Shën Valentini, një mënyrë e re e përkufizimit të dashurisë

Life style

Shën Valentini, një mënyrë e re e përkufizimit të dashurisë

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 23:36
Shën Valentini

Dita e Shën Valentinit zakonisht të sjell në mendje dashurinë dhe romancën. Por edhe pa qenë në çift, kjo ditë sjell shumë arsye për të festuar. Të ndjekim korrespondenten e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo.

Është dita e Shën Valentinit dhe pavarësisht nëse njerëzit mezi e presin ose druhen prej saj, ekspertët thonë se mund të jetë koha e përshtatshme për ta parë ndryshe këtë festë të dashurisë.

"Mendoj se pritshmëritë për ditën e Shën Valentinit, me një darkë në çift dhe lule, mund të jenë shumë kufizuese për njerëzit. Mendoj se do të ishte më e dobishme, do t'i bënte njerëzit më të lumtur, nëse e interpretojmë këtë festë në një mënyrë shumë më të gjerë", thotë Sonja Lyubomirsky, profesore psikologjie në Universitetin e Kalifornisë, Riverside.

Ajo shton se festa është edhe për ata që kanë zgjedhur të mos jenë në çift.

"Dita e Shën Valentinit është gjithashtu kufizuese në një farë mënyre, pasi sikur përçon mesazhin se vetëm nëse ke një partner romantik mund të jesh i lumtur”, thotë ajo.

Karen Donaldson, Eksperte e Komunikimit, Sjelljes dhe Vetëbesimit, thotë se është një kohë e mirë për të kaluar kohë me njerëzit e dashur.

"Prandaj zgjidhni të shpenzoni kohë me një njeri të dashur dhe tregojuni sa të veçantë janë në jetën tuaj. Mund të jetë nëna, babai, vëllai, një mik i mirë, një fqinj, një gjysh. Dhe më kryesorja, tani më shumë se kurrë, mund të dërgoni më shumë dhurata. Pra, nëse nuk i takoni dot, nuk ka nevojë vetëm t’u dërgoni lule. Mund të jetë një ëmbëlsirë. Mund të jetë një dhuratë me ushqime, ose një komplet masazhi, çfarëdo që t’u pëlqejë", thotë Karen Donaldson, Eksperte e Komunikimit, Sjelljes dhe Vetëbesimit.

Por mund të jetë edhe diçka fare e thjeshtë si një kartolinë e bërë vetë, ose e blerë në dyqan. Shprehja e dashurisë bën mirë edhe për shëndetin, thotë zonja Donaldson, veçanërisht në një vit ku bota ka parë kaq shumë humbje për shkak të pandemisë së koronavirusit.

"Kur bëjmë diçka të mirë për dikë, çlirohen hormonet tona të lumturisë. Më konkretisht, stimulon çlirimin e oksitocinës në trup, që ka treguar se ka një ndikim pozitiv në gjendjen tonë shpirtërore dhe emocionet tona. Është ajo ndjesia e ngrohtësisë dhe butësisë dhe gjithashtu ul stresin dhe ankthin për të dy personat", thotë zonja Donaldson.

Por edhe nëse vendos të jesh i lumtur i vetëm në Ditën e Shën Valentinit, do të ishte një zgjedhje e shëndetshme, thotë ajo.

"Shumë prej nesh kanë një listë të gjërave që duam të bëjmë, kështu që ky është momenti të duam veten dhe t’i bëjmë ato gjëra që janë në listë për Shën Valentin. Kujdesuni për veten, bëjeni atë masazhin 2 orësh. Në varësi të udhëzimeve për karantinën, mund të porosisni darkën ose të hani jashtë ose madje thjesht bëj një banjë të gjatë prej tre orësh nën dritën e qirinjve, që ke dashur ta bësh prej kohësh. Thjesht merreni veten me të mirë, duajeni veten dhe zgjidhni vetë se ç’është dashuria për ju", thotë zonja Donaldson./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat