Si u martova me një burrë shumë më të vjetër

Life style

Si u martova me një burrë shumë më të vjetër

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Për adetet e asaj kohe, nëna ime ishte martuar me vonesë, në moshën tridhjetëvjeçare. Asokohe babai im ishte në fund të dekadës së pestë të jetës, kështu që, kur na shihnin së bashku, shumë mendonin se ai ishte gjyshi im. - Mbesa juaj ju ngjan aq shumë… me gjasë jeni krenarë… Një njeri aq i ri, e tanimë gjysh. Hallall ju koftë… - komentonin njerëzit, kurse babai mundohej që t'ua shpjegonte situatën dhe të arsyetohej. Atëherë nuk kuptoja sesi ndokush mund të mendonte se babai im ishte gjyshi im, por me kalimin e viteve, e kuptova këtë.

Nëna ime gjithnjë qeshte ëmbël kur e dëgjonte këtë rrëfim, meqë asaj nuk i pengonte ky dallim në moshë. Ishte e lumtur që rinia e saj vinte në shprehje kur qëndronte pranë burrit. I pëlqente që të theksonte sesi "hekuri i vjetër lehtë mund të zëvendësohet me një të ri", por më dukej se nuk mendonte seriozisht kështu. Më dukej se donte t'ia bënte me dije burrit të saj se duhej ta ruante si sytë e ballit dhe t'ia plotësonte të gjitha dëshirat. Mendoj se ajo nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë, meqë babai sillej but ndaj saj dhe ia plotësonte të gjitha dëshirat. Më vonë kuptova se ai kishte frikë mos nëna po e linte, e po shkonte me ndonjë mashkull më të ri. Kjo frikë e mundonte atë edhe pas njëzet vjetësh martese. Kishte disa vjet që kishte dalë në pension, kur i ra ndërmend se duhej të ushtronte.

Nëna i thoshte se kriza e moshës së mesme e ka prekur me vonesë. E dinte se ai donte të rrinte në formë, në mënyrë që ajo të mos ndihej keq kur të dilnin bashkë. Nuk donte që ndokush të mendonte se si ai nuk e meritonte të shoqen, e as të lejonte që ajo të dashurohej në dikë që dukej më mirë se ai. Ai injoronte faktin që nëna ime nuk do ta linte njeriun që ia kishte plotësuar çdo dëshirë. Ma merrte mendja se frika e tij ishte motivi kryesor, i cili e shtynte që, në ditët e pleqërisë, të vraponte dhe të çonte pesha. Nuk kishte nevojë që t'i thosha se ishte e pakuptimtë një maltretim aq i madh, kur nëna nuk e kishte ndërmend të ndahej nga luksi në të cilin jetonim ne të tre.

Sikur të mos ishte ai bollëk, atëherë ndoshta frika do të ishte e arsyeshme, por kështu... Nëna kënaqej me statusin e princeshës. Nuk kishte asnjë ditë pune stazh, por për këtë shkonte rregullisht në tretmanë, të cilët e mbanin rininë e saj në nivelin prej para njëzet viteve. Nuk i pengonte fakti që kishte një vajzë të moshës madhore. Kënaqej kur ndokush gabonte, e më thoshte sesi "motra" ime dukej për mrekulli. Asaj i pëlqenin komplimentet dhe më duket se ato e përtërinin më shumë se çdo tretman i mundshëm. Natyrisht, edhe mua më pëlqenin fjalët e mira, sidomos kur hyra në moshën kur kishte rëndësi t'i pëlqeja ndokujt. Mund të thuhej se nënën e kisha yrnek dhe se nuk isha larg mënyrës së saj të të menduarit.

Këtu, në rend të parë e kam fjalën për përzgjedhjen e meshkujve, të cilët kishin karakterizuar rininë time. Thënë më saktësisht, vetëm një njeri ishte bërë i rëndësishëm edhe atë kur isha në prag të moshës njëzet vjeçare. Para tij isha e rrethuar nga moshatarët, e ata kurrë nuk më kishin interesuar. Nuk i kuptoja shakatë e tyre, ata nuk më ishin mjaft bindës. Ishin tepër joseriozë, në mënyrë që të më bënin për vete. Më interesonin meshkujt më të rritur. Edhe pse isha praktikisht ende fëmijë, më shumë më bënin përshtypje meshkujt me kostume sesa moshatarët e mi me xhinsi dhe mbathje sportive. Thjesht, kishte diçka, njëfarë sharmi, te meshkujt më të vjetër. Nuk është se e kisha për interesa materiale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat