Si të vishemi për festa!

Life style

Si të vishemi për festa!

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 15:43
Foto Ilustrim

Të besohet se edhe një vit tjetër po ikën? Pa dyshim, ka pasur edhe ky momentet e tij më të bukura dhe jo të bukura gjithashtu, por të gjithë janë entuziastë sa herë vjen një vit i ri. Nata e 31 dhjetorit duhet të jetë një prej netëve për t’u dukur e veshur mirë. Ndaj Anjeza Tufina, blogere, na jep disa mendime se çfarë të veshim dhe ku duhet të kemi kujdes për natën e ndërrimit të viteve.

“Për Vitin e Ri mund të guxojmë më shumë për daljen në darkë, ku këtu është i pranueshëm çdo lloj stili, nga fustanet me shumë shkëlqim, që presin gjithë vitin datën 31 për të dalë nga dollapi.

Konkretisht mund të zgjedhim një fustan i teri me “sequins” të mëdhenj që janë perfektë për një natë vallëzimi ku dritat luajnë shumë bukur me fustanin. Nëse një total look me shkëlqim do ishte tepër për stilin tuaj, mund të veshim një fund me sequins i shoqëruar me një bluzë të thjeshtë të zezë dhe aksesore minimal duke i lënë fundit të gjithë vëmendjen. Një tjetër veshje që shoh që përdoret shumë pak nga femrat, por që është perfekt si për lirshmërinë që të lë në të kërcyer, po ashtu edhe elegancën që të jep janë ‘jump suit’ tutat te strukturuara. Për të qenë akoma me ndryshe në mbrëmje ku të gjitha femrat zgjedhin një LBD (Little Black Dress) mund të shkohet kundra rrymës me një LWD (Little White Dress) që në mes të shumë njerëzve të veshur me të zeza bie më shumë në sy.

-Detaji që bën diferencën ?

Një nga detajet që femrat në përgjithësi zgjedhin të fundit, por në të vërtetë duhet t’i zgjidhen të parat, janë këpucët. Shume veshje prishen shumë kollaj nga një palë këpucë që nuk ndjekin stilin dhe ngjyrat e fustanit. Këshilla më e mire është të zgjedhim së pari këpucët, pastaj të krijojmë një veshje rreth tyre. Një nga mënyrat për të mos gabuar me këpucët është te ndjekim shembullin e Kate Middleton e cila vesh gjithmonë një palë këpucë elegante në ngjyrën “nude” duke bërë në këtë mënyrë që të mos bie në sy këpuca, por vetëm veshja.

-A ka ndonjë gjë në të cilën nuk duhet të gabojmë duke pasur kujdes?

Çfarë shoh në Shqipëri që është theksuar shumë në vitet e fundit është make up për festa. Nëse me veshjet mund edhe të shkojmë nga një ekstrem në tjetrin duke shprehur guston tonë dhe duke e përshtatur për tipin e festës, tek grimi nuk është e nevojshme të “vishemi”. Kështu që gabimi kryesor që duhet të evitojmë është të trukohemi aq shumë sa të krijojmë një maskë ku mbrapa fshihet fytyra. Trendet kryesore në botën e bukurisë janë, kujdesi për lëkurën dhe krijimi i një pamjeje sa më natyrale.

-Pa lënë mënjanë meshkujt, na sugjeroni diçka edhe për ta?

Meshkujt e kanë jetën shumë më të lehtë për festa. Një palë xhinse blu dhe një këmishë të bardhë dhe janë gati për çdo lloj darke dhe feste. Për ata që ndjekin modën mashkullore më shumë, vitet 70 janë kthyer bashkë me rebelët si Steve McQueen dhe rock’n’rollin ku pantallonat vijnë më të gjera poshtë, lëkura hyn përsëri në gardërobën mashkullore me xhaketat dhe pantallonat e lëkurës.

Përgjithmonë e kuqja

Pasarelat janë një ide e mirë për t’u orientuar, jo vetëm për modelet, por edhe ngjyrat. E kuqja mbetet një trend që nuk do të ketë kurrë fund. Dhe kjo rikonfirmohet çdo vit, pasi është joshëse, e gëzueshme dhe seksi. Ka prepotencën e saj edhe goldi, shumë e preferuar nga vajzat. Shkrihet mirë me vezullimin e dritave dhe i qëndron ngrohtë të kuqes apo jeshiles, ngjyrave simbol të festave të fundvitit. Për ata që nuk duan të jenë ta parashikueshëm, e bardha e borës apo e zeza klasike, mbeten një zgjedhje perfekte.

Të vishesh bukur në kohë krize

Edhe pse vendi kalon një krizë ekonomike, më të përkëdhelurat në këtë fundvit vazhdojnë të jenë qendrat estetike dhe dyqanet e veshjeve e të dhuratave. Mania për t’u dukur mirë ndoshta nuk ka për t’u zbehur kurrë. Mbrëmjen e shumëpritur të Vitit të Ri, njerëzit i lejojnë vetes të shpenzojnë edhe ca nga kursimet që kanë mbledhur gjatë vitit për t’u argëtuar e zbukuruar. Tendencat çdo vit ndryshojnë.  Ka dhe një anë të kundërt kjo natë dhe ne ju ndihmojmë që të mos bëni gabime duke iu këshilluar se çfarë nuk duhet të përdorni në këtë mbrëmje speciale. Mbi të gjitha nuk duhet të vishni veshje të rastësishme, nuk duhet të përdorni shkëlqimin, ngarkesën në aksesorë dhe çizme, pavarësisht se janë në modë.

Gabimet

Gabimet që s’duhet ABSOLUTISHT të bëhen janë: Për femrat JO fustane casual për mbrëmjen e Vitit të Ri, JO aksesorë të ngarkuar, JO geta me shkëlqim, JO çizme, sado të jenë tendencë nuk vishen KURRË për mbrëmjen e Vitit të Ri dhe JO fustane tip “ballo” sepse jemi në 2014-ën. Për meshkujt JO çorape sportive sepse kur ulemi pantallonat ngrihen dhe duket shumë keq, JO kostum me shkëlqim, le ta lëmë për një ditë modën orientale pas, JO unaza-varëse floriri. Është një mbrëmje e shenjtë dhe JO këmishë me logo ose me emrin e firmës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat