Sekreti i takimeve të para, porositja e të njëjtit ushqim

Life style

Sekreti i takimeve të para, porositja e të njëjtit ushqim

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Librat dhe specialistët për të gjithë beqarët në botë përmbajnë shumë informacion se si mund ta bëni një takim të parë të shkojë me sukses. Dhe megjithëse ka strategji të pafundme, kërkuesit kanë zbuluar një fakt që është lënë jashtë vëmendjes deri më tani.

Dalja në një takim të parë me dikë mund t’jua shkatërrojë nervat, që nga gjetja e veshjes së duhur deri te thënia e gjërave të duhura.

Por lërini mënjanë të gjitha fjalët që ju thonë gurutë e dashurisë, sepse skuadra e kërkuesve nga Universiteti i Çikagos ka qenë shumë e zënë duke studiuar ushqimin.

Një studim i ri zbulon se nëse shpresoni të kaloni në një takim të dytë, mjafton të konsumoni të njëjtin ushqim me personin me të cilin keni dalë. Ky truk i thjeshtë është zbuluar se shton shumë bashkëpunimin dhe besimin.

Grupi i kërkuesve lançoi një seri eksperimentesh për të kuptuar nëse konsumi i ushqimit të ngjashëm mund të nxisë një lloj ndjesie afërsie dhe besimi midis dy personave, qofshin këta kolegë, të interesuar për lidhje dashurie apo miq.

Gjatë studimit, pjesëmarrësit u ndanë në çifte me një person të panjohur për të luajtur një lojë investimi të projektuar për të matur besimin.

Subjekteve u dhanë para për të ndarë me një të panjohur që ishte kryesori në bërjen e investimeve, me një garanci se investimi do të dyfishohej në vlerë.

Këta menaxherë fondesh bënë vendimin përfundimtar mbi sasinë e madhe ose të vogël të parave që do t’i jepnin partnerit të tyre.

Përpara lojës, disa nga çiftet konsumuan të njëjtën ëmbëlsirë, ndërsa të tjerë ëmbëlsira të ndryshme.

Dhe rezultatet treguan se ata që morën më tepër para nga partneri ishin në grupet e njerëzve që konsumuan të njëjtën ëmbëlsirë.

Për të testuar më tej ndikimin e ushqimit, skuadra kreu një studim të dytë në të cilin çifteve iu caktuan palë të kundërta të një negocimi pune dhe me të njëjtën ide, disa çifteve iu dha i njëjti ushqim ndërsa të tjerëve ushqime të ndryshme.

Sërish, rezultatet treguan se ata që hëngrën të njëjtin ushqim patën kimi më të mirë mes tyre dhe arritën të binin dakord thuajse dy herë më shpejt se grupi me ushqime të ndryshme.

“Njerëzit priren të mendojnë se ata përdorin logjikën për të marrë vendime dhe ata janë gjerësisht të pavetëdijshëm se preferencat ushqimore mund të ndikojnë në mënyrën se si mendojnë”, tha Ayelet Fishbach, një profesor biznesi i Universitetit të Çikagos.

“Në nivel shumë bazik, ushqimi mund të përdoret strategjikisht për të ndihmuar njerëzit të punojnë së bashku dhe të ndërtojnë besim”, sqaroi profesori.

Në një grup të madh takimesh, për shembull, organizatorët mund të limitojnë numrin e opsioneve ushqimore për të inkurajuar konsumin e ngjashëm të ushqimit, që t’i bëjë njerëzit të shtojnë besimin dhe bashkëpunimin te njëri-tjetri, tha Kaitlin Uolley, një nga kërkueset.

Ndërsa porositni ushqim në një drekë pune me një koleg, apo edhe në një drekë me një person që dëshironi ta njihni, përzgjedhja e ushqimit të ngjashëm mund të ndërtojë një bazë të qëndrueshme.

Kërkuesit gjithashtu zbuluan se këto zbulime aplikoheshin edhe për produktet e marketingut.

10 gjërat që nuk duhet t’i bëni kurrë në një takim të parë

Eksperti i takimeve Michelle Leuis, shkrimtar i Flirting 101 dhe organizator i një grupi njohjesh, ka listuar faktorët kyçë që ju pengojnë një njohje të parë. Ja se si t’i rrisni shanset e dashurisë:

Mos u përpiqni shumë. Nëse përpiqeni fuqishëm të shisni veten te tjetri, duke nisur çdo bisedë me përemrin vetor “unë”, atëherë do t’ia hiqni magjinë diskutimit.

Mos pranoni se e keni gjurmuar. Të gjithë bëjmë një kontroll të shkurtër ose të gjatë në median sociale të personit me të cilin e lëmë për të dalë, por ju mos e pranoni këtë.

Është takim, jo intervistë. Sigurisht, ju mund të shpresoni që ky të jetë takimi i fundit që mund të keni në jetën tuaj dhe të arrini të gjeni shpirtin binjak përjetësisht, por mos i shtyni motivet tuaja shumë larg te personi tjetër.

Vajza, lëreni mashkullin të paguajë. Disa thonë se sjellja prej xhentili ka vdekur, por sipas ekspertëve është e vërtetë vetëm nëse juve e lini që të ndodhë.

Kuptoni tensionin. Përqafoni nervat që ju kapin në një takim të parë. Nëse nuk jeni nervozë, atëherë ose e keni bërë shumë shpesh, ose nuk jeni njeri.

Kushtoni vëmendje. Jini shumë të vëmendshëm dhe kapni shenjat. Përtej të gjithë stresit që po kaloni, është e rëndësishme të dëgjoni edhe atë që thotë njeriu tjetër.

Politika nuk është seksi. Fatkeqësisht, pavarësisht se sa të interesuar jeni në zgjedhjet e ardhshme, biseda e politikës nuk do ta ndihmojë shumë takimin tuaj të parë.

Harrojeni seksin. Nëse dëshironi të keni një takim të suksesshëm, harrojeni seksin që në takimin e parë. Mund të prishë gjithçka.

Pini mjaftueshëm. Shumë njerëz ndihen nervozë përpara një takimi dhe konsumi i një pije mund t’i ndihmojë ata të qetësohen dhe të largojnë tensionin, por sigurohuni që ju të mos e teproni.

Mos jepni mesazhe polemike. Jini të qartë me veten tuaj dhe mos jepni vazhdimisht mesazhe që bien në kontradiktë. Ndajeni mendjen nëse ju pëlqen apo jo tjetri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat