Mënyra të shëndetshme për t’u përballur me zemërimin

Life style

Mënyra të shëndetshme për t’u përballur me zemërimin

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Zemërimi është pjesë e jetës. Ne të gjithë hasemi me dikë apo me një rrethanë që si rezultat na bën të ndihemi të zemëruar. Por zemërimi varion në një shkallë të madhe nga bezdia deri te zemërimi i papërmbajtshëm.

Studimet kanë treguar se për shkak të faktorëve mjedisorë, gjenetikë dhe psikologjikë, disa njerëz janë më të predispozuar nga zemërimi sesa disa të tjerë. Disa persona janë dukshëm më të zemëruar ose më të irritueshëm.

Megjithatë, kur zemërimi del nga konteksti dhe kur rritet më shumë se shkalla që konsiderohet normale, atëherë ky përbën një problem. Ne duhet të gjejmë mënyra për t’u përballur me zemërimin përpara se ai të rritet brenda nesh.

Ndërsa është mirë që ta çlirojmë inatin, kjo duhet bërë në mënyra që janë të përgjegjshme dhe të përshtatshme. Me fjalë të tjera, duhet të gjejmë mënyra dhe burime për t’u përballur me zemërimin tonë sa më paqësisht dhe që të përfitojmë sa më shumë prej tij.

Bëni një pushim

Mesa duket, një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të shpejta është të kuptoni se zemërimi po ju përfshin. Kur e ndjeni që zien brenda jush, bëni një pushim për një minutë, ndaloni dhe merrni frymë thellë nga diafragma. Filloni të mendoni për diçka që ju qetëson. Bëjeni këtë përpara se të keni një reagim ndaj diçkaje, do ta falënderoni veten më pas.

Rehabilitimi konjitiv

Kjo nënkupton t’i zëvendësoni mendimet negative dhe që nuk ju ndihmojnë, me mendime pozitive dhe realiste. Për shembull, shprehjen “nuk di ta bëj mirë këtë” mund ta zëvendësoni me shprehjen “edhe pse kjo është acaruese, zemërimi nuk do të më ndihmojë aspak tani”. Përdorni sërish teknikat e frymëmarrjes për të pushuar dhe për të rivlerësuar situatën.

Shkruani

Një mënyrë shumë e mirë për të shprehur veten dhe për të çliruar zemërimin tuaj është përmes të shkruarit. Mund të jetë gjëja e fundit që ju vjen të bëni në atë çast, por nëse e ktheni në zakon, do të kuptoni se është mjaft e dobishme.

Filloni të shkruani në letër se si ndiheni dhe me kalimin e kohës do të nisni të vini në punë analizën dhe logjikën, si dhe do të çlironi inatin. Kjo do të jetë mjaft e mirë për të lënë mënjanë ndjenjat tuaja dhe për të parë faktet reale të inatit dhe mërzisë.

Komunikoni

Shpreheni me fjalë atë që ndjeni dhe atë që ju mërzit. Thoni atë që vërtet ndjeni. Dëgjoni atë që ju thuhet dhe gjithashtu atë që vërtet kërkoni të zbuloni. Përpiquni të mos e lejoni zemërimin t’ju pushtojë.

Megjithëse për momentin mund të jeni shumë mbrojtës ndaj vetes, kur të merrni pak kohë për të kuptuar më mirë situatën, mund të rezultojë se keni bërë një punë të mirë për të shprehur, por njëkohësisht edhe për të përmbajtur zemërimin.

Humori

Pasja e një sensi humori do t’ju ndihmojë shumë. Ndërsa nuk është e shëndetshme të qeshni dhe të shpërfillni ndjenjat tuaja, nëse keni një situatë që ju ka zemëruar shumë, përpiquni t’i shihni anën qesharake sa për të çliruar mërzinë. Nuk do t’ju ndihmojë sarkazma apo humori i zi, mjafton të lironi pak presionin mendor dhe të mund të bëni gjërat me qetësi.

Aktiviteti fizik

Bëni vrap ose dilni për një shëtitje. Bëni gjithçka që ju heq energjinë negative dhe ankthin që ju është ndërtuar nga brenda, përndryshe do ta shpërtheni atë në zona të tjera. Çlirimi i energjive të padëshirueshme me aktivitet është një nga mënyrat më efektive dhe që ndihmon shumë edhe personat që kanë punë stresuese.

Flini

Mos u merrni me gjërat që ju mërzisin ndërsa jeni lodhur. Nëse nuk ndiheni mirë, mund të pushoni paksa duke marrë një sy gjumë. Kjo do t’i qetësojë gjërat dhe në mëngjes do të jeni më të freskët për t’u përballur me çfarëdo situate që mund t’ju ketë mërzitur. Kjo është e bukura e ndjenjave, ato gjithnjë ndryshojnë.

Identifikoni zgjidhjet

Në vend që të merrni kohë duke u përpjekur të tregoni se sa të zemëruar që jeni, filloni të mendoni se cilat do të ishin zgjidhjet që do t’ju ndihmonin më tepër për të kaluar mërzinë që ju ka kapluar. Identifikoni mjetet dhe mënyrat që mund të përdorni për të dalë nga situata e keqe dhe nxiteni veten të mos dorëzohet pa e provuar.

Praktikoni faljen

Është e vërtetë që shpesh veprime të caktuara na zemërojnë dhe na lëndojnë, por mbartja me vete e ndjenjave negative është po aq shkatërruese sa veprimi që na mërziti. Për këtë arsye është më e shëndetshme nëse praktikoni mënyra për të falur personat që ju kanë lënduar. Filloni duke menduar se cilat janë edhe gabimet tuaja dhe mendoni se sa bukur do të ishte t’i hidhnit të gjitha këto pas krahëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat