‘Shpreha mendimin tim, më uruan kancerin dhe përdhunimin’, rrëfimi i një vajze të sulmuar online - Bota Sot
‘Shpreha mendimin tim, më uruan kancerin dhe përdhunimin’, rrëfimi i një vajze të sulmuar online

Life style

‘Shpreha mendimin tim, më uruan kancerin dhe përdhunimin’, rrëfimi i një vajze të sulmuar online

Më: 20 prill 2020 Në ora: 06:28
Ilustrim

Sulmet online nuk janë diçka e re. Kanë lindur me përdorimin e rrjeteve sociale dhe vazhdojnë të ndodhin në masë. Të gjithë mund të kemi qenë “viktimë” e tyre, ose mund të kemi sulmuar (ndoshta pa dashur) dikë. Carmelo Abbate, një gazetar italian, ka publikuar rrëfimin e një vajze që papritur është përballur me një lum fyerjesh, mallkimesh dhe komentesh të rënda. Ndoshta pasi ta lexoni, do të filloni të mendoni më shumë për efektin që kanë komentet tuaja online.

“Jam një vajzë nga Trapani dhe jam 26 vjeçe. Jam pronare e një restoranti që e kam hapur 5 vite më parë me familjen time. Të them të vërtetën, nuk mendoja se do ishte puna e ëndrrave të mia. U gjenda rastësisht, duke menduar vetëm të bëja prindërit të lumtur, por s’më shkoi dhe aq keq. Më jep edhe shumë kënaqësi, ndihmoj të tjerët, u jap punë familjeve dhe jam krenare. Përgjatë vitit të fundit, pasi kalova në depresion për faj të një të dashuri që më shkatërroi, mësova të ngre kokën, të mos fshihem më dhe të mos kem turp nga ajo që mendoj. Kam mësuar ta kthej frikën në vendosmëri, lotët në forcë.

Dy ditë më parë, pashë një postim në faqen në Instagram të Salvini-t. Flitej për zbarkimin e emigrantëve. Lexova disa komente që s’m’u dukën të njerëzishme dhe shkrova mendimin tim. Pak a shumë ishin këto fjalë: Kujtoni që bëhet fjalë për qenie njerëzore. Kaq.

Nuk po të them për lumin e fyerjeve që shpërthyen. Mora edhe shumë komente seksiste, dhjetra fjalë që si qëllim kishin të më uronin vdekjen, përdhunimin, kancerin në mitër dhe në tru. Kjo gjë më tronditi. Mendimi i parë ishte të fshija komentin tim dhe ta lija me kaq. Por më pas pyeta veten: Pse?

Atëherë mora në dorë situatën dhe e denoncova në polici. Nuk më intereson të dëmshpërblehem, thjesht doja të reagoja, nuk doja të nënshtrohesha. Nuk dua ta bëj kurrë më.

I publikova komentet në faqen time personale, duke shpjeguar ndodhinë dhe përveç komenteve të tipit “E ke kërkuar vetë”, mora edhe shumë mesazhe solidariteti – mesazhe që më kanë prekur dhe më kanë dhënë akoma edhe më shumë forcë.

Po e ndaj me ty këtë episod, në mënyrë që ky degradim të marrë fund. Në mënyrë që të gjitha gratë dhe burrat që janë viktima të urrejtjes të mund të gjejnë forcën për t’u bashkuar, të ngrenë kokën, të marrin frymë dhe të luftojnë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat