Para martesës mund të bëni këto ndërhyrje estetike

Life style

Para martesës mund të bëni këto ndërhyrje estetike

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Me ardhjen e verës vjen edhe stina e dasmave, pasi kjo periudhë është shumë e përshtatshme për dasmat që zhvillohen jashtë, në plazh, në një hotel me pishinë ose në një oborr të gjelbëruar. Çdo vajzë ëndërron për ditën e saj të madhe: si do të jetë fustani, modeli i flokëve, si do të duket.

Çdo nuse është personazhi kryesor i asaj dite, kështu që dëshiron të duket më mirë se çdo ditë tjetër, por cilat janë procedurat kirurgjikale dhe jokirurgjikale që mund të zhvillohen te nuset e ardhshme dhe sa kohë përpara dasmës duhet të kryhen ato? Dr. Rezarta Kapaj, kirurge plastike pranë Spitalit Amerikan jep disa këshilla për kohën që duhet të respektohet për çdo procedurë.

4-6 MUAJ PËRPARA DASMËS

RINOPLASTIKA DHE MBUSHJET ME DHJAMË TË FYTYRËS DHE BUZËVE
Një hundë me kurriz apo me majuc, që shikon poshtë, është barazuar gjithmonë me gratë e liga, shtrigat dhe nuk cilësohet si një tipar i preferuar për gjininë femërore. Përveç kësaj, përgjithësisht hundët me majë për poshtë karakterizohen nga problemet në frymëmarrje. Operacioni i rinoplastikës ka një periudhë gjatë së cilës hunda është ende edematoze dhe, duke pasur parasysh karakteristikat e pacientit si dhe teknikën operatore që përdoret, mund të variojë nga 6 javë deri në 6 muaj, ndaj këshillohet që kjo ndërhyrje të kryhet disa muaj përpara ditës suaj të madhe. Për të zbutur më shumë tiparet dhe për të krijuar një fytyrë sa më tërheqëse, në shumë raste rinoplastika shoqërohet me mbushjet e mollëzave dhe buzëve me dhjamin e vetë pacientes.

Tiparet tona si shqiptarë, ndryshe nga zona të tjera të Europës, karakterizohen nga mollëza të sheshta dhe buzë jo shumë të plota. Me mbushjen me dhjamë të këtyre zonave, jo vetëm arrihet një mbushje permanente dhe super natyrale, por edhe lëkura ka një përfitim të madh, për shkak të qelizave ushqyese që përmban dhjami i injektuar. Sidoqoftë, edhe kjo procedurë ka një periudhë shërimi prej 2-3 javësh, kështu që është më e sigurt të zhvillohet disa muaj përpara dasmës.

2-3 MUAJ PËRPARA DASMËS

ZMADHIMI I GJOKSIT
Të gjitha vajzat ëndërrojnë për dekoltenë ideale ditën e dasmës dhe kjo mund të arrihet me anë të zmadhimit të gjoksit. Me zhvillimin e teknikave kirurgjikale tanimë ky operacion zgjat vetëm 45-60 minuta, nuk ka nevojë për qëndrim të gjatë në spital dhe ka fare pak ose aspak dhimbje. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të theksojmë se nuk ndikon aspak në aftësinë e gjidhënies për nënat e ardhshme. Është mirë që kjo procedurë të zhvillohet 2-3 muaj përpara dasmës.

1 MUAJ PËRPARA DASMËS

PROCEDURA MINIINVAZIVE
Me afrimin e datës së dasmës, shtohet edhe stresi. Në këtë periudhë nuk këshillohen operacione invazive, por procedurat miniinvazive. Sidoqoftë, edhe këto e kanë një periudhë shërimi dhe dihet që nusja nuk dëshiron të marrë pjesë në dasmë me një nxirje, sado e vogël qoftë ajo.

BOTOKS
Për ngritjen e lehtë të vetullave dhe zbutjen e shenjave të mimikës, sidomos për dy vijat vertikale në ballë, që mund të jenë shtuar disi nga stresi i dasmës, botoksi ju ofron një ballë të lëmuar dhe një vetull të harkuar. Gjithashtu, botoksi masseterik ofron një fytyrë më të qetë dhe një hollim në zonën e nofullave, ndërsa botoksi i aplikuar në sqetull, ju bën të ndiheni më rehat e të kërceni pa fund, pa pasur frikë se do të djersini.

ACIDI HIALURONIK

Mbushjet me acid hialuronik janë mjaft të thjeshta për pacienten, e cila mund t’u kthehet menjëherë punëve të përditshme; madje ditën e injeksionit mund të shkoni të provoni pa frikë menunë. Zona poshtë syve dhe mbushja e buzëve janë procedura shumë të kërkuara nga nuset e reja. Në këtë periudhë, mund të zhvillohet edhe rinoplastika likuide, pra, mbushja e hundës për të krijuar një profil më të bukur. Me anë të këtyre injeksioneve mund të sigurohet volum në zonat ku ai mungon, thjeshtohet mjaft puna e artistit të makijazhit dhe lapsi mbi buzën e sipërme nuk do të jetë më i nevojshëm. Sigurisht që këto procedura duhet të kryhen nga specialistë të mirëfilltë, që të mos ju shtohet edhe një stres tjetër përpara dasmës. E nëse nuk ju pëlqen pamja e re, gjithçka mund të kthehet në gjendjen e mëparshme me anë të injektimit të një enzime.

MEZOTERAPIA DHE PRP-JA

Për një lëkurë rrezatuese në ditën e dasmës injeksionet e acidit hialuronik, vitaminave dhe PRP-së mund të aplikohen duke filluar 2 ose 3 muaj përpara dasmës. Këto procedura aplikohen edhe në flokë për t’u dhënë më shumë shkëlqim atyre, një nga elementet më të rëndësishme të një nuseje të bukur; por kujdes, injeksioni i fundit nuk duhet të jetë më afër se një muaj përpara ditës së madhe.

DITËN E DASMËS

Kjo është dita juaj! Ju jeni ylli i kësaj ngjarjeje të madhe dhe nuk diskutohet që do të shkëlqeni. Mos harroni se pavarësisht nga injeksionet, kirurgjia estetike dhe makijazhi, një nuse është gjithmonë e bukur, nëse është e lumtur dhe ka dy sy që qeshin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat