Lirizmi si funksion rrëfimtar semantik dhe emocional

Libra

Lirizmi si funksion rrëfimtar semantik dhe emocional

Nga: Dukagjin Hata Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 12:58
Dukagjin Hata

Hap pas hapi e në mënyrë të pakthyeshme, lexuesi i prozës së shkurtër, në kërkim të tregimeve të shkruara me ndjeshmëri dhe natyrshmëri, me nerv rrëfimtar dhe stil poetik, do të gjente një emër që mjaft shpejt, brenda disa viteve, do të bëhej i dashur dhe i kërkuar për të, për faktin se rrëfimet e saj kanë palcën e jetës së gjallë dhe freskinë e një emocioni, që vjen vetvetishëm dhe pa klithma, nga zbulimi i përvojave dhe përjetimeve vetjake, si pjesë e strukturave të brendshme të kërkimit estetik dhe psiko-analitik.

Kristina Demiri Dojçe, në udhëtimin e saj të shpejtë letrar, me poezitë, esetë dhe tregimet e saj të përmbledhura në disa libra, e ka gjetur lexuesin e saj dhe ka krijuar fytyrën e vet prej krijueseje, në larminë e fytyrave që popullojnë letrat tona, në këtë kohë prurjesh të mëdha dhe çlirimi të madh.

Poezitë dhe tregimet e saj përcjellin një minbotë të trazuar nga ankthi dhe deziluzioni, nga kërkimi në të kaluarën dhe derviatet e kësaj të kaluare në të sotmen, nga përballja e protagonistëve me situata të vështira dhe qasje jo rrallë të befta ndaj këtyre situatave. 

Libri i saj më i fundit “Aroma dehëse e jargavanit” është një thellim i kësaj orvajtjeje dhe sprove, një eksplorim në botën e ndjenjave “delikate” dhe emocionit “delikat”, që konturohen në një reliev të thyer rrëfimtar.

Ky libër është një udhëtim i shkrimtares në kohën e shpirtit dhe na sjell sjell copëra kujtese, malli, idili, marrëdhëniesh njerëzore, pa filtra paragjykimi dhe pa maska, derdhur në një rrëfim të ngjeshur e mjeshtëror, ku sundon përshkrimi i gjallë, personazhe që të mbeten në mendje dhe gjendje analize e psikoanalize, përmes labirintheve dhe “sekreteve” të një narracioni të beftë.   

Ashtu si dhe në përmbledhjen e parë “Unë mbretëresha e Trojes”, edhe në këtë përmbledhje me tregime, ajo që e bën të veçantë autoren dhe i vesh asaj petkun e një prozatoreje me përgjegjësi shkrimore, është tregimi i saj spontan dhe i shtruar, pa sajime dhe artikulime të sforcuara, pa retorikë dhe klithje; ku sundon ngrohtësia dhe lirizmi i detajit të hollë, përshkrimet e imëta, të cilat shkrihen në botën e brendshme të personazheve, që janë thuajse gjithnjë në lypje të imazheve të së kaluarës dhe në përpjekje për t’u identifikuar në lidhje me emocionin që buron prej saj.

Zënë vend në këto tregime aspekte të përditshmërisë sonë, me ballafaqimin e njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që duhet thënë se e bëjnë prozën e Kristinës të lexohet me endje dhe kureshtje, duke u pasprirë ky lexim me një kohë tjetër shqyrtimi dhe reflektimi.

Tema kryesore e prozës së Kristinës është ajo e raporteve ndërpersonale, por dhe më gjërë se kaq, ku lidhen, fokusohen, harmonizohen e shkrihen në një raportet e punës, të familjes, të marrëdhënieve shoqërore e humane, një botë femërore që trazon situata e ndjesi, të cilat përthyhen në marrëdhënie etike, dashurore, erotike, filozofike etj.

Autorja shkrihet e bëhet njësh me objektin e saj rrëfimtar, jo vetëm nëpërmjet faktit që tregimet zakonisht i përcjell në vetën e parë, por dhe për një qëndrim emocional ndaj të ndodhurës, duke i mëshuar idesë së saj rrëfimtare, për një shoqëri të çlirët, për një kujtesë të çliruar e të motivuar nga përvoja dhe emocioni i bukur, që e bëjnë jetën njerëzore me të kuptimtë dhe më të thellë në dimensionin ekzistencial dhe shpirtëror.

Me zhdërvjellësi dhe natyrshmëri, pa shtampa moralizuese, që mund të ishin normale për një temë të tillë, gjithë kolorit gjuhësor dhe shije rrëfimtare, vjen autorja në tregimin “Sekretet e kuzhinës greke”, ku Kristina Demiri Dojçe na tregon për një përvojë të saj në shtetin Helen, në kërkim të një pune e ku mesazhi atdhetar vjen si një estetikë e mirëfilltë dhe jo si një deklaratë agjitative.

Në tregimin “Aroma dehëse e jargavanit”, autorja ia del të ngrejë në art narrativ një trill, duke gërshetuar ndjeshmërinë e një shpirti të butë e fin me nevojat e nje individi në krizë, i cili zgjedh -ose më saktë të tjerë zgjedhin për të- një mënyrë origjinale për të “testuar” ndjeshmërinë humane, përkushtimin për të tjerët, humanzimin dhe bujarinë njerëzore.

Edhe në këtë libër, tema e familjes, ndaj të cilës duket se autorja është tejet e ndjeshme, zë një vend të rëndësishëm; raportet familjare etër bijë, prindër fëmijë, gjyshër-nipër-mbesa, motër-vëlla, motër-motër, raportet bashkëshortore, etj. janë pjesë e kameres vëzhguese të autores.  Kështu në tregimet “Zemra e cilosur e një babai”, “Ilaçi i vërtetë”, “Habia fëmijnore e njëzet e pesë vjeçarit”, “Dhurata prej flori”, “Një ëngjëll në shpirtin e mirësisë”, “Armiku në shtëpi” etj, kjo temë përthyhet në të ndodhura të befta, që përcjellin me emocion të fortë raportet brenda familjes, raporte ndaj të cilave duket se autorja ka një qasje krejt të veçantë.

Në këto rrëfime, ku jepen dimensione fati dhe jete njerëzore, duke shkrirë në një trillin dhe transhendencën poetike me pamjet realiste dhe duke nxjerrë në pah përkushtimin human, si një vlerë arkitipale, që vë në lëvizje njeriun, familjen dhe shoqërinë, Kristina Demiri Dojçe apelon për dlirësi, durim, tolerancë, sakrificë, dashuri pa kusht, çfarë i shërben gjithmonë shëndoshjes së këtyre marrëdhënieve dhe funksionimit të tyre në mënyrën më dinjitoze të mundshme.

Të një natyre tjetër, më të drejtpërdrejtë, por gjithësesi me nuanca të holla lirike dhe poetike, të vizatuara me penelata të ngrohta dhe ritme të një psikologjie humane, janë tregimet “Mysafirët e “harruar” dhe “Darka më e pasur e jetës sime”, ku autorja shpalos kurbën e marrëdhënieve mësues-nxënës,mësues prindër dhe duket se motivimi i protagonistes dhe filozofia humane e vetë autores mishërohen në të njejtin person dhe përcillen në të njëjtën linjë e unifikohen në të njëjtin vektor estetik. Pra, e thënë ndryshe, tregimtarja dhe mësuesja e përkushtuar janë një e shkrihen në një dhe kësisoj rrëfimi merr ngarkesë emocionale që shkon në kurba të epërme.  

Të këtyre prerjeve narrative plot befasime janë dhe mjaft tregime të tjera, ku autorja, me një gjuhë të pasur në figura dhe kolorit shprehës, na sjell tablo realiste e romantike të njeriut bashkëkohor, mësueses, nxënësit, studentit, emigrantit,  babait, nënës, fëmijës, motrës, lypsarit, familjes së epokës sonë, në këtë kohë të qasjeve të krisura, të një krize të shoqërisë moderne, që po vjen me ngarkesa të reja psikike dhe shpirtërore.

Në tregimet e Kristinës shohim njeriun e kohës sonë që ëndërron, gabon, shpreson, dashuron, lufton për një jetë më të mirë, teksa kërkon të gjejë shtigje për tek e mundshmja dhe e drejta; jepen drama jetësh njerëzore në kapërcyll të fateve të tyre, qasje e sendërtime poetike, detaje e gjendje të befta psiko-sociale, raporte erotike, dashurore, familjare e humane, që ajo na i përcjell me një semantikë origjinale, si bie fjala në tregimet “E dashura e Profesorit”, “Flirt me maskë”, “Leksion për petullat dhe vetullat”, “Dashuri apo frikë…” etj, ku prozatorja përcjell një tematikë nga më të larmishmet, me imtësira dhe një lirizëm poetik të thellë e tejet të dukshëm.

Protagonistët e tregimeve të Kristinës janë personazhe në udhëkryq, por që nuk dekurajohen nga hallet, ankthi, vetmia, stresi, dashuria e paragjykuar, erotizmi i murosur në shtretër paranojash etj, por luftojnë për të triumfuar mbi pengesat dhe paragjykimet, çfarë i bën ata aktivë dhe të përkushtuar për një jetë më të bukur njerëzore, duke iu dhënë tregimeve aromë shprese dhe dashurie, nga faqja e parë, në faqen e fundit.

Kristina nuk niset nga mesazhi për të rrëfyer, por vetë rrëfimi, e ndodhura, fuqia e ngjarjes dhe rrethananve në të cilat përfshihen personazhet, iu japin tregimeve të saj spontanitet, sinqeritet, ritme dhe ngjyra jete e ku emocioni vjen vetvetiu dhe komunikon me ftesën për një lexim të thelluar, ku rrinë në bashkëjetesë të plotë kureshtja dhe mesazhi, në përgjigje të jehonave të kujtesave e përjetimeve, që përcillen në këto rrëfime.

Në tregimet e Kristinës gjithçka rrjedh si ujëvarë, nuk ka zvarritje dhe “shterpëzime”, nuk ka sforcime dhe shtampa, nuk ka filtra dhe mure, për të penguar furinë e ndjenjave dhe befjen e emocionit; lirizmi kthehet në një funksion rrëfimtar semantik dhe emocional, duke i bërë tregimet e saj të lexohen me një frymë dhe të përcillen me një qasje analitike postleximi.

Në këtë përmbledhje të dytë me tregime Kristina Demiri Dojçe i ka thelluar më tej prirjet e saj më të mira narrative, lehtësisht të dallueshme që në librin e parë, duke na bindur se kemi të bëjmë me një autore serioze, e cila ka se çfarë shkruan dhe di të shkruajë, di të prek “telat” e lexuesit, “telin” e bashkëkohësit dhe të kësaj kohe të tejngarkuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat