Studimi i ri: Pse fëmijët duhet të luajnë me kukulla, pavarësisht gjinisë

Life style

Studimi i ri: Pse fëmijët duhet të luajnë me kukulla, pavarësisht gjinisë

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 18:43
Foto ilustrim

Një studim ka zbuluar se loja me kukulla i inkurajon fëmijët të flasin më shumë për mendimet dhe emocionet e të tjerëve.

Hulumtimi sugjeron se lojërat imagjinare me kukulla mund t'i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi sociale dhe ndjeshmërinë. Neuroshkencëtarja që udhëhoqi studimin tha se vlera edukative e lojës me Lego dhe lodrat e ndërtimit të sendeve pranohej gjerësisht, por përfitimet e lojës me kukulla ishin anashkaluar.

“Kur fëmijët krijojnë botë imagjinare me lojën me kukulla, ata fillimisht komunikojnë me zë të lartë dhe më pas përvetësojnë mesazhin për mendimet, emocionet dhe ndjenjat e të tjerëve," tha për Guardian Dr. Sarah Gerson, një neuroshkencëtare në Universitetin e Cardiff-it dhe autorja kryesore.

“Kjo mund të ketë efekte pozitive afatgjata te fëmijët, si nxitja e niveleve më të larta të përpunimit social dhe emocional dhe ndërtimi i aftësive sociale si empatia të cilat mund të brendësohen për të ndërtuar dhe formuar zakone gjatë gjithë jetës.”

Studimi, i financuar nga prodhuesit e Barbie dhe i botuar në revistën Developmental Science, përfshiu 33 djem dhe vajza, të moshës nga katër deri në tetë vjeç, të cilëve iu dha një koleksion kukullash Barbie dhe lodra të tilla si një ambulancë ose kalë për të luajtur.

Studimi zbuloi se fëmijët flisnin më shumë për mendimet dhe emocionet e të tjerëve, një koncept i njohur si gjuha e brendshme, kur luanin me kukulla, krahasuar me lojërat e tjera. Ata gjithashtu kishin më shumë gjasa t'u drejtoheshin kukullave në vetën e dytë, duke folur drejtpërdrejt me to, ndërsa personazheve në ekranin e kompjuterit prireshin t'u referoheshin në vetën e tretë. Në këtë pikë nuk u vu re dallim mes djemve dhe vajzave.

"Gjuha e brendshme mund të tregojë se një fëmijë po mendon për mendimet dhe emocionet e njerëzve të tjerë teksa luan me kukulla," tha Gerson.

Studimi zbuloi gjithashtu se te fëmijët u vu re rritje në aktivitetin e trurit në zonën e pasme të njohur si pSTS kur flisnin sikur kukullat e tyre kishte mendime dhe ndjenja. Rajoni i pSTS besohet të jetë i përfshirë në zhvillimin e aftësive të përpunimit social dhe emocional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat