysnitë e politikave të ditës, të cilat jo rrallë kanë burime dhe frymëzime të errëta, degdisur skutave e analeve të konspiracionit antishqiptar.

Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një “manual” ultranacional propagandistik adresuar kundër popujve të tjerë, për të përfituar në kurriz të identitetit dhe bëmave të të tjerëve. Asnjëherë shqiptarët nuk kanë lakmuar çfarë nuk ka qenë e tyre, ndërkohë që të tjerët kanë lakmuar e sulmuar në vijë lineare historike gjithçka të tyren.

Duke kërkuar në këto hullinj, Sabri Maxhuni, ashtu si në qindra shkrimet dhe rreth njëzet librat e tij, edhe tek “Njëjtësimet” na përcjell gamën e këtij dyzimi të madh të shqiptarëve në rrugëtimin e tyre historik, gjithë kompleksitetin e një historie, e cila na ka ardhur e deformuar qëllimshëm nga klane e klika me frymëzim antishqiptar dhe, për pasojë, e vërteta na ka mbetur e rrudhur, e cunguar dhe e manipuluar, në pamundësi për t’iu  shërbyer interesave tona etnike.  

Maxhuni nënvizon me forcën e detajeve dhe argumenteve të shumtë historikë dhe analitikë, se një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me krijimin e kultit të tjetrit, adhurimin e tjetrit.

Ai nënvizon se islamofobia, katolikofobia, albanofobia, etj manifestohen si grekofili, turkofili, sllavo-ortodokso-fili etj…

Kur e vërteta gjurmohet dhe kërkohet nga arkivat e armiqve tanë tradicionalë, shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që stisen me një stilistikë bombastike dhe paketim “ekstra”, sipas rregullave të propagandës, ose thënë më mirë “agjitpropit demokratik”.

Fati i keq i shqiptarëve është se vetëm dogma iu kanë servirë politikanët tash njëqind e kusur vjet, të cilët, pasi kanë lënë më shumë se dy të tretat e territoreve jashtë kufijve të shtetit shqiptar, falë braktisjes së ideve dhe kauzave të idealistëve, nuk kanë shqiptuar asnjë ide dhe projekt serioz kombëtar, asnjë platformë që të mund të çojë ujë në mullirin e një koncepti ridimensionues të rolit të ri të shqiptarëve në historinë e re, ku falë faktorëve favorizues të mundësuar nga boshti euroatlantik, ata mund të kishin një fat tjetër në këto vise që iu kanë rënë në hise.

Maxhuni ngrihet me kurajën dhe guximin prej mendimtari dhe ideologu për t’iu hequr patericat nga këmbët e sakatosura dogmave njëshekullore që na janë ofruar ne shqiptarëve nga një pseudoelitë e korruptuar dhe e shitur në anakandet e linjave të konspiracionit të vjetër dhe të ri, duke na bërë me dije se nuk mund të shkojmë askund me frymëzim atdhetar e vetësiguri atdhetare, pa u çliruar nga mitologjia internacionaliste, që vazhdon të sundojë në shumë aspekte analizën e mjaft ngjarjeve dhe tezave historike.

Vështruar nën këtë optikë, libri “Njejtësimet” i Sabri Maxhunit është ftesë për këdo që i thotë vetes shqiptar, veçanërisht për elitën intelektuale dhe politike, që të reflektojë ndaj një kursi të mbrapshtë që po na ofrojnë kulisat e konspiracionit, për t’i kundërvënë atyre një mendim të ri shqiptar, të mbështetur vetëm tek e vërteta, e cila do të na çlirojë njëherë e përgjithmonë nga mitologjitë e keqkuptimeve të qëllimshme, që tash sa kohë na mbajnë peng në kohëhapësirën tonë etnike, të ndarë mes vetit e të izlouar nga hapësirat e shanseve epokale, që na janë paraqitur në këtë fillim mijëvjeçcari të ri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat