Ky vit na mori shumë… përqafime, puthje, njerëz zemre!

Life style

Ky vit na mori shumë… përqafime, puthje, njerëz zemre!

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 06:34
Ilustrim

Ka një vend bosh në tryezë këtë fundvit, për shumë familje në mbarë botën, ka një vend bosh në shpirt, ka një boshllëk në zemër… Ky vit na mori shumë, oh sa shumë na ka borxh, na mohoi puthjet e prindërve dhe ledhatimet e gjyshërve, edhe lamtumirat na i mori, për te mos i kthyer asnjëherë më…

Ky vit ishte i pazakontë, i vështirë, por ne disi ia dolëm dhe po përpiqemi të ia dalim çdo ditë. Kjo ishte lufta, ne jetuam luftën e 2020, me heronj të heshtur, plagë të rënda zemre, lot lamtumire, të plagosur dhe të mbijetuar. Por ka gjithmonë dritë pas errësirës dhe errësira më e thellë është ajo pak përpara se të agojë…

Jemi në prag festash, shumë prej nesh me zemra të plagosura, por kjo është jeta, askush nuk tha që është e drejtë, ajo thjesht është…. Megjithatë festat nuk janë asnjëherë të trishtuara, sepse festat janë DASHURI dhe ky vit na mësoi se një xhep i vogël plot  dashuri është gjithçka, familja është gjithçka, shëndeti është mbi gjithçka… Prandaj nëse gëzon shëndet të mirë, ke familjen dhe dashurinë, enzuziazmohu dhe ndjeje magjinë në ajër, sepse ke gjithçka për të cilën njerëzimi lutet ose ka humbur, gjithçka e cila ka vlerë.

Eventi më i madh që është realizuar ndonjëherë, ndodh live në çdo moment, është JETA, ajo të thërret dhe ti duhet të marrësh pjesë. Ngjarje të hidhura kanë lënë shenjë në kalendar gjatë këtij rrugëtimi dymbëdhjetë mujor, por zemrën mos e ndal në atë stacion, zbrit vetëm ku ndjehet në ajër lumturi dhe shpresë.

Festat dalëngadalë po afrohen, vitet do të shkëmbehen, 2020 do të largohet, njerëzimi ka nevojë të pushojë dhe të shërohet… veç me dashuri. Dhimbja sjell dhimbje, plagët mbyllen veç me dy pika buzëqeshje, zemrat “harrnohen” me gëzim. Ka kaq shumë për të qenë falënderues, edhe nëse na duket se në të vërtetë ka mbetur shumë pak…në të vërtetë është shumë.

Eja dhe festo, ka vetëm një dhuratë që quhet jetë dhe ajo vjen vetëm një herë, çdo ditë, është momenti yt. Këto ditë, kemi zbukuruar ambjentet e jashtme dhe të brëndshme të shtëpisë apo bizneseve tona, por sa e kemi zbukuruar zemren? 

Sheqerose zemren me fjalë prej mjalti ashtu siç pudros embëlsirat e vogla në forma prej babagjyshi. Hape dhe brumoje mirë me dritë dhe pluhur shpresash. Kjo është receta e lumturisë, të gatuajmë embëlsirën më të mirë në ditën tonë më të keqe. Nëse ke së paku një zemër pranë në këtë botë që rreh për ty, festo për të, gëzo për të, jeto për të.

Të lutem, këtë fundvit, ma jep dorën të ngrejmë një dolli për shëndetin dhe dashurinë, për familjen dhe njerëzit e zemres, gjithçka tjetër le të qëndrojë në hije. Le të mos dëshirojmë dhurata poshtë pemës këtë fundvit, dhurata jonë më e madhe janë sytë që na shohin me dashuri, dora që na përkëdhel kokën dhe zemra që merakoset për ne.

Ky nuk është një fundvit i trishtuar, është një fundvit mirënjohës. 

E keqja do të kalojë, ta lemë të shkojë dhe ti hapim dyert lumturisë…

Mos u trishto, ishte vetëm një vit i keq, nuk është një jetë e keqe…

Mos u trishto, sepse nuk kam festë pa ty, mos u trishto, sepse festa ime je ti!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat