Si mund ta “festoni” çdo ditë dashurinë tuaj!

Life style

Si mund ta “festoni” çdo ditë dashurinë tuaj!

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Të dashuruarit festojnë për dashurinë e tyre në ditë të veçanta, në përvjetorë, festa ndërkombëtare etj. Por më e bukura do të ishte që kjo ndjenjë të vlerësohej dhe pse jo të festohej çdo ditë. Psikologët thonë se në këtë mënyrë, çdo vështirësi në jetë do të kapërcehej më lehtë

Dita ndërkombëtare e të dashuruarve ka vetëm pak ditë që ka kaluar. Por disa çifte ose individë mbeten ende indiferentë ndaj kësaj feste me pretendimin se për ta çdo ditë është një festë e tillë. Si mund të ndodhë kjo do të pyesnit ju? Ja disa ide interesante për ta “festuar” çdo ditë dashurinë tuaj…

Përpara se të flini mos harroni kohën për tjetrin

Kjo është një ide mjaft e mirë si për ata që jetojnë bashkë edhe për ata që nuk ndodhen në kushte të tilla. Kushtojini gjithmonë kohë dhe dashuri personit tuaj të zemrës përpara se ai/ajo të flejë. Kjo do t’ju ndihmojë të flini më qetë. Për më tepër që sjell paqe, nëse keni pasur ndonjë hatërmbetje, keqkuptim apo edhe mund të jeni zënë.

Kur të takoheni flisni gjëra pozitive

Veçanërisht për personat të cilët jetojnë bashkë: momenti i kthimit në shtëpi pas pune është momenti kur çdo njeri shfryhet te dikush, shpesh duke u nevrikosur, për atë që ka kaluar gjatë gjithë ditës. Kjo sigurisht ndonjëherë është e nevojshme, por jo e drejtë, sepse tensionet do të shtoheshin dhe jeta do të bëhej e zymtë. E mira do të ishte që të ndjenjat negative t’i çlironit nëpërmjet një përqafimi të gjatë dhe të ngrohtë. Më pas bisedën fillojeni duke thënë gjëra pozitive. Nëse i jepni jetë kësaj këshille në marrëdhënien tuaj personale do të vëreni ndryshime të mëdha pozitive.

Mos qëndroni gjithmonë bashkë  

Ky rregull është gjithmonë i rëndësishëm për çdo çift. Ndenjja gjithmonë bashkë, mund t’i bëjë keq marrëdhënies, sepse partnerët fillojnë të mërziten. Edhe pse bashkëjetoni, është e rëndësishme që disa mbrëmje t’i kaloni vetëm pa partnerin/partneren tuaj. Mund të dilni me miqtë tuaj përkatës ose të afërmit. Kur të ktheheni në shtëpi, do të jeni më të përmalluar për njëri-tjetrin. Pra kjo lloj sjelljeje nuk bën gjë tjetër veçse mirë.

Kini një fjalë tuajën “çelës”

Një tjetër ide shumë interesante është ajo e gjetjes së një fjale çelës, për ta përdorur në momentet më të nxehta të bisedave. Duhet të bëni marrëveshje që sapo ta thoni atë fjalë të mos vazhdoni më tutje. Sepse përndryshe mund të shprehni gjëra të pamenduara, të cilat mund edhe t’iu shkatërrojnë si njeri.

Mbani një ditar sekret për gjërat më të rëndësishme

Një nga arsyet për të cilat ai/ajo e humb vëmendjen ndaj jush është fakti se ju mbase nuk i dedikoni mjaftueshëm kohë dhe mendime atij/asaj. Sigurisht, kjo bëhet e vështirë me impenjimet e jetës gjatë çdo dite, por duke u përpjekur vetëm pak, mund t’ia dilni mbanë për të jetuar si një dhe të pandarë. Ju mund ta surprizoni atë duke shkruar për çdo herë, kujtimet më të bukura në një ditar. Kur t’i lexoni bashkë do të “shëroheni” ndoshta nga zbehja e dashurisë.

Gatuani shpeshherë bashkë

Një ide e mirë për të rigjetur pak romantizëm është ajo e të gatuarit së bashku. Nuk ka rëndësi se çfarë apo si, mjafton t’i jepni njëri-tjetrit një dorë në kuzhinë, duke përjetuar edhe momente qesharake dhe argëtuese. Kështu do të krijoni kujtime të paharrueshme.

Shëtisni sa më shumë të keni mundësi

Shëtitjet me personin e zemrës janë një nga gjërat më të bukura të jetës në çift. Ato mund të zgjidhin problemet, ndërkohë që mund të forcojnë edhe marrëdhënien tuaj në çift. Do të ishte ide e mirë që të paktën një herë në javë të dilni shëtitje në një park, në bregdet ose në çdolloj vendi të qetë.

Luani një lojë të preferuar

Gjeni gjithmonë kohë edhe për të luajtur së bashku. Patjetër që do ta keni një lojë të cilën e pëlqeni shumë të dy. Do të argëtoheni, do të ndiheni pak fëmijë dhe lumturinë do ta përjetoni në maksimum, duke e ndarë së bashku.

Hiqeni telefonat nëpër duar  

Absolutisht kjo është gjëja që duhet të keni më shumë parasysh në jetën tuaj private. Askush nuk mund ta thotë se telefoni nuk është i dobishëm, por varësia ndaj tij është shkatërruese. Të paktën mos e përdorni kur jeni duke ngrënë ose kur shkoni në shtrat. Mos u merrni me mesazhet. Dikush që ka nevojë urgjente për ju do t’ju telefonojë. Gjëja e fundit që duhet të shihni para gjumit janë sytë e tij/saj dhe jo ekrani i telefonit. Mos lini teknologjinë të shkatërrojë marrëdhënien tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat