A është psikologu ndihmesë për parandalimin e çrregullimeve mendore?! 

Life style

A është psikologu ndihmesë për parandalimin e çrregullimeve mendore?! 

Më: 15 maj 2019 Në ora: 18:14
Ilustrim

Vizita te psikologu, bashkëbisedimi i çiltër me të, çlirimi nga ngarkesat emocionale e psikike, sipas profesionistëve shëndetësorë konsiderohet si parandalues i çrregullimeve mendore.

Sikur në vendin tonë të ishte krijuar shprehia e vizitës te psikologu, çrregullimet mendore do të ishin më të rralla. Kështu mendon dr. Sarije Doko, drejtoreshë e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë. “Lëndimin dhe frikën vetëm nëse e nxjerr jashtë e ke më lehtë”, thekson ajo e bindur se ky do të ishte një lehtësim i madh për personat me predispozita për çrregullime mendore.

Përveç numrit të kufizuar të stafit, dr. Sarije Doko thotë se në këtë qendër kanë mungesë edhe të psikologut, të cilin e kanë pasur më herët, por për shkak të pagave të vogla ka shkuar diku tjetër. Mungesa e psikologut, ajo thotë se është një problematikë në vete, për shkak të numrit të vogël të psikologëve të profesionalizuar në vendin tonë. Sipas saj, mjekët psikiatër merren me mjekimin dhe kanë një punë krejt ndryshe nga ajo e psikologut, të cilët kanë teknika të tjera, me të cilat ndihmojnë përmirësimin e gjendjes psikike të klientëve të tyre.

Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë kishte nisur të punojë në shtator të vitit 2003 me 120 klientë me çrregullime mendore. Fillimisht kishin nisur me personat psikotikë, ndërsa me kohë duke u rritur numri i klientëve dhe i kërkesave aktiviteti i qendrës është zgjeruar edhe me diagnozat e tjera të këtyre çrregullimeve. Dr. Sarije Doko, drejtoreshë e kësaj qendre thotë se tani kanë 630 klientë nën përkujdesje kontinuele dhe se punojnë me të gjitha diagnozat, duke nisur nga narkomanët, alkoolistët, me nervozat, histeritë, fobitë, skizofrenët e deri te të retarduarit.

Grupmoshat më të prekura janë të rinjtë

Doko sqaron se grupmoshat më të prekura nga çrregullimet mendore janë ato prej 25-35 vjeç, por nuk mungojnë edhe klientët e grupmoshave të tjera. Përveç qëndrimit ditor në qendër dhe aktiviteteve të ndryshme, Qendra e Shëndetit Mendor nëpërmes ekipeve mobile ofron edhe vizita shtëpiake për klientët e rregullt. “Çdo ditë dalin nga 2-3 infermierë në terren. Ekipet janë multidisiplinare, minimum janë dy infermiere, një punëtor social, një mjek, një këshilltar psikosocial. Ekipi mund të ketë 3-4 veta, varet çka duhet të arrihet tek ajo familje”, thotë ajo duke sqaruar se shpejtësia e intervenimit është në harmoni me gjendjen shëndetësore të klientit, ndërkohë që tek ata në gjendjen më të keqe shëndetësore vizitat bëhen më shpesh, ndërsa tek ata në gjendje më të mirë vizitat janë më të rralla. Megjithatë pjesa më e madhe e klientëve të kësaj qendre vijnë drejtpërdrejt në qendër, ku për ta organizohen një varg aktivitetesh, ndërsa rastet më të rënda janë numerikisht më pak. Doko gjithashtu bënë të ditur se në kuadër të shërbimit të shëndetit mendor në Prishtinë janë 2 qendra dhe 2 shtëpi integruese: një qendër është në Ulpianë, tjetra në Podujevë, ndërsa shtëpitë integruese janë në Bresje të Fushë-Kosovës dhe në Drenas. Për klientët që kanë nevojë për strehim sigurohet strehimi në periudha të ndryshme kohore, sipas nevojës prej 3 muaj deri në një vit e në raste të tjera edhe më shumë. Nga eksperienca e saj në këtë profesion Doko ka vërejtur një ndryshim të mentaliteti te familjet kosovare në drejtim negativ, për shkak se pas luftës familjarët kanë qenë të interesuar t’i mbajnë anëtarët me çrregullime mendore në shtëpi, ndërsa tani janë shumë më të interesuar që t’i strehojnë ata në shtëpi integruese edhe atëherë kur kanë mundësi t’i mbajnë ata në shtëpi. Si rrjedhojë, ajo thotë se kërkesat për strehim janë shtuar dukshëm dhe ajo ka së paku nga 50 kërkesa për strehim në pritje. Mirëpo, për strehimin e klientëve nëpër shtëpi integruese vendos komisioni 5 anëtarësh, të cilin e ka formuar Ministria e Shëndetësisë për çdo regjion.

Shtohen klientët 

Për faktin se numri i klientëve është rritur dukshëm ashtu sikur edhe numri i kërkesave për strehim, Doko thotë se është e domosdoshme, që të shtohet edhe numri i të punësuarve. “Kemi filluar me 120 klientë, tani veç në Prishtinë i kemi 640, ku janë Podujeva diku 300 klientë, Drenasi, të strehuarit në Fushë-Kosovë. Kjo është ngarkesë shumë e madhe. Ka nevojë për shtimin e stafit. Për neuropsikiatër, psikologë, infermierë, por nuk ka pasur buxhet deri tash dhe ne jemi të mbingarkuar”, tregon ajo. Synimi i stafit të kësaj qendre është që ta shikojnë mundësinë, që nëse dikush mund të trajtohet aty të mos shkojë të shtrihet në spital. Ndërkaq, atëherë kur rasti ka qenë më i rëndë pasi e ka kaluar fazën urgjente dhe është përmirësuar, mbikëqyrjen e tyre e ka marrë përsipër qendra, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të mirë sa më gjatë.

Ajo tregon për raste, kur për shkak të komunikimit të çrregulluar në mes anëtarëve të familjes, personat me çrregullime mendore mbahen të mbyllur duke menduar se kjo është zgjidhja adekuate. “Kemi pasur raste që na i kanë dërguar në shtëpi integruese 1 vit dhe pas 1 viti ua kemi kthyer dhe kemi kërkuar që prindërit të angazhohen sa më shumë”, thotë Doko përgjithësisht e kënaqur me bashkëpunimin e krijuar me shumicën e prindërve të klientëve të tyre. Ajo është e bindur se edhe stigma sa i përket këtyre rasteve është zvogëluar dukshëm. “Çrregullimet psikike janë si gjithë sëmundjet e tjera. Asnjë njeri nuk e zgjedh sëmundjen e vet, e as atë psikike”, thekson ajo. Doko sqaron se shkaktarët e çrregullimeve mendore janë të shumtë, duke filluar nga ata gjenetikë, socialë, ekonomikë. Në raste të caktuara ka edhe kombinim të këtyre shkaktarëve. “Ka mundësi që dikush ndoshta ka ngarkesë gjenetike familjare për t’u sëmurë, por po të ishin kushtet jashtë shumë të volitshme nuk do të sëmureshin. Ka disa njerëz që janë më të cënushëm, më të ndjeshëm, më lehtë lëndohen dhe më lehtë kalojnë në çrregullime”, shprehet Doko. Ajo e pranon se personat me çrregullime mendore kanë predispozita për vetëvrasje. Por, kjo qendër asnjëherë deri më tani nuk ka evidentuar ndonjë rast vetëvrasjeje të klientëve të saj, ndërsa tentim dhe kërcënim për vetëvrasje thotë se kanë pasur shumë, por ato janë evituar në saje të ndërhyrjes.“Vetëvrasja është gjithmonë një kërcënim që rri pezull. Dhe ne çdo herë mendojmë se ajo mund të ndodhë”, sqaron ajo.

Shumica përmirësohen

Sipas saj, te rastet e tyre ka përmirësime.“Ne nuk flasim për shërim komplet, por për përmirësim dhe funksionalizim. Ka njerëz që kanë ardhur 1-2 vjet dhe nuk vijnë më dhe nuk kanë nevojë që të vijnë më. Në fillim kanë qenë raste shumë të vështira, kanë pasur diagnoza shumë të rënda”, tregon Doko. Disa raste, ajo thotë se shprehin interesim më të madh për të lexuar, disa për t’u shoqëruar, për të shkruar, për t’u marrë me muzikë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, ajo tregon se tanimë janë kthyer nëpër familjet e tyre, ndërsa ekipet e qendrës i vizitojnë nëpër shtëpi kohë pas kohe. “Është një numër shumë i vogël, që nuk mund të përmirësohet”, thotë ajo me skepticizëm. Përgjithësisht Doko ka vërejtur që klientët në të shumtën e herave e shfaqin dëshirën për shoqërim. “Ideja jonë është që t’i shoqërojmë. Ata po shoqërohen shpejt edhe kur nuk janë këtu dalin bashkë. Kjo është një gjë e mirë. Kjo është ajo pjesa e socializmit”, sqaron ajo. Në funksion të plotësimit të kësaj dëshire të klientëve të tyre, Doko thotë se në kuadër të aktiviteteve ditore Qendra e Shëndetit Mendor shpesh organizon ekskursione, vizita nëpër panaire, galeri arti, FSK, fabrika etj. Për profesionistët e shëndetit mendor edhe ky është një lloj edukimi.

“Si sëmundja ashtu edhe shëndeti nuk është diçka statike, ajo është dinamike. Herë je më mirë, herë je më keq. Ashtu edhe klientët tanë kanë periudha të gjata kur janë mirë, por edhe periudha keqësimi. Ne mundohemi që ata sa më gjatë të jenë mirë”, përfundon ajo. Teksa kalon korridoreve të qendrës ajo shpesh ndalet nga klientët, që kanë ardhur për t’i kryer aktivitetet ditore në qendër. E përshëndesin me përzemërsi dhe e falenderojnë për gjithë atë që po bën për ta. Ka raste kur ajo dëgjon vlerësime që pak kush mund të marrë. “Doktoreshë, Zoti nalt e ju në tokë më keni ndihmue”, thotë një meso burrë duke shtrënguar dorën e saj. Ndërkohë, ajo largohet duke e falënderuar dhe duke u përpjekur të tregohet shumë modeste. Nuk është shumë e kënaqur me atë që mund të bëjë për klientët e saj. Por, me aq sa ka pasur mundësi e gëzon fakti që kanë arritur ta përmirësojnë gjendjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat