Dashuria si forcë transformuese

Life style

Dashuria si forcë transformuese

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 14:29
Ilustrim

Në rast se vite më parë Dashuria për njeriun ishte një ndër gjërat më të rëndësishme, e cila përcaktonte suksesin dhe lumturinë, sot, në epokën moderne, duket sikur dashuria ka dalë jashtë fokusit të interesit.

Dr. Alma Hasalami -PSIKIATRE ( fëmijë dhe adult)
Dr. Alma Hasalami -PSIKIATRE

Shumë pacientë, kur i pyes mbi këtë temë, e kapërcejnë Dashurinë sikur të ishte ndonjë e dhënë personale si gjithë të tjerat. Jo aq e rëndësishme për ata, jo aq e rëndësishme për problemin që duan të zgjidhin: “Jam në një marrëdhënie, por nuk ka shumë rëndësi!”, “Nuk dua të angazhohem në një lidhje!” “Preferoj one night stand!”. Duket sikur të dashurosh ka dalë nga moda. E ndërkohë nga terapisti kërkojnë pranim, shërim… dashuri.

Kohë më parë Dashuria konsiderohej si një ndër dhuratat më të çmuara që Perënditë i kishin bërë njeriut. Prandaj këtij virtyti të madhërishëm i ish kushtuar një ndër Perëndeshat më të rëndësishme të Olimpit, Afërdita. Thuhet se ishte ajo që i sillte tokës dhe njeriut harmoni e begati. E kur nuk nderohej më, mbi tokë zbriste varfëria dhe mjerimi. Që të vijmë në jetë, është e domosdoshme që prindërit tanë të bëjnë Dashuri. Jo, prit… që të lindim të shëndetshëm, pa truma, është e domosdoshme që prindërit tanë të bëjnë Dashuri. Që t’i mbijetojmë vështirësive të para të jetës e të rritemi, e kemi të domosdoshme të shkëmbejmë Dashuri me të rriturit. Kur rritemi, dashurojmë që t’i gëzohemi jetës, që të krijojmë e të vazhdojmë të rritemi më shumë.

Alkimistët e mesjetës thonë që gjithsecili nga ne përbëhet nga dy principe: femërorja dhe mashkullorja. Te femrat principi i femërores manifestohet së jashtmi, ndërsa mashkullori është i fshehtë, i pavetëdijshëm. Aktivizohet atëherë kur ne jemi jashtë “kontrolli”. E kundërta ndodh te meshkujt. Mashkullorja manifestohet në trup e në sjellje, ndërsa femërorja vetëm atëherë kur del “pa leje”. Alkimistët thonë se çelësi i transformimit/zgjimit është martesa mes femërores dhe mashkullores brenda vetes. Këtu termi martesë nuk nënkupton atë dukuri sociale, për të cilën brezi i ri ka humbur respektin, duke parë dështimin apo dëshpërimin e marrëdhënieve mes prindërve të tyre apo duke lindur nga seksi pa dashuri. Për alkimistët fjala Martesë nënkupton shkrirjen harmonike mes femërores dhe mashkullores, ku tiparet e njërës fuqizojnë tjetrën. Dhe ky fuqizim nuk i ngjan mbledhjes aritmetike të forcave, por një rritjeje eksponenciale gjeometrike, e cila zgjon një potencial krijues të pafund.

Vetëm atëherë kur arrihet kjo balancë e brendshme, jemi në gjendje të përfshihemi në atë Dashuri Hyjnore që na mëson Afërdita. Dashuri që sjell vetëm harmoni, rritje dhe shumë pasuri. Patjetër kjo filozofi qëndron edhe në zemër të Tantras. Është kjo balancë e brendshme që na lejon të marrim kënaqësi të jashtëzakonshme, kur përfshihemi në marrëdhënie seksuale me personin që dashurojmë. Dhe kjo kënaqësi nuk ngjan aspak me ato orgazmat e paqëndrueshme velëse, por me një ekstazë që zgjat e rritet vazhdimisht.

Po pse vallë kemi hequr dorë nga kjo dhuratë kaq e bukur? Përse e kemi kaq të vështirë ta pranojmë këtë kënaqësi? Përse kemi arritur deri aty sa të poshtërojmë dashurinë duke shpenzuar veten në marrëdhënie të rastit? Përse vazhdojmë shpenzojmë veten me njerëzit e gabuar? Alkimistët dhe Tantra na mësojnë se është dashuria për veten ajo që na mungon. Patjetër, konflikti i brendshëm mes mashkullores dhe femërores sonë manifestohet në marrëdhënie konfliktuale me tjetrin jashtë. Pra dashuria është gjithmonë rezultat i kësaj marrëdhënieje, prandaj është e pamundur ta gjejmë aty ku s’ka fare marrëdhënie. Po përse kemi humbur dashurinë për veten? Sepse nuk pranojmë apo mohojmë pjesë të caktuara të nënvetëdijes, të cilat lidhen me tiparet e femërores apo mashkullores.

Tipare të cilat janë pjesë e vetes autentike, të painfektuar nga mentaliteti apo gjykimet e të tjerëve. Çfarë na bën neve të mohojmë këto pjesë të vetes? Trauma…trauma na privon nga gjithë kjo energji që fle brenda nesh. Eksperienca na ka mësuar se ekziston një marrëdhënie shumë e ngushtë mes shëndetit fizik e psikik dhe aftësisë për të dashuruar. Kur fizikisht nuk jemi mirë, nuk kemi fuqi të dashurojmë. Kur psiqikisht nuk jemi mirë, nuk kemi as dëshirë dhe as energji të dashurojmë. Dhe e gjithë kjo mungesë na fut në një qark vicioz ku sa më pak dashurojmë, aq më shumë sëmuremi sepse nuk ka shkëmbim, pranim dhe lëvizje energjish. E sa më shumë sëmuremi, aq më pak e duam veten.

Por një faktor tjetër i rëndësishëm është gjykimi jonë mbi dashurinë. Ndonjëherë e shohin si dobësi, ndonjëherë si mëkat. Shpeshherë mendojmë se nuk e meritojmë, sepse nuk e duam veten aq sa duam tjetrin. E këtu lind marrëdhënia abuzive apo tradhtia. Këtu lind sëmundja, paradoksi. Tradhtojmë partnerin por në fakt harrojmë që po tradhtojmë veten, që po hedhim poshtë gjithë investimin fizik, emocional e social që kërkon ruajtja e një marrëdhënie. Krijojmë situata e probleme të pazgjidhshme.

Lëndojmë tjetrin vetëm pse nuk jemi të sinqertë me veten. Dhe e gjithë kjo marrëdhënie e koklavitur me partnerin është thjesht një shëmbëllim i marrëdhënies mes mashkullores dhe femërores brenda vetes. Është shëmbëllim i marrëdhënies mes të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes tonë. E ngaqë nuk marrim më kënaqësi, humbasim besimin te dashuria. Fillojmë të mendojmë se ajo ishte thjesht një iluzion dhe nuk ndërtojmë më, por konsumojmë marrëdhënie. Ndaj të rinjtë e sotëm, të cilëtnuk patën mundësi të mësonin dashurinë nga prindërit e tyre, e aq pak nga njëri-tjetri, kërkojnë kompensim te substancat. Kultura e acidit, MDMA-së dhe MDME-së, gërshetuar dhe me muzikën kërkon të imitojë ekstazën e dashurisë (po ashtu dhe heroina, kokaina, marijuana,etj.).

Por është një ekstazë që konsumon vazhdimisht veten, ndaj vjen duke u zbehur gjithnjë e më shumë. Nuk ka gjenerim dhe ndërveprim me tjetrin, por vetëm izolim dhe konsum të vetes. Patjetër, është nevoja për të ndjerë ajo që na çon drejt eksperimentimeve me substanca, apo drejt seksit pa dashuri. Por a ia vlen të bëhemi rob i substancave apo rob i seksit? Shumë e ndjejnë këtë robëri, por nuk shohin që lirinë mund të ua sjellë vetëm dashuria. Po si të arrijmë tek ajo? Mos duhet të presim deri sa të ndodhë ajo martesë e brendshme e pastaj të dashurojmë?

Ndoshta nuk do na mjaftonte as tërë jeta për ta arritur këtë balancë, por kjo nuk do të thotë që duhet të rrimë vetëm. Ashtu siç nuk është i shëndetshëm izolimi i mashkullores dhe femërores brenda nesh. Dashuria është diçka natyrale. Nuk e dimë kë, kur dhe si do dashurojmë. Thjesht e ndjejmë dhe e jetojmë. E përgjatë rrugëtimit të saj, uljet e ngritjet na mësojnë si të çlirohemi nga barrierat e mentalitetit; si të shërohemi nga traumat; si të falim veten për eksperiencat e kaluara; si të pranojmë veten e vërtetë pa u konfliktuar së brendshmi me të; si të pranojmë tjetrin ndryshe, i cili na mëson e na pasuron më shumë me atribute të reja. Dashuria është gjithmonë krijuese sepse na dhuron ndjesi të reja, ekstaza të reja. Na mëson të vërtetën: që monotonia është vdekje dhe robëri. Na mëson se pronësia apo pushteti mbi tjetrin, dobësojnë kënaqësinë dhe vyshkin marrëdhënien. Dashuria është magji, sepse duke na dhuruar Lirinë, na ushqyen dritën e brendshme. Zgjon dhe zhvillon aftësi të reja brenda vetes.

Po si ta zgjojmë aftësinë për të dashuruar? Duke e nderuar. Duke nderuar virtytin dhe të bukurën. Kështu do dashurojmë vetëm njerëz të bukur. Sepse vetë dashuria na bën të bukur. Duke nderuar femëroren. Sepse në natyrë dashuria është atribut i femërores. Sepse femra krijon, duke shkëputur nga trupi saj, vetëm nga dashuria. Femra nuk duhet të ketë turp të shprehë në trup e në sjellje dashurinë. Mashkulli duhet të nderojë dashurinë që ndjen kur e sheh atë të pasqyruar te femra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat