Pasi të lexosh këtë, do dalësh direkt për një ecje!

Life style

Pasi të lexosh këtë, do dalësh direkt për një ecje!

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 11:42
Foto ilustrim

Truri përbëhet kryesisht nga dy lloje të substancave: lënda gri dhe e bardhë. Lënda e bardhë përbëhet nga aksone që lidhin pjesë të ndryshme të trurit. Ato gjenerojnë sinjale elektrike dhe lëshojnë kimikate për të transmetuar informacion. Ndërsa plakemi, lënda e bardhë përkeqësohet; si rezultat, sinjali bëhet më i ngadalshëm ose i humbur.

Për shkak se incidenca globale e demencës parashikohet të dyfishohet çdo 20 vjet, zhvillimi i strategjive efektive për të ngadalësuar rënien njohëse - si në trurin e shëndoshë ashtu edhe në atë të pashëndetshëm - është kritike. 

Për fat të mirë, ka vend për të rimarrë integritetin e lëndës së bardhë edhe nëse jeni 60 vjeç apo më shumë. Për më tepër, përmirësimi ose rënia e shëndetit të trurit mund të ndodhë në një kohë relativisht të shkurtër. Një studim tregoi se një rënie në integritetin e lëndës së bardhë mund të ndodhë gjatë një periudhe të shkurtër prej vetëm gjashtë muajsh tek të moshuarit e shëndetshëm.

Çfarë dimë për materialin e bardhë në tru

Ka disa gjetje inkurajuese mbi kthyeshmërinë dhe ngadalësimin e tkurrjes së lëndës së bardhë të lidhur me moshën. Në një studim, Agnieszka Burzynska, një profesoreshë e neuroshkencës dhe zhvillimit njerëzor në universitetin shtetëror të Kolorados në "Fort Collins", dhe kolegët e saj, mblodhën imazhe të trurit dhe bënë matje konjitive (njohëse) nga një grup burrash dhe grash të shëndetshmëm, sedentarë (60-79 vjeç; mosha mesatare ishte 65 vjeç).

Ata caktuan rastësisht pjesëmarrësit në një nga tre kushtet: ecjen, kërcimin ose "kontrollin aktiv".

- Kontrolli aktiv përfshinte ushtrime të dizenjuara për të përmirësuar fleksibilitetin, forcën dhe ekuilibrin.

- Tjetra përfshinte ecjen për 45-60 minuta.

- Ndërsa kërcimi përfshinte kombinime koreografike që bëheshin më sfiduese gradualisht.

Pjesëmarrësit në të gjitha kushtet ndoqën tre seanca stërvitore në javë për 24 javë (rreth 6 muaj). Studiuesit gjithashtu matën integritetin e lëndës së bardhë të pjesëmarrësve duke përdorur parametra të avancuar të neuroimazheve. Skanimet e trurit dhe të gjitha testet njohëse u përsëritën pas programeve të stërvitjes gjashtëmujore.

Çfarë gjeti hulumtimi

Trupat e të gjithë pjesëmarrësve ndryshuan pas përfundimit të programit të stërvitjes gjashtëmujore. Por a ndryshoi truri i tyre? Përgjigja varet nga lloji i ushtrimit që është praktikuar.

Edhe grupi i kontrollit aktiv dhe ai i kërcimit, panë një rritje të lëndës së bardhë në tru. Sidoqoftë, grupi i ecjes tregoi efektet më pozitive krahasuar me dy grupet e tjera. Te ky grup, u vunë re përmirësime shumë herë më të mëdha të lëndës se bardhë se sa në grupet e tjera, si dhe përmirësime të kujtesës.

Çfarë do të thotë kjo për plakjen e trurit

Këto rezultate ofrojnë shumë shpresë. Është e mrekullueshme se edhe në një moshë të caktuar, "truri" mund të përmirësohet përmes aktiviteteve që mund të bëhen nga thuajse të gjithë. Sidoqoftë, njerëzit e marrë në studim ishin të shëndetshme dhe nuk kishin sjellje si: konsum duhani, dietë e varfër ushqimore, privim i gjumit etj. Kërkimet e ardhshme do duhet të konfirmojnë edhe këto supozime.

Tani për tani, filloni të ecni sot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat