Pse të martat janë ditë kaq të urryera

Life style

Pse të martat janë ditë kaq të urryera

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 19:05
Foto ilustrim

Për fat të keq – sërish – është e martë. Po, të hënën e lamë pas dhe kjo është gjë e mirë, por sidoqoftë, na pret shumica e javës – nëse sigurisht, ia dalim deri në fund të javës, sepse siç e dimë të gjithë, të martat janë të pafundme. Në një moment a tjetrin, duhet të keni menduar me vete “me siguri është e enjte.” Por jo. Është thjesht e martë. Duhet të kalojnë tre, për disa katër ditë që të vijë fundjava. Duket sikur ka kaluar një përjetësi nga e hëna dhe natyrisht mund të hamendësoni që është e mërkurë, por siç ju thashë, është e martë! Si? Si ka mundësi që është ende e martë dhe kur do të marrë fund kjo dreq dite. Pse e marta na bën të ndihemi kaq në siklet, javë pas jave?

Mendova se kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjej vetëm Zoti, por pastaj fola me Ruth Ogden, lektore e psikologjisë në Liverplool John Moores Univerisity, e cila studion mënyrën sesi njerëzit perceptojnë kalimin e kohës. Siç mund të keni dyshuar, ndjenjat negative që përjetojmë të martave lidhen ngushtazi me të hënat. “Kur bëjmë shumë gjëra, kur procesojmë shumë informacion, na duket sikur ka kaluar më shumë kohë nga ç’ka kaluar vërtet,” thotë Ogden. Për shumicën e njerëzve që punojnë 9 me 5, e hëna është dita më e zënë e javës – dita kur shkartis punët e dala gjatë fundjavës, dita kur mbaron punët e lëna përgjysmë të premten dhe dita kur planifikon javën në vijim. Si pasojë, të hënat duken tejet të gjata dhe kështu, kur vjen e marta na duket e pabesueshme që është thjesht e martë.

Një tjetër faktor me ndikim në perceptimin e kohës janë emocionet, thotë Ogden. Sa më shumë të ndjejmë, aq më i shtrëmbëruar është përceptimi i kohës. Kërkuesit i masin ndjenjat e përjetuara përmes djersës dhe poligrafeve. Duke marrë parasysh se e hëna është ditë stresuese meqë ka shumë punë, na duket sikur zgjasin përjetë. Kur vijmë tek e marta e dreqosur dhe kuptojmë se shumicën e javës e kemi para, ndihemi të shokuar dhe të zhgënjyer, shpjegon Ogden.

Doni më lajme të këqija? Ky fenomen do të përkeqësohet me kalimin e viteve. “Njerëzit e moshuar thonë se koha kalon më shpejt kur plakesh. U duket sikur Krishtlindjet vijnë më shpejt nga viti në vit. Kjo mund t’ju duket gjë e këndshme nëse i shijoni Krishtlindjet, por mendojeni mirë. Zëvendësoni shkurtin me të martat. Porsi të martat s’marrin fund kurrë, po ashtu dhe shkurtet. Si ka mundësi që koha përshpejtohet, por të martave ndalon tërësisht. Çfarë është koha njëherë? Ahhh.

Ogden sugjeron që të ndryshojmë mënyrën si i shohim të martat. Ajo, si shumë prej nesh, i organizon aktivitetet argëtuese në fundjavë (plane me miqtë, restorantet, filmat), nën idenë se jeta dhe puna do të qetësohet disi deri atëherë. Kështu që, bëni diçka të këndshme të martave që të keni ç’të prisni  gjatë të hënës. Po, shumica e të hënave do të jenë të tmerrshme, por të martat, të martat mund të përmirësohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat