Këta janë pesë tipa kolegësh që mund ti ndeshim në zyrë

Life style

Këta janë pesë tipa kolegësh që mund ti ndeshim në zyrë

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 23:41
Foto ilustrim

Që prej atij që është në gjendje të bëjë gjithçka për sukses deri tek ajo që ka të dhënat më të freskëta të zyrës, ja cilët janë llojet e kolegëve që hasni çdo ditë

Askund tjetër, përveçse në punë, nuk jeni aq të detyruar të kaloni kohë me një shumëllojshmëri njerëzish. Një psikolog pretendon se çdo koleg mund të përkufizohet sipas një prej pesë llojeve të personalitetit. Alasdair Skot (Scott) ka krijuar një guidë që nxjerr në pah karakteristikat e secilit koleg, çfarë të bëni që të shkoni mirë me të dhe çfarë nuk duhet t’i bëni këtij personi.

Nëse jeni i ri në zyrë, nëse keni kohë që i njihni (apo mendoni se i njihni) kolegët tuaj, kuptoni karakterin e vërtetë të secilit, madje kategorizoni edhe veten tuaj.

Shtypësi

Lloji i parë i personalitetit është shtypësi, i cili përfaqësohet denjësisht prej atyre që nuk ndalojnë përpara asgjëje derisa të bëhen të suksesshëm. Ata do të ishin në gjendje të shisnin edhe nënën e tyre, nëse kjo do t’i çonte përpara. Mënyra më e mirë për të pasur marrëdhënie jo armiqësore me shtypësin, është të tregoni respekt ndaj tij, por mos i zbuloni asnjë pikë tuajën të dobët. Duhet t’i afroheni ngadalë dhe e rëndësishme është ta bëni veten të paçmueshëm për të. Ruani gjithnjë cepin tuaj të punës, në mënyrë që të jeni të pavarur prej tij. Shtypësi ka shkallë të ulët pranimi, stabilitet të lartë emocional dhe nuk është shumë i ndjeshëm. Ai e kërkon i vetëm suksesin dhe nuk është shumë i dhënë pas punës në grup.

Di gjithçka që ndodh

Mund të jetë një mashkull ose një femër, nuk ka zyrë që të mos i ketë. Janë gjithnjë të gatshëm për një kafe dhe biseda. Kanë qenë në biznes për vite dhe ndonëse nuk janë ngushtësisht të shoqërueshëm, gjithnjë mund të flasin me këdo për gjithçka që ndodh në zyrë. Për të shkuar mirë me këtë lloj kolegu ose kolege duhet t’i ofroni shpesh një kafe apo ta ftoni të dilni jashtë pune. Ajo që nuk duhet të bëni, është të futeni në sistemin e tyre, nuk do t’u pëlqente aspak që një person i ri të zërë vendin e thashethemeve në zyrë. Këta njerëz janë të ngrohtë dhe të afrueshëm, por nuk do t’ju lënë t’i aneksoni.

Shoqërori

Gjithnjë duke rezervuar ndonjë kafe pas pune apo festat kryesore të vitit dhe është i njohur për të gjithë në zyrë. Këto janë mënyrat se si mund të dalloni llojin shoqëror të personalitetit të kolegëve të zyrës.

Edhe pse bëjnë punën minimale në zyrë, duket se të gjithë i duan këta tipa. Për të shkuar mirë me shoqërorin ju mjafton ta përshëndesni dhe të gjeni kohë të bëni një bisedë të shkurtër. Çfarë nuk duhet t’u bëni këtyre kolegëve? Mos i refuzoni ata ose ofertat që bëjnë. Përpiquni t’i shmangni kur jeni të zënë, ndryshe do t’ju duhet të punoni pasi keni kthyer disa gota në lokal me të. Personaliteti i këtyre njerëzve karakterizohet prej ndërveprimit të madh me të tjerët, qëndrueshmërisë së ulët emocionale dhe sinqeritetit. Shoqërorët janë jeta dhe shpirti i një feste.

Unë bëj gjithçka

Këta janë tipat që ne të gjithë duam t’i ngjajmë. Ata vijnë në zyrë të parët dhe largohen të fundit dhe ndërkohë kanë bërë gjithçka tjetër që kishin në axhendë dhe janë në formë të shkëlqyer. Lloji i kolegut “Unë bëj gjithçka” është në njëqind vende njëkohësisht. Ata janë të shpejtë, ndaj nëse doni të shkoni mirë me ta, duhet të bëni të njëjtën gjë. Çfarë të mos u bëni këtyre njerëzve? Mos i lini të presin dhe mos i vononi. Nëse doni të qëndroni denjësisht përkrah këtij kolegu, do t’ju duhet të jeni sa më produktivë dhe po aq të organizuar. “Unë bëj gjithçka” është një tip plot energji dhe iniciativë, asgjë nuk i duket e pamundur dhe përpiqet të përmbushë gjithçka. Nuk merret shumë me detajet, për të cilat kujtohet përgjatë rrugës.

Krijuesi

Flokët e tyre janë të çrregullt, nëse janë meshkuj do të kenë një mjekër të rritur dhe tavolina e tyre përmban lloj-lloj çikërrimash. Mënyra më e mirë për të pasur marrëdhënie të kënaqshme me këtë lloj kolegu është t’i jepni hapësirë të mendojë. Ofrojini vazhdimisht kafe apo ndonjë mendim të çmendur, në mënyrë që t’i stimuloni procesin e krijimtarisë. Ajo që nuk duhet të bëni është t’i ndërpritni apo t’i tregoni rregullat gjatë kohës që po krijojnë. Krijuesi karakterizohet prej mendjes së hapur dhe vetëdijes së ulët. Nuk i pëlqen t’i bëjë gjërat sipas rregullave dhe priren nga njerëzit që shkojnë kundër rrymës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat